UNMIK
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Forumi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Mirëbesimit në Kosovë: Puna në të ardhmen Fjalimi kryesor nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i Misionit, Z. Zahir Tanin

Shkëlqesia juaj, zonja dhe zotërinj,
Mysafir të nderuar, kolegë dhe miq,

Kam kënaqësinë e veçantë t’u përshëndes sonte në këtë ngjarje në të cilën ne përkrahim përparimin e arritur dhe hapim shtigje të reja. Më pak se gjashtë muaj më parë, shumë prej jush u bashkuat me ne në Lubjanë për të dhënë kontributin tuaj në fuqizimin e themeleve të një paqeje të vazhdueshme dhe të një shoqërie të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe stabile. Ne sapo pamë pamjet më kryesore nga ai tubim i veçantë me liderë të shquar dhe individë që bëjnë ndryshime. Ndërtimi i mirëbesimit në mes të komuniteteve në Kosovë kërkon guxim, përkushtim dhe vendosmëri. Në maj të vitit 2018, idetë tuaja u bënë bashkë në Forumin e Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Mirëbesimit në Kosovë, që u mbajt në Lubjanë, dhe kjo është meritë e punës së të gjithëve ju që gjendeni sot në këtë sallë.

Në mesin e të arriturave më kryesore të Forumit ishte miratimi i një sërë rekomandimesh në fushën e: (1) Qeverisjes së Mirë dhe Qasjes në Shërbime, (2) Qasjes në Drejtësi, (3) Ndërtimit të Mirëbesimit Ndër-fetar, (4) Fuqizimit Ekonomik dhe Mjedisit, (5) Medias dhe Komunikimit dhe (6) Arsimit. Raporti me rezultatet përfundimtare është nxjerrë muajin e kaluar, dhe unë kam kënaqësinë t’ua prezantoj sot në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe. Ju ftoj të gjithëve të ndani këtë raport me rrjetet tuaja, dhe mbi të gjitha, të shfrytëzoni rekomandimet si udhërrëfyes për iniciativa të ndërtimit të mirëbesimit në komunitetet dhe në institucionet tuaja. Këto rekomandime të përpiluara me konsensus në mes të pjesëmarrësve, paraqesin kulmin e punës përgatitore disamujore, përfshirë edhe diskutimet e grupeve të fokusit me ekspertët dhe specialistët e fushave për çështjet kyçe për të gjithë njerëzit në Kosovë, për të arritur zgjidhje funksionale, dhe njëkohësisht për të forcuar lidhjet e thella në mes fqinjëve dhe subjekteve të ndryshme.

Së bashku, pjesëmarrësit e Forumit identifikuan mënyra praktike për të siguruar angazhim konstruktiv, dhe mënyra për të mbështetur proceset në nivel lokal që duhet të plotësojnë diskutimet politike dhe negociatat në nivele të ndryshme.

Puna e vërtetë për të përkthyer këtë vizion në veprim, është tashmë në rrugë e sipër. Nuk ka mënyrë të shpejtë në rrugën që ju e keni përcaktuar, por është e mundshme dhe thelbësore që të caktohen prioritetet. Avancimi i rekomandimeve të Forumit do të kërkojë përpjekje të qëndrueshme dhe konsultime të vazhdueshme, me përfshirje të barabartë të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Ky është rrugëtimi që po shënojmë sot.

Kombet e Bashkuara mbesin të përkushtuara në rolin e tyre si partnerë të besueshëm në punën tuaj. Unë sot po ndaj me ju të dhënat e përditësuara për punën tonë në avancimin e rekomandimeve të Forumit.

Pas Lubjanës, u mbajtën gjashtë punëtori me pjesëmarrësi nga secili grup fokusi, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë për të diskutuar rekomandimet në mënyrë më të detajuar dhe për të identifikuar fushat prioritare të punës. Kjo ishte e nevojshme po ashtu për të arritur konsensus dhe për të finalizuar dokumentin përfundimtar. Në të njëjtën kohë, kemi zhvilluar konsultime të gjera me shumë partnerë ndërkombëtarë, për të marrë parasysh në mënyrë më të detajuar elementet plotësuese dhe sinergjitë me një varg të tërë të punëve që janë në vazhdim e sipër dhe aktiviteteve ekzistuese.

