RAPORTIMI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT PËR UNMIK-un I ZËVENDËSPËRFAQËSUESIT SPECIAL TË SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM (ZPSSP) DHE UD I SHEFIT TË UNMIK-ut MILBERT DONGJOON SHIN

21 Tet 2025

RAPORTIMI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT PËR UNMIK-un I ZËVENDËSPËRFAQËSUESIT SPECIAL TË SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM (ZPSSP) DHE UD I SHEFIT TË UNMIK-ut MILBERT DONGJOON SHIN

RAPORTIMI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT PËR UNMIK-un I ZËVENDËSPËRFAQËSUESIT SPECIAL TË SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM (ZPSSP) DHE UD I SHEFIT TË UNMIK-ut MILBERT DONGJOON SHIN

Nju Jork

21 TETOR 2025

 

Ju faleminderit, z. kryetar.

z. Kryetar, shkëlqesi, të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit,

Kam nderin t’i raportoj Këshillit lidhur me zhvillimet në Kosovë që nga raportimi i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm, ku përfshihet periudha prej datës 16 mars deri më 15 shtator, si dhe të jap disa pikëpamje të rëndësishme.    

z. Kryetar, dëshiroj të filloj duke përgëzuar dhe uruar popullin e Kosovës për një atmosferë të qetë dhe përfshirëse gjatë zgjedhjeve komunale, të mbajtura më 12 tetor. Së këndejmi, ftoj të gjitha palët që të ruajnë të njëjtin mjedis të qetë dhe përfshirës në zgjedhjet e balotazhit që do të mbahen më 9 nëntor në mënyrë që qytetarët të mund të vazhdojnë së gëzuari lirshëm të drejtën e tyre të votës.   

Dëshiroj po ashtu të theksoj rolin e rëndësishëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe të Gjykatës Supreme në ruajtjen e sundimit të ligjit dhe në sigurimin e përputhshmërisë me ligjet e zgjedhjeve në Kosovë. Vendimet e tyre kanë fuqizuar garancitë ligjore të përfshirjes dhe të integritetit zgjedhor.  

Derisa mirëpresim një rritje të vogël të numrit të grave kandidate në zgjedhjet për kryetare të komunave këtë vit, theksoj se vetëm njëra nga 38 komuna do të udhëhiqet nga një grua.    

Tani kur zyrtarët e zgjedhur po përgatiten t’i marrin postet, ne presim formim të efektshëm dhe me kohë të administratave komunale që do t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve. Pushteti komunal është lidhja me e afërt me komunitetin. Funksionimi i tyre i duhur ndihmon në shndërrimin e zërave të qytetarëve në vepra që formësojnë jetën e tyre të përditshme. 

z. Kryetar, që nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit, ndasitë mes partive politike kanë penguar krijimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë. Ky qorrsokak ka kufizuar funksionimin e institucioneve qendrore. Më 10 tetor, me zgjedhjen e zëvendëskryetarit të Kuvendit nga radhët e serbëve të Kosovës, kryetari i Kuvendit e shpalli të themeluar legjislaturën e re të Kuvendit. Më pas, dhjetë deputetë të Kuvendit, duke përfshirë nëntë anëtarë të partisë Lista Serbe, e kontestuan këtë zgjedhje para Gjykatës Kushtetuese.    

Në pritje të vendimit të Gjykatës, ne theksojmë se respektimi i pavarësisë së gjyqësorit mbetet strumbullar i shoqërisë demokratike. Andaj, shpresojmë që në përputhje me vendimin e formës së prerë të Gjykatës, ndasitë politike së shpejti të tejkalohen, ashtu që populli i Kosovës të përfaqësohet dhe shërbehet nga institucionet e tij.    

z. Kryetar, ne mirëpresim takimet për dialog të organizuara në qershor dhe shtator në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe i ftojmë të dyja palët t’u ikin masave që mund të ndikojnë negativisht në krijimin e mirëbesimit. Unë i inkurajoj ato që t’i trajtojnë çështjet e pazgjidhura në mënyrë konstruktive dhe me vullnet të mirë, në kuadër të kornizës së dialogut, nën udhëheqjen e Përfaqësuesit special të BE-së   Peter Sørensen.

Po ashtu mirëpres takimin e grupit punues për persona të zhdukur, të mbajtur në korrik dhe të drejtuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Angazhimi i sinqertë në qartësimin e fatit të të zhdukurve dhe vënia fund e dhimbjeve të  familjeve, mbetet një angazhim fisnik e thelbësor humanitar. Misioni ynë mbetet i përkushtuar në përkrahjen e të gjitha përpjekjeve për trajtimin e fatit të personave të zhdukur. 

z. Kryetar, më herët gjatë këtij viti, autoritetet e Kosovës ua mundësuan shumë qytetarëve me dokumente të lëshuara nga institucionet e drejtuara nga Serbia që të rregullojnë statusin e tyre në sistemin e Kosovës. Ne mirëpresim këtë hap pozitiv dhe i inkurajojmë autoritetet të krijojnë një procedurë më konsistente për regjistrimin civil. Kjo konsistencë do t’ua  mundësojë të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë që të marrin dokumentet e nevojshme dhe të gëzojnë qasje të barabartë në shërbime.

