Para njëzet vjetësh u miratua një dokument historik në Vjenë. Ky dokument kristalizoi parimin se të drejtat e njeriut janë universale dhe i obligoi shtetet që të merren me promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga sistemet e tyre politike, ekonomike dhe kulturore.
Ndër shumë arritje të tjera të rëndësishme dhe novatore, Deklarata e Vjenës shpuri në krijimin e zyrës sime – Zyrës së Komisariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut.
Që nga atëherë, janë arritur shumë përparime, në të vërtetë, më shumë sesa njerëzit mbase e kuptojnë.
Bazat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut janë kryesisht në vend të duhur: këto përfshijnë pjesën kryesore të fuqishme dhe në rritje të së drejtës dhe të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe institucionet për interpretimin e ligjeve, për mbikëqyrjen e përputhshmërisë dhe për zbatimin e tyre për çështje të reja dhe në zhvillim të të drejtave të njeriut.
Aktualisht, çështja kryesore qëndron në zbatimin e atyre ligjeve dhe standardeve në mënyrë që gëzimi i të drejtave të njeriut të bëhet realitet aty ku ndodhemi. Vullneti politik dhe burimet njerëzore e financiare shpeshherë mungojnë për t’i arritur këto.
Gjatë njëzet vjetëve, që nga Vjena, fatkeqësisht kanë ndodhur, po ashtu, shumë pengesa dhe një numër i dështimeve tragjike në parandalimin e krimeve dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në disa raste kur janë bërë shkelje të mjerueshme e të shumta të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, bashkësia ndërkombëtare ishte tepër e ngadalshme, shumë e ndarë, shumë dritëshkurtër, ose thjesht ka dhënë përgjigje të papërshtatshme lidhur me paralajmërimet që vinin nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe me klithmat e viktimave.
Deklarata e Vjenës duhet të konsiderohet si projekt për një ndërtim të mrekullueshëm e që është ndërtuar vetëm deri në gjysmë.
Mënyra sesi shtetet veprojnë vëzhgohet më shumë se kurdoherë më parë dhe zgjerimi i organizatave të shoqërisë civile dhe i aktivistëve të veçantë të të drejtave të njeriut gjatë 20 vjetëve të fundit ka qenë vërtet i mrekullueshëm. Së bashku me institucionet e pavarura kombëtare të të drejtave të njeriut, këto janë bazë të zhvillimit të të drejtave të njeriut në nivelin kombëtar. Mirëpo, kjo është çështje e një shqetsimi të thellë sepse ata po ashtu po përballen me ngacmime dhe frikësime të vazhdueshme në shumë vende.
Gratë vazhdojnë të ndjejnë diskriminimin, dhunën dhe persekutimin. Të njëjtën gjë e ndjejnë edhe pakicat etnike, racore, fetare dhe emigrantët si dhe individët për shkak të orientimit të tyre seksual. Kjo tregon çfarë rruge kemi ende për të bërë.
Konfliktet e brendshme vazhdojnë të krijojnë abuzime të tmerrshme dhe të përhapura të të drejtave të njeriut. Protestat paqësore që i bëjnë njerëzit të cilët i ushtrojnë të drejtat e tyre legjitime, dhe që bëjnë thirrje për to, po shtypen pa mëshirë nga autoritetet pothuajse për çdo ditë.
Ndërrimi dhe zhvendosja e popullsisë që bëhen si pasojë e varfërisë në rritje, lëvizja e refugjatëve dhe ekonomia e përgjithshme e paqëndrueshme, bëjnë që t’i jepet përparësi kundërgoditjes ‘frika nga tjetri’.
Dhe sfida të reja komplekse vazhdojnë të shfaqen, siç janë ndryshimi i klimës dhe lëvizjet globale terroriste.
Mënyra sesi veprojmë në këtë botë po ashtu ndryshon me shpejtësi të çmendur.
Teknologjitë moderne janë duke transformuar mënyrën sesi ne e kryejmë punën lidhur me të drejtat e njeriut. Në vitin 1993, faqja botërore e internetit ishte vetëm katër vjeçe dhe përdorimi e shtrirja e ardhshme e saj mezi mund të imagjinohej, e as sesi interneti mund të ndikonte thellësisht në jetën tonë. Së bashku me mediat sociale dhe me risitë e teknologjisë informative (TI), këto teknologji janë duke i përmirësuar komunikimet në kohë reale dhe shkëmbimin e informacioneve në mënyrë dramatike. Ato po ashtu janë duke ngritur zërin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, duke bërë ndriçimin e rasteve të abuzimeve dhe përgatitjen për mbështetjen e kauzave të ndryshme në shumë pjesë të botës.
Mirëpo, kemi parë, po ashtu, sesi teknologjitë e reja lehtësojnë shkeljen e të drejtave të njeriut, duke frenuar efektshmërinë e shekullit 21. Në shkeljen e të drejtës ndërkombëtare, mbikëqyrja masive elektronike dhe mbledhja e të dhënave janë duke kërcënuar si të drejtat individuale ashtu edhe funksionimin e lirë të një shoqërie civile energjike dhe aktive.
Një publikim në Tweet ose Facebook nga një mbrojtës i të drejtave të njeriut mund të mjaftojë për ta dërguar në burg. Aeroplanët pa pilotë me radiokontroll munden dhe janë duke u përdorur për qëllime pozitive. Mirëpo, aeroplanët e tillë të armatosur janë po ashtu duke u shpërndarë pa ndonjë proces ligjor të duhur, për të vërë në shënjestër individë nga largësia. Të ashtuquajturit “robotë vrasës", sisteme të armëve autonome të cilat mund të përzgjedhin dhe godisin një objektiv pa ndërhyrje të njeriut, tashmë nuk janë fiksion shkencor, por realitet.
Shpërndarja e tyre e mundshme në të ardhmen ngre çështje etike dhe ligjore thellësisht shqetësuese.
Nevojitet një vigjilencë e vazhdueshme për të siguruar që teknologjitë e reja i çojnë përpara të drejtat e njeriut, e jo i shkatërrojnë ato. Pavarësisht nga shkalla e këtyre ndryshimeve, e drejta ekzistuese ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe e drejta humanitare ndërkombëtare që rregullojnë zhvillimin e konfliktit të armatosur mbesin të zbatueshme.
Shtetet duhet të sigurojnë që ato JANË të zbatueshme.Në nivel ndërkombëtar, punë e madhe mbetet për t’u bërë në transformimin e të drejtave të njeriut nga premtimet abstrakte në përmirësim të vërtetë në jetën e përditshme të të gjithë njerëzve, sidomos të atyre të cilët aktualisht janë të margjinalizuar ose të përjashtuar.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të punojë me të gjithë partnerët saj në përpjekjen për parandalimin e ndodhive të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë të jemi të zëshëm lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga shtetet që ta bëjnë pjesën e tyre, padyshim pjesën më të madhe, për të siguruar që gabimet tragjike të së kaluarës të mos përsëriten dhe se të drejtat e njeriut të të gjithëve janë të mbrojtura dhe të promovuara.
Ne mundemi dhe duhet të bëjmë punë më të mirë.
Vizioni dhe qëllimet e formuluara në Vjenë 20 vjet më parë janë ende të vlefshme. Tani ende vlen për të luftuar për to, gjatë 20 vjetëve të ardhshme dhe mëpastaj

