Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, PSSP Ziadeh fton të gjithë ata që gëzojnë këto të drejta të konsiderojnë të drejtat e njeriut si një rrugë drejt një bote më të mirë – një bote më paqësore, të barabartë dhe më të qëndrueshme

10 Dhj 2024

Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, PSSP Ziadeh fton të gjithë ata që gëzojnë këto të drejta të konsiderojnë të drejtat e njeriut si një rrugë drejt një bote më të mirë – një bote më paqësore, të barabartë dhe më të qëndrueshme

Sot festojmë Ditën e të Drejtave të Njeriut, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948.   

Me këtë rast, UNMIK-u rikonfirmon përkushtimin e vazhdueshëm në avancimin e të drejtave të njeriut dhe thekson lidhjen e pandashme mes paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut.   

Shkeljet e të drejtave të njeriut shpesh janë arsyeja kryesore e konfliktit dhe pasigurisë, të cilat pashmangshmërisht rezultojnë në shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. Rrjedhimisht, veprimet në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut fuqizojnë përpjekjet për një paqe të qëndrueshme.   

Tematika e këtij viti, “E drejta e jonë, e ardhmja e jonë, tani”, është thirrje për të gjithë që gëzojnë këto drejta – individët, grupet, shoqërinë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, profesionistët e mediave dhe të tjerët – në Kosovë dhe në mbarë  botën që të kërkojnë të drejtat e tyre dhe që të ngrisin zërin në rast të shkeljes së tyre.  

Ky është po ashtu një mesazh dhe inkurajim për të gjitha institucionet që të ofrojnë një mjedis të përshtatshëm për realizimin dhe gëzimin e të drejtave njerëzore të të gjitha komuniteteve në Kosovë përmes një kornize të gjerë të të drejtave të njeriut dhe mekanizmave të efektshëm.     

Të gjitha palët nxiten që të bashkëpunojnë në mirëbesim dhe të tregojnë guximin në zgjidhjen e sfidave që do të mundësojë ndërtimin e një të ardhmeje të barazisë, tolerancës dhe të vlerave të përbashkëta.      

Le të jetë kjo ditë si një përkujtues i përgjegjësisë sonë të përbashkët në mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë në Kosovë dhe në të gjitha rrethanat, si dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit.