Alda Malko, UNMIK Legal Officer UNMIK Photo: Shpend Berbatovci
1. Na tregoni diçka për ju
Unë jam nga Shqipëria. Pasi u diplomova në Fakultetin e drejtësisë në Tiranë në vitin 2008, punova për disa vite si konsulente ligjore, si avokate dhe si agjente përmbarimi. Puna në një ambient ligjor dhe sundim të ligjit ishte kënaqësi e madhe për mua, por në një moment të caktuar e pashë se doja diçka ndryshe me më shumë sfida dhe doja të isha pjesë e një gjëje më të madhe. Andaj, vendosa se ambienti ndërkombëtar duhej të ishte sfida e radhës. Rrjedhimisht, u regjistrova në Programin e Kombeve të Bashkuara për vullnetarë dhe ja ku jam. Në tetor të vitit 2015, më caktuan që të punoj në UNMIK.
2. Çka e nxiti dëshirën tuaj që të bëheni vullnetare?
Unë mendoj se vullnetarizmi gjithmonë ka qenë pjesë e imja. Që nga vitet e rinisë më kujtohet se isha e përfshirë në iniciativa duke ndihmuar të tjerët dhe duke krijuar një ambient më të mirë rreth meje. Më vonë, si studente, unë u angazhova në organe përfaqësimi të studentëve. Pasi fillova karrierën time profesionale kisha më pak kohë për t’ua kushtuar aktiviteteve vullnetare, por asnjëherë nuk u ndala duke u marrë me aktivitete të tilla. Gjithmonë ndjehesha se mund të bëj më shumë, kështu që isha shumë e gëzuar kur u caktova si vullnetare e KB-së në UNMIK. Që nga koha kur jam këtu, jam përpjekur të kontribuoj jo vetëm në detyrat e mia që lidhen me punën, por edhe në aktivitete që nuk lidhen me punën time të organizuara në këtë mision, siç janë organizimi i banketit për festat e fund vitit, grumbullimi i donacioneve për kampet e refugjatëve, etj. Jam shumë krenare që jam vullnetare e Kombeve të Bashkuara dhe për këtë më nxit citati im i preferuar për vullnetarizmin që është: “Ata që munden bëjnë. Ata që mund të bëjnë më shumë paraqiten vullnetar.”
3. Si ju duket të punoni për UNMIK-un?
Organizata e KB-së ka vlera shumë të larta dhe unë jam e privilegjuar të jem pjesë e saj. Është mrekulli të punosh në një ambient ndërkombëtar me njerëz nga mbarë globi me prejardhje të ndryshme etnike, religjioze dhe profesionale, duke përfshirë vendorët të cilët punojnë drejt një objektivi të përbashkët: paqe dhe prosperitet. Po të mund ta përmblidhja përvojën time në një fjali ajo do të ishte: Më pëlqen!
4. Çka bëni si zyrtare ligjore në Seksionin e drejtësisë?
Funksioni kryesor i Seksionit të drejtësisë është të mundësojë bashkëpunimin në mes të institucioneve relevante në Prishtinë dhe Beograd dhe shteteve që nuk e njohin Kosovën, për çështje të sundimit të ligjit dhe fuqizimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, në pajtim me normat dhe standardet ndërkombëtare dhe rajonale të drejtësisë penale dhe të drejtave të njeriut. Një pjesë e punës time të përditshme ka të bëjë me procedimin e kërkesave për ndihmë ligjore ndërkombëtare dhe certifikimin e dokumenteve; monitorimin dhe raportimin për ngjarjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit; ofrimi i këshillave strategjike dhe i analizave ligjore.
5. Si folëse e gjuhës shqipe si përshtateni në këtë mjedis?
Po, të qenit folëse e gjuhës shqipe pa dyshim se e bën jetën më të lehtë në Kosovë, posaçërisht në punën time të përditshme. Meqë unë duhet të monitoroj ngjarje të ndryshme që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe shpesh marr pjesë në diskutime dhe në tryeza të rrumbullakëta që mbahen në gjuhën shqipe, unë mund të punoj më shpejt pa pasur nevojë për interpretim. Përveç kësaj, një numër i madh i dokumenteve me të cilat unë punoj janë në gjuhën shqipe dhe jo gjithmonë me përkthim përkatës të bashkëngjitur. Në rastet e tilla është shumë e dobishme të mund të kuptosh tekstin pa vonesa. Në jetën time të përditshme, jashtë zyrës, të qenit në gjendje të flas me njerëz në gjuhën time amtare më bën të ndihem si në shtëpi.
Intervistuar nga Shpend Berbatovci, Zyra për Komunikime Strategjike dhe Marrëdhënje me Publik.