Zyra rajonale e UNMIK-ut në Mitrovicë

Zyra rajonale e UNMIK-ut në Mitrovicë, që përfshin selinë rajonale, zyrat në tri komunat veriore dhe Administratën e UNMIK-ut në Mitrovicë (AUM), përpiqet të lehtësojë marrëdhëniet paqësore ndëretnike dhe bën vizita të rregullta për avancimin e pajtimit ndëretnik.   

Zyra regjionale siguron bashkërendim të efektshëm të aktiviteteve përmes ndërveprimeve të shpeshta me udhëheqësit e komunitetit dhe ata politikë, si dhe me partnerët ndërkombëtarë që kanë mandatet e caktuara. Përmes këtyre përpjekjeve ndihmohet në monitorimin e fokusuar në për çështjet e ndërlidhura me sigurinë, duke përfshirë ato që ndikojnë në lirinë e lëvizjes, dhe krijojnë mekanizmin, përmes të cilit tentohet avancimi dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në regjion.    

Zyrat komunale të UNMIK-ut funksionojnë në baza ditore si ndërmjetësues mes udhëheqësve komunalë nga veriu dhe komunitetit pakicë të shqiptarëve në veri, duke ofruar kështu një kanal komunikimi për të dyja palët. Gjatë këtyre veprimtarive, MRO vë theksin në depolitizimin e çështjeve dhe kërkon zgjidhje praktike në përputhje me ligjet në fuqi.      

Zyra regjionale gjithashtu krijon mundësi për udhëheqësit e të dyja anëve të lumit Ibër që së bashku të trajtojnë problemet e përditshme të të gjitha komuniteteve në regjion, duke përfshirë furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Kjo Zyrë gjithashtu realizon aktivitete ndërlidhëse me palët nga fusha e zhvillimit ekonomik dhe me donatorët potencialë me qëllim të avancimit të nismave për zhvillim ekonomik në regjionin e Mitrovicës, duke identifikuar nevojat dhe fushat prioritare për zhvillim.    

Funksionet dhe karakteristikat specifike të Administratës së UNMIK-tu në Mitrovicë (AUM) janë të cekura dhe të parapara në Udhëzimin administrativ 2007/12 për zbatimin e Rregullores së ndryshuar të UNMIK-ut nr. 2000/45 për vetëqeverisjen e komunave në Kosovë. Megjithatë, pas krijimit të komunës së Mitrovicës së Veriut si  rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit (prill 2013) mes Beogradit dhe Prishtinës, AUM ka ridefinuar rolin e saj, i cili tani fokusohet më shumë në lehtësim, parandalim të konfliktit dhe ndërmjetësim, duke vazhduar njëkohësisht edhe disa nga funksionet e saj të mëparshme.