ZPSSP Coleman Viziton Qendrën Burimore Për Persona Të Zhdukur
Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Z. Christopher Coleman, vizitoi Qendrën e sapothemeluar multietnike Burimore për Persona të Zhdukur në Prishtinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Dhunshme.
Mbështetur nga UNMIK-u, Qendra Burimore, për herë të parë, bashkon përfaqësuesit dhe familjet e personave të zhdukur nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Gjatë vizitës në Qendrën Burimore, ZPSSP Coleman ritheksoi përkrahjen e UNMIK-ut dhe nënvizoi rëndësinë e kësaj date. “Sot është ditë e veçantë, ku ne përkujtojmë dhimbjen e familjeve. Zemrat tona janë me ju,” ju tha ai të pranishmëve. Duke falënderuar përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur nga komunitet e shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës, ZPSSP Coleman theksoi, “Kur ju të dy palët punoni së bashku – ky është frymëzimi më i fuqishëm.”
Përfaqësuesi i familjeve të personave të zhdukur shqiptarë të Kosovës, Z. Bajram Qerkini, falënderoi Kombet e Bashkuara për përkrahje dhe shprehu mirënjohje të thellë për mundësinë e themelimit të Qendrës Burimore. Z. Qerkini theksoi punën e mirë që po bëhet në Qendër, “ku mund të mblidhen të gjitha familjet të afërmit e të cilëve janë ende të zhdukur.”
Ngjashëm, përfaqësuesi i familjeve të personave të zhdukur serbë të Kosovës, Z.
Millorad Trifunoviq, shprehu falënderimin e tij ndaj Kombeve të Bashkuara për përpjekjet e vazhdueshme dhe të palodhshme në përkrahje të të gjitha nismave që mund të çojnë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. “Kjo qendër burimore nuk do të ishte funksionale pa ndihmën tuaj,” theksoi Z. Trifunoviq.