Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara

United Nations Security Council
 

S/RES/1244 (1999)

10 Qershor 1999 

REZOLUTA 1244 (1999)

Miratuar nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e vet të 4011-të, më 10 qershor 1999.

Këshilli i Sigurimit,

Duke pasur parasysh qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe përgjegjësinë primare të Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare,

Duke rikujtuar rezolutat 1160 (1998) të datës 31 mars 1998, 1199 (1998) të datës 23 shtator 1998, 1203 (1998) të datës 24 tetor 1998 dhe 1239 (1999) të datës 14 maj 1999,

Duke shprehur keqardhje që kërkesat e këtyre rezolutave nuk janë zbatuar plotësisht,

I vendosur për ta zgjidhur situatën e rëndë humanitare në Kosovë, Republika Federale e Jugosllavisë, dhe për ta siguruar kthimin e lirë dhe të sigurt të të gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre,

Duke dënuar të gjitha aktet e dhunës kundër popullit të Kosovës si dhe të gjitha aktet terroriste nga cilado palë,

Duke rikujtuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të datës 9 prill 1999, në të cilën shprehej brengosje për tragjedinë humanitare që po ndodhte në Kosovë,

Duke ripohuar të drejtën e të gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në siguri,

Duke rikujtuar juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë,

Duke mirëpritur parimet e përgjithshme për një zgjidhje politike të krizës së Kosovës, të miratuara më 6 maj 1999 (S/1999/516, aneksi 1 i kësaj Rezolute) dhe duke mirëpritur gjithashtu pranimin nga ana e Republikës Federale të Jugosllavisë të parimeve të parashtruara në pikat 1 deri 9 të dokumentit të paraqitur në Beograd më 2 qershor 1999 (S/1999/649, aneksi 2 i kësaj Rezolute), si dhe pajtimin e RFJ-së për atë dokument,

Duke ripohuar zotimin e të gjitha shteteve anëtare për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të RFJ-së dhe të shteteve të tjera në rajon, siç është parashtruar në Aktin Përfundimtar të Helsinkit dhe në aneksin 2,

Duke ripohuar thirrjen në rezolutat e mëparshme për një autonomi përmbajtësore dhe për vetadministrim domethënës për Kosovën,

Duke përcaktuar se gjendja në rajon vazhdon të paraqesë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

I vendosur për ta garantuar sigurinë e personelit ndërkombëtar dhe zbatimin nga të gjitha palët e përfshira

- të përgjegjësive të tyre në bazë të kësaj Rezolute, dhe duke vepruar për këto qëllime sipas Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara

1.      Vendos që zgjidhja politike e krizës së Kosovës të bazohet në parimet e përgjithshme në aneksin 1 dhe siç shtjellohet më tutje në parimet dhe elementet e tjera që kërkohen në aneksin 2;

2.      Mirëpret pranimin nga ana e RFJ-së të parimeve dhe të elementeve të tjera të cekura në paragrafin 1 më sipër, dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të RFJ-së për zbatimin e tyre të shpejtë;

3.      Kërkon në veçanti që RFJ t’i japë fund menjëherë dhe në mënyrë të verifikueshme dhunës dhe represionit në Kosovë, dhe të fillojë tërheqjen e plotë dhe të verifikueshme sipas fazave të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare në bazë të një orari të caktuar, me të cilin do të sinkronizohet vendosja e pranisë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë;

4.      Vërteton se pas tërheqjes do t’i lejohet kthimi një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav dhe serb në Kosovë për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2;

5.      Vendos për dërgimin në Kosovë, nën mbikëqyrjen e OKB-së, të një pranie civile ndërkombëtare dhe të sigurisë, me pajisjet përkatëse dhe personelin e kërkuar, dhe mirëpret pajtimin e RFJ-së për një prani të tillë;

6.      Kërkon që Sekretari i Përgjithshëm ta caktojë, në konsultim me Këshillin e Sigurimit, një përfaqësues special për ta kontrolluar zbatimin e pranisë civile, dhe kërkon më tej që Sekretari i Përgjithshëm ta udhëzojë Përfaqësuesin e tij Special që të bashkëpunojë ngushtë me praninë ndërkombëtare të sigurisë në mënyrë që të sigurojë se të dy palët do të veprojnë për të njëjtat qëllime dhe do ta përkrahin njëra-tjetrën në mënyrë reciproke;

