Ngjyrat e solidaritetit: Të rinjtë nga komunitetet e Kosovës bashkarisht krijojnë art rrugor në Muralfest Kosova 2022

previous next
1 Kor 2022

Ngjyrat e solidaritetit: Të rinjtë nga komunitetet e Kosovës bashkarisht krijojnë art rrugor në Muralfest Kosova 2022

Tri vajza të reja të ulura pranë njëra tjetrës në zyren e Muralfest Kosovës në Ferizaj, po shkëmbenin me pasion idetë e tyre mbi artin, jetët e tyre, përvojat e diskriminimit, duke qenë gra nga Kosova dhe duke ëndërruar për një botë ku ato do të jenë të fuqizuara dhe të bashkuara. Refadie Guci, 22, vjen nga komuniteti ashkali i Kosovës dhe nuk arriti ta përfundojë shkollimin për shkak të vështirësive ekonomike; Donjeta Haziri, 19, është shqiptare e Kosovës e cila studion në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe Pakize Bujani, 20, punon për fuqizimin e komunitetit ashkali të Kosovës si udhëheqëse e shoqërisë civile në Ferizaj.


"Ndërveprimi me komunitetet e ndryshyme këtu më ndihmoi të kuptoj se mund të flasim për problemet e përbashkëta, jo të gjithë janë jomiqësor dhe nëse punojmë së bashku mund të arrijmë barazi të vërtetë," theksoi Bujani.

Që të tri vajzat ishin në mesin e 15 të rinjëve nga komunitetet e Kosovës që morën pjesë në punëtorinë e mbështetur nga UNMIK-u "Lidhja", pjesë e Muralfest Kosova 2022, duke transformuar kësisoj identitetin e lagjes Sallahane në një që përfaqëson jo vetëm diverstitetin e identitetit por edhe historinë dhe tiparet kulturore të banorëve.
Përgjatë këtij procesi, artistë nga e mbarë bota u bënë bashkë me të rinjtë nga Kosova që të bashkëpunojnë, ideojnë dhe mësojnë më tepër për artin, për njëri tjetrin dhe historinë e Sallahanes përmes syve të njerëzve të saj.

"Ky projekt i financuar nga Projekti i UNMIK-ut për Ndërtim të Besimit e frymëzoi dhe inkurajoi Muralfestin, partnerin tonë implementues, të vazhdojë t'i angazhojë komunitetet në aktivitete ndëretnike dhe t'i inkurajojë përfaqësuesit e komuniteteve të punojnë së bashku për një shoqëri multikulturore," tha Steffen Felbrich nga Zyra e UNMIK-ut për Mbështetje të Komuniteteve. 

Duke mësuar së bashku

Këto fjalë janë të qëlluara për pjesëmarrësit e rinjë. Donjeta, duke folur për miqtë e saj të rinj, tha, "Pata mundësinë t'i vizitoja shtëpitë e tyre, dhe mund të them me tërë zemër që njëmend janë njerëz të mrekullueshëm. Mësova për traditat e tyre, familjet, ëndërrat." Ajo vazhdoi, "U befasova këndshëm kur mësova se komuniteti i tyre (ashkali i Kosovës) ishin ndër të parët në Ferizaj."

Procesi i krijimit të muraleve në lagje ishte jo vetëm bashkëpunues por edhe informues. Në mesin e sesioneve të para informuese ishte punëtoria interaktive me artistin rrugor Gabriel Pitcher nga Mbretëria e Bashkuar ku ai së bashku me pjesëmarrësit e rinj diskutuan si të përfaqësohen denjësisht përmes artit nuancat e identitetit, unitetit dhe shprehjeve.

