OJQ-të e udhëhequra nga gratë shtyjnë përpara Platformën për Ndërtimin e Besimit në Kosovë

8 Mar 2021

OJQ-të e udhëhequra nga gratë shtyjnë përpara Platformën për Ndërtimin e Besimit në Kosovë

Tri organizata janë duke bashkëpunuar për të fuqizuar “Platformën për Ndërtimin e Besimit në Kosovë” të mbështetur nga UNMIK-u, të ndara fizikisht nga masat e shëndetit publik kundër pandemisë por të bashkuara rreth qëllimit të ndërtimit të paqes në Kosovë. Ato ndajnë një ngjashmëri – të gjitha udhëhiqen dhe në masë të madhe përbëhen nga gratë.

Me një numër më të lartë të grave në pozita vendimmarrëse, Open Data KosovoNew Social Initiative, dhe Alternativna u janë bashkuar trendit në rritje të shoqërisë civile për të rritur përfaqësimin e grave.

Lansuar më 2019, Platforma për Ndërtimin e Besimit në Kosovë paraqet storie fuqizuese dhe thekson kontributet e inicuesëve lokalë të ndryshimeve drejt ndërtimit të besimit në Kosovë. Ofron hapësirë për shkëmbime domethënëse ndërmjet komuniteteve me përkushtim të fuqishëm në barazi gjinore.

“Këto OJQ të udhëhequra nga gratë janë liderë në lëmitë e tyre – Open Data Kosovo (ODK) që sjell ekspertizë teknike, New Social Initiative (NSI) me historinë e tyre të jashtëzakonshme për dialog dhe ndërtim rrjetesh, dhe Alternativna me aftësinë për të treguar storie nga terreni që duhet të dëgjohen,” theksoi Sarah Schaffer, shefe e Njësitit për Dialog dhe Pajtim pranë UNMIK-ut.

Shtyrja e kufijve

“Bashkëpunimi me ekspertë të cilësisë së lartë dhe ndërmarrës e ka lehtësuar zbatimin e veprimeve dhe kontribuoi në arritjen e rezultateve më efektive, duke ndarë në të njëjtën kohë qëllim të përbashkët,” tha Drejtoresha Ekzekutive e ODK-së, Blerta Thaçi. Shtyrja e kufijve dhe vendosje e grave në vijë të parë, theksoi ajo, janë kyçe për të ardhmen e Kosovës, sidomos të industrisë teknologjike të saj, e “në veçanti për vajzat nga komunitetet rurale.”

Për organizatën që punon me të dhëna të hapura, transformim digjital, ndërtim të kapaciteteve dhe komuniteteve, shtyrja e kufijve nuk paraqet risi. Duke sfiduar normat gjinore në fushën e teknologjisë, 90% e stafit të përhershëm të ODK-së janë femra. Ajo gjithashtu ofron mentorim për koduesit e rinjë gjatë fillimit të rrugëtimit të tyre, shumica e të cilëve janë femra.

“Me më pak se 20% të grave të moshës së punës të punësuara në Kosovë, tregut të punës i mungon energjia, qëndrueshmëria, dhe kreativiteti i perspektivës femërore,” shton Drejtoresha Ekzekutive e NSI-së Jovana Radosavljeviq.  “Na lejoni që jo vetëm të vlerësojmë përpjekjet madhore të nënave, mësueseve, kolegeve tona por edhe të marrim masa për t’ju ndihmuar grave të reja të gjejnë punësim dhe të lënë gjurmë më lehtë se ne,” nënvizon ajo.

Përmes NSI-së, Platforma kontribuoi qysh herët në përpjekjet për luftimin e COVID-19, duke promovuar përmbajtje të shërbimit publik në gjuhët lokale dhe duke theksuar përpjekjet inovative nga terreni me qëllim të inkurajimit të solidaritetit dhe lidhshmërisë sociale në kohëra të vështira.

“Suksesi i Platformës ishte i mundur sepse që të tri organizatat e ndajnë një qëllim: fuqizimin e tjerëve që të marrin pjesë,” tha Znj. Schaffer.

Veprim për ndryshim

Ekipi editorial i Alternativna-s beson se arti dhe kultura janë gjërat që e ndryshojnë jetën e përditshme, por ato janë edhe mjete të veprimit për ndryshim. “Qëllimi ynë është të rrisim zërat e grave kudo të jetë e mundur,” redaktorja e Alternativna-s tha. “Fuqizimi i artisteve dhe tregimtareve është qenësore për fuqizimin e të gjitha grave.”

Gjatë fushatës në media sociale “Kampionët e Ndërtimit të Besimit”, Platforma vlerësoi dhe shfaqi më shumë se 100 kampionë të ndërtimit të besimit nga të gjitha etnitë dhe këndet e Kosovës. Prej të gjithë kampionëve të përfshirë, 64% ishin gra nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë së Kosovës, duke nënizuar kësisoj rolin e grave në ndërtimin e paqes së qëndrueshme si dhe aktivizmin e komunitetit LGBTQI.

“Përderisa bota përgatitet për rimëkëmbje pas pandemisë, kjo mundësi për ‘rindërtim më të mirë’ duke krijuar shoqëri më përfshirëse duhet gjithsesi të shfrytëzohet,” thekson Shefja e Njësitit për Dialog dhe Pajtim pranë UNMIK-ut.

“Bashkëpunimi në mes të Open Data Kosovo, New Social Initiative, dhe Alternativna dëshmon se shkëmbimet ndërkomunitare të bazuara në talente plotësuese dhe pasione mund të funksionojnë. Ç’është edhe më e rëndësishme, sidoqoftë, është se kjo është dëshmi se si organizatat mund të përparojnë në hapësirat e tyre përkatëse dhe të ngjiten më së larti, atëherë kur grave iu jepet mundësia për të udhëhequr.”

***

Platforma për Ndërtimin e Besimit në Kosovë është produkt dhe rezultat i Forumit për Ndërtimin e Besimit më 2018 i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ku 58 prej 112 pjesëmarrësve dhe pesë nga gjashtë moderatorët e grupeve të fokusit ishin gra, dhe ku çështjet gjinore ishin të ngërthyera dhe të përfshira në të gjitha diskutimet dhe rekomandimet.