UNMIK
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Deklaratë e Këshillit Tranzitor të Kosovës lidhur me personat e privuar nga liria

PRISHTINË - Këshilli Tranzitor i Kosovës shqyrtoi situatën e të burgosurve, të privuarve nga liria si dhe personave të zhdukur nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

KTK kërkon nga autoritetet e Beogradit që të ofrojnë informacion lidhur me vendndodhjet e personave të zhdukur. Komisioni për të burgosurit, të privuarit nga liria dhe personat e zhdukur i KTK-së do t’i dorëzojë autoriteteve të RFJ-së një listë të personave të zhdukur.

KTK dënon mbajtjen e të burgosurve politikë në Serbi dhe kërkon lirimin e të gjithë burgosurve politik, duke përfshirë aktivisten e mirënjohur humanitare znj. Flora Brovina.

KTK fton bashkësinë ndërkombëtare - posaçërisht Komesariatin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat të Njeriut (UNHCHR) dhe samitin e OSBE-se që do të mbahet në Stamboll, më 18 dhe 19 nëntor - që të kërkojnë nga RFJ-ja që të raportojë lidhur me vendndodhjet e personave të zhdukur, të ndërpresë menjëherë gjykimet politike dhe të lirojë të gjithë të burgosurit politik.