Këto përpjekje rezultuan në një ushtrim strukturues të drejtuar nga UNMIK-u në gusht, që ndihmoi në identifikimin e kornizave ekzistuese dhe jo-ekzistuese — qeveritare dhe joqeveritare — që lidhen me rekomandimet e Forumit, si dhe u detektuan dhe u trajtuan zbrazëtira dhe fusha të cilave aktualisht u është kushtuar vëmendje e pamjaftueshme.

Më lejoni të trajtoj vetëm disa fusha të punës që dalin nga rekomandimet e Forumit me detaje shtesë.

Ne po ndajmë një pjesë të konsiderueshme të burimeve tona këtë vit për zbatimin e shumicës së rekomandimeve të Forumit të Ndërtimit të Mirëbesimit, edhe pse zbatimi i të gjitha rekomandimeve do të marrë më shumë kohë. Aktualisht janë duke u shqyrtuar shumë projekte se si të shkohet përpara në kuadër të kornizës së planifikimit të rekomandimeve. Ne jemi në fazë të marrjes së vendimeve dhe ka filluar puna përgatitore për zbatimin e disa projekteve. Njëkohësisht, në fushën e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut, Fuqizimit të Rinisë, Grave dhe grupeve të tjera me interes jetik për shoqërinë, po ashtu kemi zotuar burime shumë të rëndësishme. Për ne në UNMIK, ky vit është vit i ndërtimit të mirëbesimit dhe Kombet e Bashkuara është e përqendruar në çështjet që shtrihen në të gjithë shoqërinë dhe që plotësojnë proceset politike në vazhdë e sipër.

Po përmend vetëm disa nga nismat shumë të rëndësishme:

  1. Jemi organizatorë të një sërë ngjarjesh dhe bisedash në mbarë Kosovën, duke përfshirë takimet me kryetarët e komunave dhe me zyrtarët e tjerë komunalë. Përmes bashkërendimit të përpjekjeve tona me proceset politike, do të drejtojmë bisedat e bazuara në informata për t’i ndihmuar një pjese më të gjerë të shoqërisë që të përfshihet në mënyrë më aktive në formësimin e vendimeve që përcaktojnë të ardhmen e tyre.
  2. Do të takohemi dhe do t’u japim hapësirë komuniteteve që të bashkohen përmes zhvillimit të platformës digjitale të Kosovës për ndërtimin e mirëbesimit, si mjet për ruajtjen e marrëdhënieve të krijuara në Lubjanë dhe për këmbimin e informatave, si dhe konceptualizimin dhe organizimin e projekteve të punës me qëllim të avancimit të zbatimit të rekomandimeve.
  3. Do të kontribuojmë në zhvillimin e një qendre të qëndrueshme të gjuhëve, ku të gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi financiarisht të përballueshme për të mësuar dhe përmirësuar njohuritë e tyre të gjuhës serbe dhe shqipe, duke u dhënë kështu studentëve, shërbyesve civilë dhe të tjerëve mundësinë për të qenë shumë më të gatshëm për punësim në të ardhmen.
  4. Përveç përpjekjeve të vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë, ne do të punojmë me partnerët në hartimin e strategjive për përkrahje të viktimave të dhunës gjinore, duke përfshirë edhe krijimin e mundësive për pjesëmarrje ekonomike dhe fuqizimin personal. Një nga çështjet kryesore të theksuar gjatë Forumit është fuqizimi i gruas në cilësinë e drejtueseve dhe mbështetëseve të ndërtimit të mirëbesimit. Edhe pse individët, organizatat dhe institucionet vizionare janë duke bërë punë të rëndësishme në avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave, prapëseprapë mbesin shumë sfida. Ne gjithashtu do të punojnë në avancimin e rolit të rinisë dhe të nxitësve të tjerë të ndryshimit në shoqërinë e Kosovës.

