Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore bën thirrje për parandalimin e dhunës në familje në kohë të pandemisë COVID-19
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore bën thirrje për parandalimin e dhunës në familje në kohë të pandemisë COVID-19
24 Mars, 2020 - Në këtë kohë të pandemisë globale COVID-19, shtëpia supozohet të jetë vendi më i sigurt për të gjithë. Sidoqoftë, për njerëzit që përjetojnë dhunë në baza gjinore përfshirë dhunën në familje, distancimi shoqëror mund të nënkuptojë të jesh i bllokuar brenda me një abuzues. Dhuna në familje është tashmë epidemi vdekjeprurëse, ku një në tre gra në të gjithë botën përjetojnë dhunë fizike ose seksuale, kryesisht nga një partner intim.
Dhuna në familje ka tendencë të rritet gjatë krizave, dhe pandemia COVID-19 po tregon tendencë të tillë në të gjithë botën. Në Kinë, ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje pasi miliona njerëz kanë qenë të izoluar në karantinim. Disa stacione policie pranuan deri në tre herë më shumë raportime të rasteve të dhunës në familje në muajin shkurt, krahasuar me një vit më parë. Tendenca të ngjashme janë shfaqur edhe në SH.B.A. kur rastet në disa shtete janë dyfishuar pasi u morrën masat e izolimit.
Prirje të tilla priten edhe në Kosovë. Përderisa distancimi shoqëror dhe izolimi përdoren si strategji për të parandaluar përhapjen e virusit, këto strategji mund të manipulohen për të izoluar viktimat nga familjet e tyre dhe rrjetet sociale, si pjesë e dhunës emocionale dhe psikologjike, si dhe sjelljes kontrolluese. Këto strategji mund të rezultojnë në rritje të dhunës në familje, e cila prek kryesisht gratë.
Dhuna në familje është krim, siç thuhet edhe në nenin 248 të Kodit Penal të Kosovës. Dhuna në familje përfshin "dhunë fizike, psikologjike, seksuale ose ekonomike apo keqtrajtim" të një anëtari të familjes kundër një anëtari tjetër të familjes. Kjo formë e dhunës dënohet me gjobë dhe me burgim.
Prandaj, Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGj) inkurajon të gjithë ata që dëgjojnë ose dyshojnë për raste të dhunës në familje të raportojnë ato menjëherë në polici në numrin 192. Është përgjegjësi e jona të raportojmë krimet kur ndodhin, dhe gjithashtu detyrë qytetare të mbrojmë të tjerët.
Për më tepër, GSBGj inkurajon personat të cilët kërkojnë ndihmë ose këshillim në lidhje me dhunën në familje që të telefonojnë në linjën telefonike të Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112. Numri është falas dhe punon 24/7, si dhe është konfidencial dhe anonim.
Mes krizës aktuale, siguria dhe qasja në shërbimet e drejtësisë mund të ndërprehen. GSBGj u bën thirrje akterëve përkatës që të u japin përparësi shërbimeve për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje në mes të pandemisë COVID-19, duke siguruar mbrojtje në kohë për ata që kanë më së shumti nevojë dhe rrezikohen nga dhuna.
Punëtorët shëndetësorë duhet të kenë përgjigje të ndjeshme gjinore ndaj rasteve të dhunës në baza gjinore të cilët mund të shoqërohen ose përkeqësohen nga pandemia. Ata të cilët ofrojnë përgjigjen e parë duhet të dinë se kujt i duhet kujdes i shtuar, ose kë duhet sjellur në qendra trajtimi. Për më tepër, autoritetet përkatëse duhet të bashkëpunojnë për të siguruar testimin e duhur të personave që kërkojnë strehim, dhe për të mbrojtur shëndetin e grave dhe fëmijëve tashmë të strehuar.
Tani më shumë se kurrë duhet të kujdesemi për më të prekurit e shoqërisë sonë. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe vigjilentë për rastet e mundshme të dhunës në familje. Duhet të punojmë së bashku për të raportuar raste të tilla dhe për të siguruar qasje në asistence për personat që përjetojnë dhunë.
Shënim për shtypin:
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është një grup shumë palësh, që kryesohet nga UN Women. Nënshkruesit e mëposhtëm janë anëtare të GSBGJ dhe mbështesin këtë deklaratë publike:
Organizatat ndëkombëtare dhe Ambasadat:
UN Women, UNFPA, UNHCR, UNICEF, UN Habitat, EU Office/EUSR, OSCE, EULEX, IOM, UNMIK, si dhe Ambasada Britanike në Prishtinë.
Organizatat e grave dhe OJQ-të:
Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Kvinna till Kvinna, Kosova-Women 4 Women, NGO Zensko pravo(Women’s rights), KIPRED, Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi -INJECT, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Kosovë YIHR.
Institucionet e Kosovës:
Agjencia për Barazi Gjinore, Policia e Kosovës