Sundimi i ligjit në Kosovë dhe mandati i UNMIK-ut

 

Patrolla e Policisë së UNMIK-ut, Tetor 1999 - UNMIK Photo Archives

UNMIK-u u vendos në Kosovë për të shërbyer si prezencë ndërkombëtare civile dhe ushtarake pas miratimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të KB-së 1244 në qershor të vitit 1999. Sa u përket çështjeve të sundimit të ligjit, në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të datës 12 korrik 1999 (S/1999/779) thuhet se sistemi gjyqësor ishte “rrënuar” dhe se kishte “nevojë urgjente për të ndërtuar sundim të vërtetë të ligjit në Kosovë, duke përfshirë edhe përmes rindërtimit të menjëhershëm të një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe shumetnik.” 

Trajnimi i policisë, tetor 1999 nga arkivi i UNMIK-ut  

Gjatë viteve pasuese, UNMIK-u ka përkrahur realizimin e disa të arriturave në fushën e sundimit të ligjit. Këto përfshijnë:

  • Themelimin e Departamentit të Çështjeve  Gjyqësore (DOJ) në korrik të vitit 1999, i cili më vonë u bë Departamenti i Drejtësisë në vitin 2001. Mandati kryesor i DD ishte të ndërtonte një gjyqësor shumetnik, të pavarur, të paanshëm dhe kompetent, duke siguruar ndjekjen penale dhe dënimin e krimeve të organizuara dhe atyre ndëretnike me mbështetjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë. DD shërbeu si faktor kryesor për gjetjen e personave të zhdukur për shkak të konfliktit nga të gjitha komunitetet, për mbështetjen e qasjes në drejtësi dhe për ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve të përfaqësimit të viktimave të krimit;
  • Shërbimet e prokurorisë dhe seksioni i administrimit të gjykatave në DD kanë luajtur rol udhëheqës në krijimin e më shumë se 60 gjykatave dhe prokurorive publike në mbarë Kosovën me përafërsisht 1,500 gjyqtarë, prokurorë dhe personel gjyqësor administrativ. DD u zgjerua për të përfshirë Njësinë për politika ligjore (që më vonë u bë Sektori për politika ligjore), Sektorin për zhvillime gjyqësore, Zyrën për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, dhe Zyrën e prokurorëve ndërkombëtarë /Sektori penal, që u përqendrua në hetimin e krimeve të luftës dhe atyre ndëretnike. Përveç kësaj, DD funksionalizoi tetë objekte korrektuese  dhe ndihmoi në themelimin e Departamentit për çështje ligjore në Ministrinë e Drejtësisë;
  • Autorizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë për të trajtuar rastet e korrupsionit, krimit të organizuar, veprave penale të motivuara nga prejardhja racore, religjioze, nacionale apo etnike, terrorizmin, krimet e luftës, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimet tjera që kërcënojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe vendosjen e qëndrueshme të sundimit të ligjit. Kjo përfshirje e personelit gjyqësor ndërkombëtarë promovoi gjykimin e pavarur të këtyre krimeve të rënda;
  • Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës u themeluan në vitin 2005;
  • Edhe disa institucione të tjera të sundimit të ligjit u themeluan në vitin 2007, që përfshinin Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Komisionin për ndihmë ligjore.

PSSP Berbard Kouchner dhe Zv/i Parë i PSSP Tom Koenigs vendosin tabelat e para kosovare të regjistrimit Shënim: Nga arkivi i UNMIK-ut 

UNMIK-u u ristrukturua në vitin 2008 dhe detyrat e tij ekzekutive në sundimin e ligjit u bartën tek Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pajtim me deklaratën e Kryetarit të Këshillit të Sigurimit më 26 nëntor 2008 (S/PRST/2008/44). Sot, UNMIK-u përbëhet nga stafi ndërkombëtarë dhe ai civil, duke përfshirë monitoruesit e policisë dhe të ushtrisë.