"Rinia e Kosovës ka interesim, është kreative dhe mendjehollë. Ka dëshirë të mësojë, absorbojë, të jetë prezente. Jam i lumtur që pashë qasje entuziaste dhe interesim," theksoi Pitcher pas përfundimit të punëtorisë. "Të rinjtë paraqesin zërin që përpiqet të dëgjohet - njerëzit nuk i vlerësojnë aq shumë pikëpamjet e juaja. Arti rrugor e ndryshon këtë - paraqet një zë i cili nuk mund të injorohet. Dhe kur shoqëria sheh të rinjë duke u angazhuar së bashku me artistë nga bota për ta arritur këtë, krijon një shtytje për industrinë e cila ndoshta nuk është menduar që ka aq shumë perspektivë," vazhdoi ai.

Pas punëtorisë me Pitcher, pjesëmarrësit u nisën për një eksplorim të lagjes Sallahane, duke vërejtur muret e thata në një qytet ku muralet në pothuajse çdo rrugë tregojnë ngjarje nga historia e përbashkët dhe e ardhmja shpresëdhënëse. Ata biseduan me banorët, me fëmijë dhe të moshuar, kuptuan komunitetet dhe trashëgiminë në këtë lokalitet modest në Ferizaj. 

"I ndamë në 5 grupe - përfshirë një artist, një person që punon me shoqërinë civile dhe një nga komuniteti - për të krijuar vepra arti në lagje," theksoi Fortuna Haziri, menaxhere projekti në Muralfest Kosova.

Përgjatë një muaji, ata shkëmbyen ide, u zhytën në botën e Sallahanes dhe rezultati përfundimtar ishte një mishërim spektakolar i lagjes në art bashkëpunues përgjatë mureve të saj.

Riimagjinimi i identitetit përmes artit 

Murali kolektiv u krijua nga artistë të rinj nga grupi Artivistët dhe nga pjesëmarrës të zgjedhur nga punëtoria. Skicat u diskutuan nga ekipi për të arritur deri te kompozicioni i identitetit për hapësirën në fjalë.

Hyrja për në Sallahane ka murale që paraqesin lëvizje të karatesë, që shërbejnë si krenaria e komunitetit aty - gjatë hulumtimit dhe punëtorisë, pjesëmarrësit mësuan se lagjia ka një klub të karatesë, nga i cili kanë dalë shumë kampionë.

"Dëshiruam ta shtyjmë përpara idenë se kjo lagje duhet të njihet për kampionët e karatesë, jo për varfëri apo probleme tjera dhe paragjykime që njerëzit kanë për të," tha Fortuna. "Geto hapësirat janë në atë gjendje sepse janë të lëna pas dore, dhe në rastin e Sallahanes ne donim të fokusoheshim në mundësitë për të tërhequr vëmendjen mu në këto aspekte."

Ca metra më tutje dhe disa murale janë të kryqëzuara si një tërësi, prej nga dalin tema të ndryshme, përfshirë zakonet që bashkojnë etnitetet, ndikimi i teknologjisë në jetët tona, nevoja për gjelbërim dhe pamje tjera të frymëzuara nga rrethina.

Përderisa pjesëmarrësit e rinj punonin në mural, banorët e lagjes iu bashkuan grupit për të ndihmuar në krijimin e tyre. 

"Banorët na qëndruan pranë çdo ditë duke u përpjekur të na ndihmojnë sa më shumë që ne të ndihemi rehat," theksoi zsh. Haziri.

Gjatë kësaj përvoje, pjesëmarrësit e rinj ndanë me njëri tjetrin përvojat e tyre personale - Bujani foli për diskriminimin si infermiere, të tjerët për vështirësitë ekonomike dhe disa për mungesë vëmendjeje - duke ndërtuar kësisoj solidaritet dhe lidhje përtej punëtorisë, me të drejtë të titulluar "Lidhja".

Duke kaluar nga bota e artit në komunikim, pjesëmarrësit e rinj vendosën kapelat e piktorëve, studentëve, inovatorëve, hulumtuesve, ndryshimbërësve dhe përfundimisht - miqve - duke transformuar jo vetëm një lagje të Ferizajt me art dhe unitet, por edhe jetët e tyre.