FJALIMI I PSSP ZIADEH NË DEBATIN E KËSHILLIT TË SIGURIMIT PËR UNMIK-UN
FJALIM NGA CAROLINE ZIADEH, PËRFAQËSUESE SPECIALE E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM DHE SHEFE E UNMIK-ut
DEBATI NË KËSHILLIN E SIGURIMIT PËR UNMIK-un
Nju Jork
30 TETOR 2024
Zonja Presidente, të nderuar shkëlqesi,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Sigurimit, zonja dhe zotërinjë,
1. Kam nderin të përditësoj Këshillin për zhvillimet e fundit në Kosovë që nga nxjerrja e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm që mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti, dhe të ndaj disa vëzhgime gjithëpërfshirëse.
2. Në angazhimet e mia me zyrtarët në Beograd dhe Prishtinë dhe me palët vendase politike e civile, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, dëgjoj, dhe po e ndaj me ju çfarë kam dëgjuar, dëgjoj një aspiratë për një dialog konstruktiv dhe marrëdhënie paqësore, edhe pse situata në terren mbetet e brishtë dhe progresi i pasigurt.
3. Gjatë vizitës sime të fundit në veri të Kosovës në shtator, organizatat e shoqërisë civile, aktorët politikë dhe banorët shprehën shqetësime serioze për ndikimin negativ të veprimeve të fundit unilaterale që prekin të drejtat e tyre ekonomike, sociale dhe politike. Ata shpjeguan se mbylljet e fundit të degëve të postës së Serbisë dhe zyrave komunale të drejtuara nga Qeveria e Serbisë, përfshirë të fundit në Skenderaj më 16 tetor, kanë kufizuar qasjen në shërbimet kryesore, veçanërisht për komunitetin serb të Kosovës. Këto vështirësi e përkeqësuan efektin e masave të mëparshme, si rregullorja për përdorimin e dinarit dhe mbyllja e degëve të Bankës së Kursimeve (Postanska Stedionica). Këta pjesëtarë të komunitetit shprehën më tej ankth lidhur me indikacionet se autoritetet e Prishtinës mund të përpiqen të ushtrojnë kontrollin mbi institucionet arsimore dhe shëndetësore të financuara nga Serbia.