RREGULLORE NR. 1999/24
UNMIK/RREG/1999/24
12 dhjetor 1999
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm,
Në përputhje me autorizimin që i është dhënë me
Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të
datës 10 qershor 1999,
Duke marrë parasysh Rregulloren nr. 1999/1 të
Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë
(UNMIK) mbi Autoritetin e Administratës së Përkohshme në Kosovë të datës 25
korrik 1999,
Me qëllim të përcaktimit të ligjit në fuqi në
Kosovë,
Shpall sa vijon:
1.1 Ligji në fuqi në Kosovë përfshin:
(a) Rregulloret e shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të
Përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to dhe
(b) Legjislacionin në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989.
Në rast konfliktesh do
të mbizotërojnë rregulloret dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje
me to.
1.2. Në qoftë se një gjykatë e juridiksionit
kompetent, një organ ose një person që duhet të zbatojë një dispozitë të
legjislacionit, konstaton se një çështje ose një situatë nuk mund të mbulohet
nga legjislacioni i përcaktuar në paragrafin 1.1 të kësaj rregulloreje, por
mbulohet nga një ligj tjetër në fuqi në
Kosovë pas 22 marsit 1989, i cili nuk është diskriminues dhe është në përputhje
me nenin 1.3 të kësaj rregulloreje, atëherë gjykata, organi ose personi, si
përjashtim, e zbaton atë ligj.
1.3. Gjatë
ushtrimit të funksioneve të tyre, të gjithë personat me detyra publike
ose që mbajnë pozita publike duhet të respektojnë standardet e njohura
ndërkombëtare të të drejtave të njeriut siç pasqyrohen veçanërisht në:
(a) Deklaratën universale të të drejtave të njeriut të 10 dhjetorit 1948;
(b)
Konventën
Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut të 4
nëntorit 1950 dhe Protokollet e saj;
(c) Marrëveshjen ndërkombëtare për të drejtat qytetare dhe politike të 16
dhjetorit 1966 dhe protokollet e saj;
(d)
Marrëveshjen
ndërkombëtare për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të 16 dhjetorit
1966;
(e) Konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial të 21
dhjetorit 1965;
(f) Konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit kundër grave
të 17 dhjetorit 1965;
(g) Konventën kundër torturës dhe keqtrajtimit çnjerëzor dhe poshtërues apo
degradues ose ndëshkues të 17 dhjetorit 1984;
(h) Konventën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve të 20 dhjetorit 1989.
1.4 Asnjë person, i cili ushtron detyra
publike apo mban ndonjë pozitë publike në Kosovë nuk lejohet të diskriminojë
ndonjë person tjetër për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, gjuhës, fesë,
bindjes politike ose bindjeve të tjera, origjinës kombëtare, etnike apo
sociale, shoqërimit me një komunitet kombëtar, pasurisë, lindjes ose të ndonjë
statusi tjetër. Në procedurat penale, i pandehuri përfiton nga dispozita më e
favorshme e ligjit penal në fuqi që nga data 22 mars 1989 deri në ditën e
nxjerrjes së kësaj rregulloreje.
1.5 Dënimi me vdekje hiqet.
Neni 2
Gjykatat në
Kosovë mund të kërkojnë sqarime nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të
Përgjithshëm lidhur me zbatimin e kësaj rregulloreje. Përfaqësuesi Special i
Sekretarit të Përgjithshëm u jep gjykatave sqarime të nevojshme për ushtrimin e
detyrave të tyre.
Neni 3
Kjo rregullore
konsiderohet të ketë hyrë në fuqi më 10 qershor 1999.
Të gjitha aktet ligjore,
duke përfshirë edhe vendimet gjyqësore, dhe efektet ligjore të veprimeve që
kanë ndodhur nga 10 qershori 1999 deri në ditën e nxjerrjes së kësaj
rregulloreje, në përputhje me legjislacionin në fuqi gjatë asaj periudhe sipas
nenit 3 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/1, datë 25 korrik 1999, do të
mbeten në fuqi derisa nuk bien në kundërshtim me standardet e referuara në
nenin 1 të kësaj rregulloreje apo të çdo rregulloreje tjetër të UNMIK-ut në
fuqi gjatë kohës kur kanë ndodhur veprat e tilla.
Bernard Kouchner,
Përfaqësues Special i Sekretarit të
Përgjithshëm