Autoritetet në Kosovë së fundi kanë deklaruar se zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe i Ligjit për automjetet do të fillojë më 1 nëntor. Kjo mund të paraqes sfida administrative që ndikojnë në qasjen në të drejta e shërbime esenciale, duke përfshirë në kujdesin shëndetësor, arsim dhe në punësim. Kjo është shqetësuese për banorët e përhershëm të Kosovës nga komunitetet joshumicë, të cilët vazhdojnë të ballafaqohen me vështirësi në marrjen e dokumenteve të nevojshme. Nga ana tjetër, ky mund të jetë edhe moment i shtimit të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjeve ndaj këtyre sfidave. 

z. Kryetar, ne ritheksojmë shqetësimet tona dhe të partnerëve tonë ndërkombëtarë lidhur me ndikimin e mundshëm të mbylljes së institucioneve të drejtuara nga Serbia përkitazi me qasjen në shëndetësi, arsim dhe kulturë. Autoritetet e Prishtinës kanë cekur bazat ligjore dhe administrative prapa këtyre masave, dhe çështjet ende mbesin komplekse. Rrjedhimisht, është me rëndësi që autoritetet e Prishtinës t’i angazhojnë komunitetet mirëfilli para se të fillojnë me zbatimin e vendimeve që ndikojnë në jetën e përditshme, dhe që të kërkojnë alternativa të realizueshme për të zvogëluar ndikimin negativ.  

Në kuadër të këtij konteksti do të nënvizojë përpjekjet e vazhdueshme të Përfaqësuesit Special të BE-së në Prishtinë në angazhimin me autoritetet  dhe komunitetet e prekura për të ndihmuar në lehtësimin e ndikimit të vendimeve që kryesisht prekin komunitetet joshumicë.   

Në bisedat e mia me udhëheqësit politikë, fetarë dhe të komuniteteve, si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile nga të gjitha komunitetet, bashkëbiseduesit kanë theksuar rëndësinë e dialogut në ndërtimin e besimit për menaxhimin e këtyre çështjeve të ndërlikuara. 

z. Kryetar, së fundmi janë bërë dy vite që kur ndodhi incidenti i rëndë i sigurisë në Banjskë. Ftojmë të gjitha autoritetet relevante në Beograd dhe Prishtinë të ndërmarrin masa transparente dhe të efektshme për sjelljen e kryerësve para drejtësisë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin përmes mekanizmave të dakorduar bashkërisht. Po ashtu, llogaridhënia e plotë është thelbësore për sulmin që ndodhi para gati një vit e gjysmë në kanalin Ibër-Lepenc.

z. Kryetar, siç është cekur në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, jemi të shqetësuar për arrestimet lidhur me shfaqjen e simboleve kulturore, nacionale apo fetare. Ne theksojmë nevojën për të respektuar kornizën ligjore të Kosovës dhe gjetjen e një ekuilibri të kujdesshëm mes mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe parandalimit të nxitjes së urrejtjes apo dhunës. Mosruajtja e këtij ekuilibri rrezikon shkeljen e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe zvogëlimin e besimit të qytetarëve në sektorin e drejtësisë dhe të sigurisë. Edhe në këtë rast, besimi mund të ndërtohet përmes dialogut dhe angazhimit të komunitetit.     

Dua të ritheksoj thirrjet e UNMIK-ut për kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet publike. Shoqëria aktive shumetnike e Kosovës duhet të pasqyrohet në institucionet e saj, të cilat vetëm se mund të fuqizojnë qeverisjen demokratike.   

z. Kryetar, dëshirojmë të përgëzojmë Kosovën në shënimin e 25 vjetorit të Institucionit të Avokatit të Popullit. Së këndejmi, dua të theksoj përkrahjen e vazhdueshme të Misionit tonë për këtë Institucion, raportimin e tij, angazhimin dhe për kontaktet me qytetarët në terren në përputhje me parimet e Parisit. Derisa Avokati i tanishëm i Popullit vazhdon të punojë brenda rolit të përkohshëm pas skadimit të mandatit pesëvjeçar, ftoj Kuvendin e Kosovës që të emërojë Avokatin e Popullit dhe zëvendësit e tij për mandate të reja sapo që të jetë në gjendje për ta bërë një gjë të tillë. Ky Institucion mbetet thelbësor në sigurimin e llogaridhënies, barazisë dhe mbrojtjes për të gjithë popullin e Kosovës.     

