Yjet rreshtohen: Observatori i Prishtinës rihapet pas 35 vitesh
“Qielli nuk ka kufij, dhe ju inkurajoj të gjithëve që të ëndërroni gjëra të mëdha dhe që pasioni t’ju udhëheq në rrugën jetësore,” theksoi Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Znj. Caroline Ziadeh në fjalën e saj gjatë hapjes solemne historike të Observatorit të Prishtinës.
Më 13 korrik, një ditë pas qarkullimit nëpër botë të imazheve të bëra nga Teleskopi James Webb, Observatori i Prishtinës rihapi dyert për publikun pas më shumë se 35 vitesh. Ky revitalizim është rezultat i përpjekjeve të Klubit të Astronomëve të Kosovës (ACK), me përkrahje nga UNMIK-u dhe Komuna e Prishtinës.
PSSP Ziadeh theksoi se UNMIK-u ka nderin të përkrahë këtë projekt ambicioz. “Arti, shkenca dhe astronomia janë gjuhë universale, që lidhin njerëzit e të gjitha moshave, përkatësive dhe etniteteve dhe i bashkojnë ata në humanitetin e tyre. Shpresojmë se Observatori i Prishtinës do të shërbejë si qendër për rininë multietnike gjatë dekadave vijuese,” nënvizoi ajo.
Funksional për vetëm 10 vite pas hapjes më 1977, rihapja e Observatorit synon shtyrjen përpara të misionit të tij si një qendër e rëndësishme shkencore dhe arsimore dhe të shërbejë si vend për bashkëpunim në mes të komuniteteve të ndryshme.
Për më tepër, Kupola e Observimit posedon një mozaik të sistemit diellor, i punuar nga artistë prej të gjitha komuniteteve të Kosovës, prej pllakave të recikluara.
Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama tha në fjalën e tij, “Deri tash, anëtarët e ACK-së udhëtonin nëpër qytetet e Kosovës me teleskopët e tyre për të vizituar shkollat dhe për t’iu afruar pasionin e tyre komuniteteve,” tha ai. “Por, prej tash e tutje, Observatori do të shërbejë si adresë e vetme që ju mundëson të gjithëve të vijnë dhe të mësojnë nga ta.”
Në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara të Rinisë në Kosovë më 2019, ACK-ja fitoi një grant, duke organizuar Kampin e Astronomisë, i pari i llojit të tillë me komunitete të ndryshme, të quajtur “Nën Një Qiell”. Që nga viti i kaluar, si partner zyrtat implementues i UNMIK-ut, ACK-ja zhvilloi një varg aktivitetesh vetëdijësuese të astronomisë me rini, duke i njoftuar mbi 1,200 të rinj nga komunitete të ndryshme me mrekullitë e universit.
Duke rikujtuar fjalët e astronautit Neil Armstrong, Suhel Ahmeti, Drejtor i ACK-së, tha se përderisa hapja e Observatorit mund të duket hap i vogël për të pranishmit, është një hap i madh për Kosovën. “Një studim konkludoi se nëse fëmijët fillojnë të mësojnë për astronominë që nga mosha e hershme, ajo do të ketë ndikim pozitiv në jetën e tyre. Me teleskopin tonë diellor, atë të natës dhe materialet mësimore, shpresojmë që fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet e ndryshme do të vijnë këtu dhe të mësojnë!” theksoi ai.
Astronomët nga rajoni si dhe nga pjesët tjera të botës shprehën urimet e tyre për hapjen.