GJENEVË (22 tetor 2013) - Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për Persona të Zhvendosur Brenda Vendit ( PZHBV), Chaloka Beyani, u bëri thirrje Qeverisë së Serbisë dhe autoriteteve në Kosovë për të bashkëpunuar dhe për t’u liruar nga përgjegjësia parësore për zbatimin e zgjidhjeve afatgjata për PZHBV-të në Serbi dhe në Kosovë.
"Koha është e favorshme që tani të zbatohen zgjidhje të qëndrueshme, 15 vjet pas zhvendosjes së zgjatur”, Z. Beyani deklaroi në fund të një vizite zyrtare në vend. "Si Qeveria e Serbisë dhe autoritetet në Kosovë duhet të tregojnë udhëheqje politike për të punuar drejt zbatimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur brenda vendit."
Eksperti ndërkombëtar për të drejtat e njeriut theksoi se Qeveria e Serbisë dhe autoritetet në Kosovë, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për zgjidhjen e problemeve të PZHBV-ve në kontekst të kornizës së aderimit në Bashkimin Evropian, i cili sajon plane lidhur me bisedimet për anëtarësim në BE.
Ekzistojnë ende rreth 97.000 të zhvendosur nga Kosova me nevoja të vazhdueshme që kanë të bëjnë me zhvendosjen, sipas një vlerësimi të përbashkët të nevojave të personave të zhvendosur nga viti 2011, të kryer nga autoritetet serbe dhe nga Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara. Në mesin e kësaj popullate në nevojë, ekzistojnë mijëra të zhvendosur romë të cilët janë më të lëndueshmit dhe kanë nevoja specifike dhe shqetësime lidhur me mbrojtjen, e sidomos për dokumentacione, kërkesa të banimit dhe qasje në shërbimet sociale.
"Çelësi për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme në të dyja fushat qëndron në sigurimin e strehimit të qëndrueshëm për të gjithë persnat e zhvendosur brenda vendit për sa u përket mjeteve të jetesës, sidomos të atyre që krijojnë të ardhura, punësimit, shëndetësisë, arsimit, ujit dhe energjisë", Z. Beyani tha. Katërmbëdhjetë vjet pas zhvendosjes, shumë fëmijë dhe familje janë rrënjosur në vendet e tyre të zhvendosjes, pavarësisht nga rrethanat shpeshherë të pasigurta ekonomike.
"Nevoja më e ngutshme është të përmirësohet jetesa e personave të zhvendosur brenda vendit në vendndodhjen e tyre aktuale dhe t’u ofrohen shërbime adekuate sidomos me energji elektrike duke marrë parasysh se dimëri po afrohet", theksoi Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara, duke mirëpritur faktin se "ekziston një sinqeritet i madh për të marrë parasysh integrimin lokal si një zgjidhje të qëndrueshme, së bashku me kthimin dhe strehimin aty ku është e mundshme."
Ai shpjegoi se çështjet e tjera për t’u adresuar në këtë kontekst përfshijnë "zgjidhjen e efektshme të kontesteve pronësore, rimëkëmbjen e pronës, aty ku është e mundshme, në vendet e prejardhjes dhe kompensimin e efektshëm aty ku prona nuk mund të rimëkëmbet."
Raportuesi Special, po ashtu, inkurajoi Qeverinë e Serbisë dhe autoritetet e Kosovës që të bashkëpunojnë për sa i përket regjistrimit të personave të zhvendosur brenda vendit të pranueshëm si votues dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale këtë vit dhe në zgjedhjet parlamentare në vitin e ardhshëm.
Duke falënderuar Qeverinë e Serbisë dhe autoritetet në Kosovë për ftesën që i kanë bërë, Raportuesi Special i përgëzoi për përpjekjet e tyre pozitive, për gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për PZHBV-të njëherë e mirë.
Vizita katërditore e Raportuesit Special e solli atë në Beograd dhe në Prishtinë, ku ai u takua me përfaqësues të Qeverisë, me autoritete të institucioneve të Kosovës, me Kombet e Bashkuara dhe, ndër të tjera, edhe me shoqërinë civile. Ai, po ashtu, vizitoi vende të ndryshme me persona të zhvendosur me ç’rast u takua me ta dhe me autoritetet lokale.
Në qershor të vitit 2014, Z. Beyani do ta prezantojë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara një raport gjithëpërfshirës lidhur me vizitën e tij.
(*) Referenca për Kosovën duhet të kuptohet në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
-FUND-
Chaloka Beyani, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Shkollën e Londrës për Ekonomi, u emërua Raportues Special për të Drejtat e Njeriut të Personave të Zhvendosur Brenda Vendit nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në shtator të vitit 2010. Si Raportues Special, ai është i pavarur nga cilado qeveri ose organizatë dhe shërben në cilësi individuale. Për të mësuar më tepër, vizitoni: http://www.ohchr.org/EN/Issues/IDPersons/Pages/IDPersonsIndex.aspx