Hapësira dinamike për shoqërinë civile në Kosovë mbetet një nga përparësitë e saj më të mëdha. Megjithatë, presionet e fundit ndaj shoqërisë civile kërkojnë vëmendje të afërt. Liria e mediave dhe liria e shprehjes gjithashtu mbesin nën presion. Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës ka raportuar për sulme personale ndaj gazetarëve, ndërsa transmetuesi publik televiziv është ballafaquar me sfida në pavarësinë e tij.     

z. Kryetar, UNMIK-u rithekson rëndësinë e ndërtimit të besimit mes komuniteteve. Rrjedhimisht, përkundër kufizimeve financiare, ne vazhdojmë të avancojmë ndërtimin e besimit dhe të kohezionit social përmes aktiviteteve tona programatike. Ne e bëjmë këtë në bashkëpunim të ngushtë me Ekipin e OKB-së në Kosovë, si dhe me partnerë ndërkombëtarë e vendorë.

Këto përpjekje po japin rezultate. Për shembull, ne kemi mbështetur një iniciativë nga niveli bazë që ka pasur sukses në disa komuna në realizimin e projekteve që bashkojnë komunitete të ndryshme. Kjo ka nxitë dialogun ndërkomunitar, ndërkohë që ofron edhe përfitime praktike dhe të prekshme. Këto komunitete gjithashtu punojnë nga afër me autoritetet lokale. Në fakt, bashkëfinancimi nga autoritetet komunale i këtyre projekteve pasqyron pronësinë lokale të kësaj qasjeje bashkëpunuese për ndërtimin e besimit.

Ne shohim gjithashtu që projektet tona kanë ndikime afatgjata. Një traktor i dhënë 12 vjet më parë një komuniteti të përzier të fermerëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës vazhdon të lidhë fqinjët së bashku. Me kalimin e viteve, ky investim fillestar ka frymëzuar forma të tjera të bashkëpunimit midis këtyre fermerëve.

Qendra Barabar mbetet prijëse e këtyre aktiviteteve, ku deri më tani ka organizuar më shumë se 220 ngjarje, me mbi 17000 pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet.  Përmes këtyre organizimeve, ne vazhdojmë të krijojmë hapësira të sigurta për një dialog të hapur dhe të sinqertë ndërkomunitar, që krijon mundësi për pajtim dhe paqe afatgjatë. Këto dhe shumë nisma të tjera kontribuojnë në zvogëlimin e tensioneve ndërkomunitare dhe favorizojnë një mjedis të përshtatshëm për procesin politik.   

z. Kryetar, ne gjithashtu vazhdojmë me përkushtimin në avancimin e pjesëmarrjes së grave dhe rinisë në proceset politike.  

UNMIK-u ka përkrahur programin trajnues për udhëheqje me qëllim të përmirësimit të qeverisjes pjesëmarrëse në mbarë Kosovën, ku kanë marrë pjesë 60 persona – 45 prej tyre gra. Pjesëmarrësit ishin nga parti të ndryshme politike dhe organizata të shoqërisë civile dhe kishin për qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre për angazhim në procese demokratike dhe për zgjerim të rrjeteve ndërkomunitare. Kemi kënaqësinë të kumtojmë se disa pjesëmarrëse të trajnimit për herë të parë dolën me sukses si kandidate për zgjedhjet komunale 2025.    

Asambleja e 7-të për rininë e Kombeve të Bashkuara, e mbajtur në qershor, bashkoi mbi 130 udhëheqës të rinj nga Kosova dhe nga i tërë Ballkani Perëndimor. Energjia dhe vizioni i tyre është parë në çdo moment, duke treguar se rinia nuk është vetëm udhëheqëse e të nesërmes, por edhe katalizator vital i ndryshimit të së sotmes. 

Puna e Misionit tonë në ndërtimin e besimit rrjedh nga përkushtimi ndaj ruajtjes së paqes dhe ndërtimit të saj, ku të gjitha personat e të gjitha komuniteteve kanë ndjenjën e përkatësisë. Dëshiroj ta shfrytëzojë rastin për t’i falënderuar të gjithë kolegët e mi në UNMIK për përkushtimin e tyre të gjatë ndaj kësaj pune, përkundër sfidave që kanë në zbatimin e mandatit tonë.

Para se të përfundoj, më lejoni z. Kryetar, që të shprehi mirënjohjen time për kontributin e madh të komandantit të KFOR-it në largim, gjeneralit Enrico Barduani, drejtimi i të cilit ka qenë thelbësor në menaxhimin e krizave dhe në garantimin e sigurisë. Po ashtu i uroj mirëseardhje të ngrohtë gjeneralit Özkan Ulutaş, ku ai kthehet për herë të dytë në drejtim të KFOR-it. Në periudhën vijuese presim bashkëpunim të ngushtë me të.

Në fund, z. Kryetar, dëshiroj të falënderoj anëtarët e këtij Këshilli për përkushtimin e tyre ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në Kosovë. Duke punuar së bashku, mund të arrijmë përparim në dialog, të mbrojmë të drejtat e njeriut dhe të fuqizojmë themelet e një paqeje të qëndrueshme. 

Ju faleminderit.