Nga 134 rekomandime të Forumit, tanimë janë duke u trajtuar 102 prej tyre, edhe pse pjesërisht, por asnjëri në të gjitha grupet etnike në tërë Kosovën. Nga gjithsej numri i rekomandimeve, 20 kërkojnë më shumë mendime, ndërsa rreth 50 rekomandime do të tentojmë t’i trajtojmë përmes propozimeve për aktivitete programatike. Së paku 75 për qind të rekomandimeve të grupit për Qasje në Drejtësi janë duke u trajtuar pjesërisht në kuadër të Programit tonë për drejtësi 2020, ndërsa të gjitha rekomandimet për çështjet gjinore janë duke u trajtuar nga partnerët e UNMIK-ut në zona të ndryshme gjeografike.

Për financimin e aktiviteteve programatike, aktivitetet lidhur me Gratë, Paqen dhe Sigurinë kanë marrë 16 për qind të investimit total; Sundimi i Ligjit ka marrë 43 për qind, ndërsa Ndërtimi i Mirëbesimit, duke përfshirë qendrën e gjuhëve, kanë marrë 41 për qind të investimit total.

Ndërtimi i mirëbesimit është në qendër të Kornizës së Integruar Strategjike të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe të fushës sonë prioritare për financimin e aktiviteteve programatike. Natyrisht, nismat e përshkruara përfaqësojnë vetëm një shembull ilustrues.

Më lejoni që edhe njëherë t’ju përgëzoj dhe falënderoj, pjesëmarrësit e Forumit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Mirëbesimit për përkushtimin tuaj personal në këtë proces. Po ashtu, dëshiroj të shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjitha palët e interesit — duke filluar nga organizatat komunitare lokale e deri te komuniteti ndërkombëtar i donatorëve — që të kontribuoni në të arriturat e procesit të Lubjanës dhe t’i identifikoni mundësitë për entitetet tuaja përkatëse për të kontribuuar në zbatimin e rekomandimeve dhe të ndihmoni në ruajtjen e dinamikës së ndërtimit të mirëbesimit.

Zonja dhe zotërinj,

Siç ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm, António Guterres në fjalimin e tij të fundit para sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme, “Bota jonë është duke vuajtur nga një sëmundje e ‘Çrregullimit të Deficitit të Mirëbesimit’”. Këtu në Kosovë, kanë kaluar afro njëzet vjet që kur Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për sigurimin e kushteve për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë qytetarët. Megjithatë, narrativat e konfliktit të nxitura nga mungesa e mirëbesimit vazhdojnë të nxisin dyshimin e ndërsjellë dhe tensionin mes grupeve etnike. Jeta ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike në pjesë të madhe mbetet e bazuar në identitet, dhe vijat ndarëse kanë lënë shumë njerëz të mbeten të papërfshirë në formësimin e së ardhmes së përbashkët. Madhësia dhe intensiteti i këtyre sfidave kërkojnë një përqasje të përbashkët. Siç shtoi Sekretari i Përgjithshëm në fjalimin e tij, “përballë kërcënimeve masive, ekzistenciale ndaj njerëzve dhe planetit—por njëkohësisht, në kohën e mundësive të jashtëzakonshme për prosperitet të përbashkët—nuk ka mënyrë tjetër të ecjes përpara veçse një veprimi kolektiv dhe të logjikshëm për të mirën e përbashkët. Kjo është mënyra se si mund ta rindërtojmë mirëbesimin.”

Ju mirëpres, ju liderë dhe të gjithë partnerët për paqe dhe siguri në Kosovë, që të na bashkoheni në çuarjen përpara të rekomandimeve të Forumit, si udhëzues për të gjitha përpjekjet tona të përbashkëta drejt pajtimit afatgjatë. E ardhmja jonë është tek solidariteti. Ka ende shumë punë për të bërë dhe unë jam i bindur që së bashku ne do të ecim përpara në mënyrë efektive, më larg dhe më shpejt.

Rrugëtimi i ndërtimit të urave mes njerëzve dhe komuniteteve ka të bëjë me zhvendosjen prej bashkëbisedimit të ngrirë, te komunikimi i mirëfilltë, te bashkërendimi i nevojshëm dhe te bashkëpunimi i vërtetë. Ne jemi në mes të këtij rrugëtimi dhe, siç kam thënë në Lubjanë, tani është koha të organizojmë të ardhmen dhe jo thjesht të vajtojmë të shkuarën.

Ju faleminderit.