GRUPI PËR SIGURI DHE BARAZI GJINORE DËNON VRASJEN E SEBAHATE SOPIT DHE BËN THIRRJE PËR VEPRIME KONKRETE PËR MBROJTJEN E GRAVE
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore dënon fuqishëm vrasjen e Sebahate Sopit që ndodhi të Dielën më 14 Mars në Prishtinë, dhe shpreh shqetësimin për numrin e jetëve të humbura të grave nga partnerët ose nga ish-partneret e tyre, si dhe u bën thirrje institucioneve përkatëse të marrin masa efektive në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe sigurimin e mbrojtjes efektive të viktimave.
Dhuna ndaj grave, përfshirë dhunën në familje është një nga shkeljet më serioze të të drejtave të njeriut. Sipas Ligjit Nr. 03/L-182 për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, neni 24 paragrafi 1, Policia e Kosovës duhet t’i përgjigjet secilit raportim që ka të bëj me veprat ose kërcënimet e Dhunës në Familje. Ligji më tej thotë se "Policia e Kosovës duhet të përdorë mjete të arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme", si dhe përcakton masat që do të merren në raste të tilla.
Janë bërë gjashtë muaj nga përfshirja e dispozitave të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) në Kushtetutën e Kosovës, dhe tani është koha të avancohet zbatimi i saj, si dhe të ndërmerren veprime konkrete për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave, të mbrohen viktimat dhe të ndjeken penalisht autorët e krimit. Institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për zotimet e tyre. Në lidhje me këtë, Neni 50 i Konventës së Stambollit (reagimi i menjëhershëm, parandalimi dhe mbrojtja) përcakton: “Duhet të merren masa efektive për të parandaluar format më të dukshme të dhunës, të cilat janë vrasja ose vrasja në tentativë. Çdo rast i tillë duhet të analizohet me kujdes për të identifikuar çdo dështim të mundshëm të mbrojtjes në aspektin e përmirësimit dhe zhvillimit të masave të mëtejshme parandaluese. "[1]
Dhuna në familje është krim, siç ceket në nenin 248 të Kodit Penal të Kosovës dhe dënohet me gjobë dhe me burgim. Dhuna ndaj grave është rezultat i diskriminimit struktural, i rrënjosur thellë, e që institucionet kanë për detyrimin të adresojnë. Parandalimi dhe adresimi i dhunës me bazë gjinore është detyrim ligjor dhe moral që kërkon masa legjislative, administrative, si dhe masa e reforma institucionale. Këto kërkojnë ç’rrënjosjen e stereotipeve gjinore të cilat mbështesin ose përjetësojnë dhunën me bazë gjinore ndaj grave dhe mbështesin pabarazinë strukturale të grave në krahasim me burrat.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) inkurajon institucionet e Kosovës për të hetuar në tërësi vdekjen e Sebahate Sopit si dhe rrethanat që çuan në vdekjen e saj. Për të siguruar që gratë të mbrohen në mënyrë efektive në të ardhmen, anëtarët e GSBGJ-së u bëjnë thirrje institucioneve që:
- Rastet e dhunës në familje të trajtohen me prioritet të lartë,
- Të garantohet drejtësi për viktimat,
- Të inicohen programe për autorët e krimit, me synim ndryshimin dhe permisimin e sjelljeve të dhunshme.
Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve është e papranueshme dhe burrat e dhunshëm janë përgjegjës për përdorim të dhunës.
Pandemia COVID-19 ka vënë në pah hijen epidemike të dhunës ndaj grave në të gjithë botën. Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa urgjent për të parandaluar vrasjen e grave dhe dhunën në baza gjinore në Kosovë.
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore shpreh ngushëllime të përzemërta për familjen dhe miqtë e viktimës.
Shënim për media
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është grup i përbërë nga shumë palë të interesit, i kryesuar nga UN Women. Institucionet në vijim janë anëtarë të GSBGJ-së dhe e mbështesin këtë deklaratë publike:
Organizata ndërkombëtare dhe Ambasadat: UN Kosovo Team (UNKT) përfshirë Zyrën e Koordinatorës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women (UN Women), International Organization for Migration (IOM) , United Nations Development Programme (UNDP), United Nations Children’s Fund (UNICEF), United Nations Human Settlements Programme (UN-Habitat), Office of the High Commissioner for Human Rights (OHCHR), United Nations Population Fund (UNFPA), World Health Organization (WHO), United Nations Office for Project Services (UNOPS), Office of the United Nations High Commissioner for Refugees (UNHCR); UN Mission in Kosovo – UNMIK; EULEX; Ambasada Gjermane/GIZ; Ambasada Amerikane; Ambasada e Finlandës; Zyra e BE-së në Kosovë; OSCE.
Organizatat e grave dhe OJQ-të: Kvinna till Kvinna, Kosova – Women 4 Women, Qendra Kosovare për Studime Gjinore; Rrjeti i Grave të Kosovës; INJECT, Nisma e të Rinjëve për të Drejta të Njeriut (YIHR); Fondacioni Jahjaga; CEL
Institucionet Kosovare: Agjencia për Barazi Gjinore; Policia e Kosovës
[1] The Council of Europe, Explanatory Report to the Council of Europe Convention on preventing and combating violence against women and domestic violence, Paragraph 259 (on Article 50). Available at: https://rm.coe.int/CoERMPublicCommonSearchServices/DisplayDCTMContent?documentId=09000016800d383a. Text of the Convention available at: https://www.coe.int/en/web/conventions/full-list/-/conventions/rms/09000...