Komunikatë për media – Raportim për Këshillin e Sigurimit
20 tetor 2026 – Sot, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), Peter Due, informoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi situatën në Kosovë, duke dhënë një pasqyrë të zhvillimeve të fundit.
PSSP-ja theksoi rritjen e tensioneve dhe fërkimeve lidhur me çështjet ndërkomunale dhe ato pronësore, përfshirë rrënimet e objekteve dhe dëbimet nga to në veri të Kosovës dhe gjetkë, duke ngritur shqetësime për të drejtat e pronës, procedurat e rregullta ligjore dhe ndikimet socio-ekonomike mbi komunitetet dhe bizneset vendore. Ai gjithashtu vuri në dukje ngecjen në riintegrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës, kufizimet në lirinë e shprehjes – përfshirë përdorimin e shenjave, simboleve dhe gjuhëve që lidhen me komunitetet joshumicë – si dhe sfidat e vazhdueshme lidhur me mbylljen e institucioneve të shëndetësisë dhe arsimit që drejtohen nga Serbia, si dhe të Kishës Ortodokse Serbe. “Të marra veç e veç, disa nga këto zhvillime mund të duken administrative ose të kufizuara në një zonë të caktuar. Por, të marra së bashku, ato përforcojnë ndjesinë e pasigurisë dhe të trajtimit të pabarabartë mes serbëve të Kosovës, duke minuar besimin dhe duke ndikuar në karakterin multietnik të Kosovës,” tha ai.
PSSP-ja Due përmendi miratimin nga Kuvendi i Kosovës të amendamenteve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat kufizojnë kompetencat e tyre, duke theksuar shqetësimin e thellë të BE-së lidhur me këtë veprim. “Gjithashtu, theksoj se të akuzuarit e ruajnë të drejtën e apelit. Integriteti dhe pavarësia e procesit gjyqësor duhet të respektohen. Çdo veprim legjislativ duhet të jetë plotësisht në përputhje me detyrimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës,” tha ai.
Ai përsëriti thirrjen për bashkëpunim të plotë nga autoritetet në Beograd dhe Prishtinë, me qëllim që të vihen para përgjegjësisë autorët e sulmeve në Banjskë në vitin 2023, si dhe të sulmit ndaj kanalit ujor Ibër-Lepenc në vitin 2024. PSSP-ja gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve që çështja e personave të zhdukur të trajtohet duke u përqendruar te viktimat dhe pa u politizuar, duke pasur parasysh se fati i 1.577 personave mbetet ende i panjohur. “Gërmimet e fundit dhe identifikimi i mbetjeve mortore sollën njëfarë qetësie për familjet e prekura, ndërkohë që shërbyen si një kujtesë për vuajtjet e vazhdueshme të atyre që ende presin përgjigje”, tha ai.
PSSP përshëndeti ngrohtësishtzgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si Presidente e Kosovës më 6 tetor dhe ishte i inkurajuar nga formimi i institucioneve dhe se bllokimi politik duket se është tejkaluar, duke theksuar se prioriteti i tanishëm është përkthimi i këtij progresi në qeverisje efektive për të gjitha komunitetet.
PSSP Due i bëri jehonë thirrjeve të Sekretarit të Përgjithshëm për përparim të ripërtërirë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. “Unë i inkurajoj të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive, të zbatojnë marrëveshjet e arritura tashmë, duke përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, dhe të ndërmarrin hapa që ndihmojnë në ndërtimin e besimit dhe uljen e tensioneve”, deklaroi ai.
Duke theksuar aktivitetet programatike të UNMIK-ut dhe angazhimin me udhëheqësit politikë, fetarë dhe të komunitetit, si dhe të rinjtë dhe gratë, PSSP Due riafirmoi angazhimin e UNMIK-ut për të nxitur dialogun, për të forcuar besimin dhe për të promovuar angazhimin gjithëpërfshirës në të gjitha komunitetet.
Në përfundim, ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm ndërkombëtar në Kosovë dhe në rajon, pavarësisht sfidave në vende të tjera. “Përgjegjësia jonë e përbashkët është të punojmë për pajtimin dhe normalizimin, në mënyrë që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të marrin pjesë plotësisht dhe me besim në jetën publike, me respekt për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe karakterin shumetnik të Kosovës”, përfundoi ai.