7.      Autorizon shtetet anëtare dhe organizatat relevante ndërkombëtare për të vendosur një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, siç parashihet në pikën 4 të aneksit 2, me të gjitha mjetet e nevojshme për t’i përmbushur përgjegjësitë e veta të parashtruara në paragrafin 9 më poshtë;

8.      Pohon nevojën për vendosjen e hershme dhe të shpejtë të një pranie efektive ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë dhe kërkon që palët të bashkëpunojnë plotësisht në vendosjen e tyre;

9.      Vendos që përgjegjësitë e pranisë ndërkombëtare të sigurisë që do të vendoset dhe do të veprojë në Kosovë të përfshijnë:

a) Pengimin e ripërtëritjes së armiqësive, ruajtjen dhe, atje ku është e nevojshme imponimin e  armëpushimit, si dhe sigurimin e tërheqjes dhe parandalimin e kthimit në Kosovë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare të Federatës dhe të Republikës, përveç siç është paraparë në pikën 6 të aneksit 2;

b) Demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të grupeve të tjera të armatosura të shqiptarëve të Kosovës siç kërkohet në paragrafin 15 më poshtë;

 c) Krijimin e një ambienti të sigurisë në të cilin refugjatët dhe personat e zhvendosur mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre, ku mund të funksionojë prania civile ndërkombëtare, ku mund të krijohet një administratë kalimtare, dhe ku mund të shpërndahen ndihmat humanitare;

                                          d) Garantimin e sigurisë dhe të rendit publik derisa prania civile ndërkombëtare të mund ta marrë përgjegjësinë për këtë detyrë;

                                         e) Mbikëqyrjen e procesit të çminimit derisa prania civile ndërkombëtare të mund ta marrë përgjegjësinë për këtë detyrë;

f) Përkrahjen, si të shihet e përshtatshme, dhe bashkëpunimin e ngushtë me punën e pranisë civile ndërkombëtare;

                                         g) Kryerjen e detyrave vëzhguese në kufi siç kërkohet;

                                         h) Sigurimin e mbrojtjes dhe të lirisë së lëvizjes për vete, praninë civile ndërkombëtare dhe për organizatat e tjera ndërkombëtare;

 

10. Autorizon Sekretarin e Përgjithshëm, që me ndihmën e organizatave të tjera relevante ndërkombëtare, ta krijojë një prani civile ndërkombëtare në Kosovë në mënyrë që të vendosë një administratë të përkohshme për Kosovën nën të cilën populli i Kosovës mund të gëzojë autonomi përmbajtësore në kuadër të RFJ-së, dhe e cila do të sigurojë administrim kalimtar gjersa themelon dhe mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve të përkohshme demokratike vetëqeverisëse për të siguruar kushte për një jetë normale dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës;

11. Vendos që përgjegjësitë kryesore të pranisë civile ndërkombëtare të përfshijnë:

a) Përkrahjen për krijimin e një autonomie dhe vetëqeverisjeje përmbajtësore në Kosovë deri në zgjidhjen përfundimtare, duke marrë tërësisht parasysh aneksin 2 dhe marrëveshjet e Rambujesë (S/1999/648);

b) Kryerjen e funksioneve themelore civile administrative aty ku ka nevojë dhe për aq kohë sa kërkohet;

c) Organizimin dhe mbikëqyrjen e zhvillimit të institucioneve të përkohshme për vetëqeverisje demokratike dhe autonome deri në zgjidhjen politike, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e zgjedhjeve;

d) Bartjen e përgjegjësive të veta administrative institucioneve që do të themelohen, duke mbikëqyrur dhe përkrahur konsolidimin e institucioneve të përkohshme lokale të Kosovës dhe të aktiviteteve të tjera për ndërtimin e paqes;

e) Të ndihmohet një proces politik me qëllim të përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës, duke marrë parasysh marrëveshjet e Rambujesë (S/1999/648);

f) Në një fazë përfundimtare, mbikëqyrjen e kalimit të pushtetit nga institucionet e përkohshme të Kosovës tek institucionet e themeluara me marrëveshje politike;

g) Përkrahjen për rindërtimin e infrastrukturës kyçe dhe për rindërtimin tjetër ekonomik;

h) Përkrahjen, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare humanitare, për ndihmën humanitare dhe ndihmën në raste të fatkeqësive;

i) Ruajtjen e ligjit dhe të rendit, përfshirë këtu themelimin e forcave policore lokale, dhe ndërkohë përmes vendosjes së personelit policor ndërkombëtar që të shërbejë në Kosovë;

j) Mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të njeriut;

k) Garantimin e kthimit të shpejtë dhe të papenguar të të gjithë refugjatëve dhe personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre në Kosovë;

