BIBLIOTEKA E GJALLË: TREGIME NGA NDRYSHUESIT; FOKUSI NË BARAZINË GJINORE

5 Jan 2018

BIBLIOTEKA E GJALLË: TREGIME NGA NDRYSHUESIT; FOKUSI NË BARAZINË GJINORE

Tetë gra dhe burra insprues nga anembanë Kosova u mblodhën në një kafene në Prishtinë në mbrëmjen e 7 dhjetorit, për të diskutuar normat gjinore dhe stereotipet që kontribuojnë në pabarazi dhe përdoren si pretekst për dhunën në baza gjinore.

Përreth tavolinës në kafenenë e rehatshme, ndryshuesit entuziast i shkëmbyen tregimet e tyre me rastin e bashkëorganizimit të Bibliotekës së Gjallë.

Librat e Gjallë

Biblioteka e Gjallë funksionon si një bibliotekë e rëndomtë; vizitorët mund t’a shfletojnë katalogun e titujve, të zgjedhin “Librin” që dëshirojnë t’a lexojnë, t’a huazojnë atë për një kohë të caktuar. Pas leximit, e kthejnë Librin në bibliotekë dhe, nëse dëshirojnë, mund t’a huazojnë një tjetër.

Dallimi i vetëm është se në Bibliotekën e Gjallë, librat janë njerëz të vërtetë të cilët i ndajnë tregimet e tyre në një atmosferë shumë joformale dhe marrin pjesë në diskutime të zjarrta me publikun.

Tregimet frymëzuese të Librave sivjet trajtuan stereotipet gjinore dhe pengesat në përpjekjet për të avancuar barazinë gjinore dhe sfidimin e normave kulturore.

Theksimi i Animit Gjinor në Media

Një nga Librat, Besa Luci, është gazetare dhe themeluese e revistës multiplatformëshe Kosovo 2.0 që mbulon histori të cilat shpesh mbesin të heshtura apo të mosraportuara në Kosovë.

Besa tha se të jesh pjesë e shoqërisë ku pabarazitë sociale e gjinore janë të theksuara luan rol qenësor në vendimet që ajo i merr në profesionin e saj. “Ekziston një tendencë të kufizohet roli i mediave vetëm në atë të informimit dhe raportimit. Por fuqia dhe ndikimi i punës sonë e tejkalon këtë,” theksoi Besa.

“Besoj se mediat mbajnë përgjegjësi në llojet e përfaqësimeve që ato krijojnë,” shtoi ajo.

Burrat që Sfidojnë Normat Negative Sociale Gjinore

Stefan Veljkoviq është kampion në promovimin e konceptit të barazisë gjinore në mesin e të rinjëve, në pjesën veriore të Kosovës.  

Stefani ndau disa nga tregimet e tij duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të burrave në luftën kundër pabarazisë, dhe theksoi se do të kishte pasur dëshirë që shoqëria e tij të maksimizonte mirëqenien e burrave dhe grave çdo ditë duke arritur barazi gjinore në qytete, paralagje dhe fshatra.

“Është shumë e thjeshtë. Nëse kemi shoqëri të barabartë, do të kemi jetë shumë më të mira,” Stefani thotë.

“Zgjedhja e Arsimimit në vend të Zemërimit”

Një Libër tjetër frymëzues është një aktivist i ri, Agim Margilaj, i cili lufton patrembur kundër diskriminimit të personave LGBTI në Kosovë. Agimi shpesh i ka kaluar kufijtë dhe ka shkuar përtej të “pranueshmes” për të sfiduar normat sociale dhe opinionet e zakonshme.

Duke hasur në stereotipe dhe pabarazi, ai beson fuqishëm se secili duhet të fillojë nga vetvetja.

Agimi ndau me lexuesit tregimet e veta pozitive të rezistencës kundër homofobisë. Ai thotë se çdo veprim i vogël është i rëndësishëm, sepse “veprimet e vogla sjellin veprime të mëdha.”

“E zgjedh arsimimin në vend të zemërimit,” Agimi shton.

“Kurrë Mos u Dorëzo!”

Malësore Gashi, një grua e teknologjisë, udhëheqëse e Departamentit të TI-së në Kolegjin Univeristar në Prishtinë, ishte një prej Librave tregimet frymëzuese e të cilëve rreth sfidimit të botës  së teknologjisë të dominuar nga burrat u prit me vlerësime tejet pozitive nga publiku.

Ngjashëm, Uta Ibrahimi, gruaja e parë nga Kosova që u ngjit në Mont Everest, ndau tregimin e saj inkurajues të mosdorëzimit, pavarësisht pengesave.

“Pavarësisht a je vajzë apo djalë, e vogël, e shkurtë apo e gjatë, gjithmonë mund të ngjitesh në male,” Uta theksoi.

Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore

Biblioteka e Gjallë u organizua si pjesë e fushatës 16 Ditë të Aktivizmit që mbahet çdo vit prej 25 nëntorit deri më 10 dhjetor nën fushatën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, UNiTE për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.

Leximet e librave ishin të hapura për publikun me qëllim të rritjes së vetëdijësimit mbi rëndësinë e kuptimit të barazisë gjinore dhe ndryshimit të normave sociale e kulturore për parandalimin e dhunës në baza gjinore.

Në përfundim të ngjarjes, Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm Z. Chris Coleman, së bashku me Z. Vahagn Muradyan, Zëvendës Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Znj. Annette Fath-Lihic Këshilltare Kryesore Politike/Kordinatore Ekzekutive e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Znj. Barbara Rohmann, Drejtoreshë e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë ju falënderuan librave për kontributet e tyre të çmuara dhe ju dorëzuan çertifikata mirënjohjeje për guximin dhe gatishmërinë për të ndarë tregimet e tyre publikisht.  

Ngjarja u organizua nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe UNMIK-u, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e OSBE-së në Kosovë.