PSSP Tanin bën thirrje për veprim kolektiv gjatë bisedave me liderë
Sot në mëngjes, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, zhvilloi bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. PSSP Tanin shprehu mbështetjen e plotë të Kombeve të Bashkuara për përpjekjet e Serbisë ndaj luftimit të virusit COVID-19 dhe solidaritetin me të gjithë të prekurit. Presidenti Vuçiq dhe PSSP Tanin diskutuan mundësitë e forcimit të bashkëpunimit anekënd rajonit, përfshirë Kosovën, për të arritur sukses në përpjekjet kundër këtij kërcënimi ekzistencial, në pajtim me apelin global të Sekretarit të Përgjithshëm. Presidenti Vuçiq shprehu shqetësimin rreth situatës me COVID-19 në Kosovë dhe konfirmoi gatishmërinë e tij për bashkëpunim të plotë me autoritetet e Prishtinës për të luftuar pandeminë dhe ndihmuar popullin e Kosovës. Të dytë më tej diskutuan çështjet politike dhe të sigurisë në Kosovë para sesionit të Këshillit të Sigurimit në fund të këtij muaji.
Gjithashtu, pas apelit global të Sekretarit të Përgjithshëm, PSSP Tanin bisedoi të enjten e kaluar me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe shprehu mirënjohje ndaj reagimit të tij kundrejt krizës shëndetësore dhe gjithashtu shprehu mbështetjen e solidaritetin e plotë të Kombeve të Bashkuara me qeverinë dhe popullin e Shqipërisë. PSSP Tanin nënvizoi rëndësinë e unifikimit të përpjekjeve rajonale për luftimin e virusit COVID-19, përfshirë asistencën ndaj Kosovës.