12. Thekson nevojën për operacione të koordinuara të ndihmave humanitare, dhe që RFJ-ja të lejojë hyrjen e papenguar në Kosovë të organizatave për ndihma humanitare, si dhe të bashkëpunojë me organizata të tilla në mënyrë që të sigurohet shpërndarja e shpejtë dhe efektive e ndihmave ndërkombëtare;

13. Inkurajon të gjitha shtetet anëtare dhe organizatat ndërkombëtare që t’i kontribuojnë rindërtimit ekonomik dhe shoqëror, si dhe kthimit të sigurt të refugjatëve dhe të personave të zhvendosur, dhe në këtë kontekst thekson rëndësinë për thirrjen e një konference ndërkombëtare të donatorëve, posaçërisht për qëllimet e cekura në paragrafin 11 (g) më lartë, dhe atë sa më shpejtë që të jetë e mundur;

14. Kërkon bashkëpunim të plotë nga të gjitha palët, duke përfshirë edhe praninë ndërkombëtare të sigurisë, me Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë;

15. Kërkon që UÇK-ja dhe grupet e tjera të armatosura të shqiptarëve të Kosovës t’i ndalin menjëherë të gjitha aksionet sulmuese dhe t’i përmbushin kërkesat për demilitarizim, siç është paraparë nga kryesuesi i pranisë ndërkombëtare të sigurisë në konsultim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm;

16. Vendos që ndalimet e parapara me paragrafin 8 të Rezolutës 1160 (1998) nuk do të zbatohen për armët dhe pajisjet përkatëse që përdoren nga prania civile ndërkombëtare dhe e sigurisë;

17. Mirëpret punën e Bashkimit Evropian dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare për të zhvilluar një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e rajonit të prekur nga kriza e Kosovës, duke përfshirë zbatimin e një Pakti të Stabilitetit për Evropën Juglindore me pjesëmarrje të madhe ndërkombëtare, në mënyrë që më tutje të zhvillohen demokracia, përparimi ekonomik, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal;

18. Kërkon që të gjitha shtetet në rajon të bashkëpunojnë tërësisht në zbatimin e të gjitha aspekteve të kësaj rezolute;

19. Vendos që prania civile ndërkombëtare dhe e sigurisë, e cila është themeluar për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, të vazhdojë me punë edhe pas kësaj periudhe pos nëse Këshilli i Sigurimit vendos ndryshe;

20. Kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm që t’i raportojë Këshillit në intervale të rregullta për zbatimin e kësaj rezolute, përfshirë këtu raportet nga udhëheqësit e pranisë civile ndërkombëtare dhe të sigurisë, dhe që raportet e para të dorëzohen 30 ditë pas miratimit të kësaj rezolute;

21. Vendos të mbetet aktivisht i angazhuar në këtë çështje.

 

Aneksi I

Deklaratë e Kryetarit mbi përfundimin e mbledhjes së ministrave të punëve të jashtme të Grupit G-8 të mbajtur në Qendrën Petersburg më 6 maj 1999

Ministrat e punëve të jashtme të grupit G-8 miratuan parimet e përgjithshme vijuese për zgjidhjen politike të krizës së Kosovës:

- Ndalja e menjëhershme dhe e verifikueshme e dhunës dhe represionit në Kosovë;

- Tërheqja e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare nga Kosova;

- Vendosja në Kosovë e një pranie efektive civile ndërkombëtare dhe të sigurisë, e mbështetur dhe e miratuar nga Kombet e Bashkuara, e aftë për të garantuar arritjen e qëllimeve të përbashkëta;

- Krijimi i një administrate të përkohshme për Kosovën që do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të siguruar kushte për një jetë në paqe dhe normale për të gjithë banorët në Kosovë;

- Kthimi i sigurt dhe i lirë i të gjithë refugjatëve dhe personave të zhvendosur dhe ardhja e papenguar në Kosovë e organizatave për ndihma humanitare;

- Një proces politik drejt krijimit të një marrëveshjeje të përkohshme politike që mundëson për një vetëqeverisje përmbajtësore për Kosovën, duke marrë në tërësi parasysh marrëveshjet e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të RFJ-së dhe të vendeve të tjera në rajon, si dhe demilitarizimin e UÇK-së;

 - Qasje të gjithanshme zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të rajonit të përfshirë nga kriza.
 

Aneksi 2

Marrëveshja duhet të arrihet në bazë të parimeve të mëposhtme për të shkuar drejt zgjidhjes së krizës së Kosovës:

1. Ndalja e menjëhershme dhe e verifikueshme e dhunës dhe represionit në Kosovë.

2. Tërheqja e verifikueshme e të gjitha forcave ushtarake, policore dhe paramilitare nga Kosova sipas një orari të shpejtë.

3. Vendosja në Kosovë e një pranie efektive civile ndërkombëtare dhe të sigurisë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, që do të veprojë sipas kapitullit VII të Kartës së KB-ve, e aftë për të garantuar arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

4. Prania ndërkombëtare e sigurisë, e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-së, duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të të gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre.

5. Krijimi i një administrate të përkohshme për Kosovën si pjesë e një pranie civile ndërkombëtare, nën të cilën populli i Kosovës mund të gëzojë autonomi përmbajtësore në kuadër të RFJ-së, do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Administrata e përkohshme duhet të sigurojë administrimin kalimtar gjersa krijon dhe mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve përkohshme demokratike vetëqeverisëse për të siguruar kushte për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.

6. Pas tërheqjes, një numri të caktuar të personelit serb dhe jugosllav do t’i lejohet kthimi në Kosovë për t’i kryer funksionet e mëposhtme:

- Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

- Shënjimi/pastrimi i fushave të minuara;

- Mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe;

- Mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

7. Kthimi i lirë dhe i sigurt i të gjithë refugjatëve dhe i personave të zhvendosur, nën mbikëqyrjen e Zyrës së Komesariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe ardhja e papenguar në Kosovë e organizatave për ndihmë humanitare.

8. Një proces politik drejt krijimit të një marrëveshjeje të përkohshme politike që mundëson vetëqeverisje përmbajtësore për Kosovën, duke marrë në tërësi parasysh marrëveshjet e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të RFJ-së dhe të vendeve të tjera në rajon, si dhe demilitarizimin e UÇK-së. Negociatat ndërmjet palëve për arritjen e një zgjidhjeje nuk do të duhej ta vononin apo pengonin krijimin e institucioneve demokratike vetëqeverisëse.

9. Qasje të gjithanshme zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të rajonit të përfshirë nga kriza. Kjo do të përfshijë zbatimin e një pakti të stabilitetit për Evropën Juglindore me pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare në mënyrë që më tutje të zhvillohen demokracia, përparimi ekonomik, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.

10. Pezullimi i aktiviteteve ushtarake do të kërkojë pranimin e parimeve të cekura më lartë përveç marrëveshjes për elemente të tjera të kërkuara, të caktuara më parë, të cilat janë saktësuar në fusnotën e mëposhtme.1[1]] Më vonë do të përfundohet me shpejtësi një marrëveshje ushtarake-teknike, e cila do t’i përcaktojë, ndër të tjera, modalitetet plotësuese, duke përfshirë rolet dhe funksionet e personelit jugosllav/serb në Kosovë:

 

Tërheqja

- Procedurat për tërheqje, përfshirë këtu orarin e detajuar dhe në faza, dhe përcaktimin e zonës neutrale në Serbi përtej së cilës forcat do të tërhiqen;

Personeli që do të kthehet

- Pajisjet lidhur me personelin që do të kthehet;

- Kushtet e përgjithshme të përgjegjësive të tyre funksionale;

- Orari i kthimit të tyre;

- Përcaktimi i zonave gjeografike të veprimit të tyre;

- Përcaktimi i rregullave të marrëdhënieve të tyre me praninë e sigurisë ndërkombëtare dhe misionin civil ndërkombëtar.
 

Shënime

1[1] Elemente të tjera të kërkuara:

- Një orar i shpejtë dhe preciz për tërheqje, që nënkupton p.sh. 7 ditë për tërheqje të plotë, dhe 48 orë për tërheqje të armëve për mbrojtje kundërajrore në një zonë reciproke të sigurisë prej 25 km;

- Kthimi i personelit për t’i kryer të katër funksionet e specifikuara më lartë do të bëhet nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe numri i tyre do të jetë i kufizuar (qindra, jo mijëra); - Pezullimi i aktiviteteve ushtarake do të bëhet pas fillimit të verifikueshëm të tërheqjeve;

- Diskutimi dhe arritja e një marrëveshjeje ushtarake-teknike nuk do ta zgjasin kohën e përcaktuar më parë për përfundimin e tërheqjeve.