THELLËSISHT TË TRISHTUAR PËR VRASJEN E GRUAS SHTATZËNË NGA PARTNERI I SAJ, GRUPI PËR SIGURI DHE BARAZI GJINORE BËN THIRRJE PËR MBROJTJE KONKRETE DHE TË MENJËHERSHME TË GRAVE

1 Dhj 2022

THELLËSISHT TË TRISHTUAR PËR VRASJEN E GRUAS SHTATZËNË NGA PARTNERI I SAJ, GRUPI PËR SIGURI DHE BARAZI GJINORE BËN THIRRJE PËR MBROJTJE KONKRETE DHE TË MENJËHERSHME TË GRAVE

Femicidi i dytë në Kosovë në më pak se një javë i ka dhënë hije të zezë fushatës vjetore globale për t'i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, këtë herë me një grua shtatzënë nëntë muajshe që dyshohet se u qëllua për vdekje nga partneri i saj.

Vdekja e gruas shtatzënë dhe i fëmijës së saj të palindur që nuk arriti t’iu mbijetojë të shtënave të mërkurën e 30 nëntorit në Prishtinë, e pason vrasjen e S.G nga bashkëshorti i saj në gjumë të premten e 25 nëntorit kur edhe shënohet Ditën Ndërkombëtare e Eliminimit të dhunës ndaj grave, në të njëjtën ditë kur filloi edhe fushata 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore në mbarë botën.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) i dënon fuqishëm këto akte mizore. Ne shprehim shqetësim të thellë për numrin e jetëve të grave të humbura në Kosovë nga dhuna e ushtruar nga partnerët apo ish-partnerët e tyre. Si grup, gjithashtu u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që urgjentisht ta adresojnë dështimin e mbrojtjes institucionale, i cili lejon që dhuna e raportuar në familje të rezultojë në femicid dhe të ofrojnë mbrojtje efektive për ato viktima, jeta e të cilave është ende në rrezik.

Gjithashtu, GSBGJ shpreh ngushëllime të përzemërta për familjen dhe të dashurit e viktimës.

Përderisa e gjithë bota po e shënon fushatën vjetore ndërkombëtare "16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore", ne u tronditëm nga këto raste flagrante të dhunës kryer nga vetë partnerët e viktimave – duke e shtuar edhe për dy numrin e rasteve të vrasjes së grave.

Vrasjet me bazë gjinore, të njohura si femicid janë manifestimi më brutal dhe më ekstrem i dhunës sistematike ndaj grave dhe vajzave. Dhuna me bazë gjinore mbetet shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Të gjeturat e një raporti global të publikuar disa ditë më parë nga UN Women dhe Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) demonstruan se në mbarë botën, mesatarisht pesë gra ose vajza vriten çdo orë nga dikush në familjen e tyre.

Forma të tilla ekstreme të dhunës ndaj grave dhe vajzave janë të parandalueshme. Kjo mund të arrihet përmes ndërhyrjes së hershme dhe përmes partneritetit multi-sektoral dhe shumëpalësh.

Sipas studimit “Gender and Small Arms” në Europën Juglindore, gjasat që gratë të vriten rriten nga pesë deri në dymbëdhjetë herë nëse autori i dhunës në familje ka një armë zjarri, me leje apo pa leje. Në këtë rast, edhe pse viktima kishte urdhër mbrojtjeje, autori ka arritur ta vrasë me armë zjarri. Në Kosovë, gjatë viteve 2012-2016, 71.4% e grave dhe 81.8% e burrave të vrarë nga një anëtar i familjes janë vrarë me armë zjarri. Të gjitha gratë e vrarë nga partneri intim gjatë kësaj periudhe janë vrarë me armë zjarri.

Sipas nenit 24 paragrafi 1 i Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Policia e Kosovës duhet t'i përgjigjet çdo raportimi që ka të bëjë me aktet e dhunës në familje apo kërcënimet për kryerjen e akteve të tilla. Ligji më tej thotë se “Policia e Kosovës duhet të përdorë mjete të arsyeshme për ta mbrojtur viktimën dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”.

Legjislacioni në fuqi parasheh masa specifike që duhet të ndërmerren në raste të tilla. Në këtë rast, viktimës i ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje kundër të dyshuarit, me vlefshmëri deri më 13 mars të viti 2023. Po ashtu, kundër të dyshuarit është ngritur aktakuzë për kanosje ndaj viktimës në gusht të këtij viti dhe seanca fillestare është mbajtur në muajin shtator.

Nga janari deri në fund të tetorit të vitit 2022 në polici janë raportuar 2273 raste të dhunës në familje; fatkeqësisht më shumë se 85% e viktimave ishin gra.
Për t’u siguruar që të gjitha gratë dhe vajzat të mbrohen në mënyrë efektive në të ardhmen, anëtarët e GSBGJ-së u bëjnë thirrje institucioneve përkatëse që:
• të garantojnë drejtësi për viktimat, veprime konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, mbrojtjen e viktimave, ndjekjen penale dhe dënimin e dhunuesve në përputhje me Konventën e Stambollit;

• të iniciojë programe për rehabilitimin e kryesve të veprave të dhunës që synojnë ndryshimin e modeleve të sjelljes së dhunshme;

• ta zbatojnë ligjin për përdorimin e teknologjisë së monitorimit elektronik përmes “byzylykëve”, për t'ua mundësuar autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive të kufizojnë, rregullojnë dhe zbatojnë vendndodhjet, lëvizjet e dhunuesve, dhe në këtë mënyrë të parandalojnë përsëritjen e dhunës;

• të alokohen burime adekuate për të siguruar mekanizma më efektivë të raportimit nga punonjësit socialë

• të ngriten kapacitetet e policisë për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje me prioritet;

• Të kryejë investigim të thuktë të rasteve të fundit të vrasjeve gjinore për t’i identifikuar dështimet në sistem, gjë që do të lejonte që ato të adresoheshin dhe rastet e vrasjeve të mos përsëriteshin;

• krijimin e një Task Force të pavarur të përbërë nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, palëve të tjera të interesuara dhe përfaqësues të specializuar të OJQ-ve për ta vlerësuar trajtimin e rasteve të fundit të femicidit nga zyrtarët dhe institucionet përkatëse;

• të investohet në luftën kundër stereotipeve gjinore dhe kulturës së dhunës ndaj grave dhe vajzave që në arsimin e hershëm.

• të sigurohen në kryerjen e vlerësimit efektiv të rrezikut në rastet e Dhunës në Familje dhe zhvillimi i planeve të duhura të sigurisë për viktimat;

• të monitorohen me rigorozitet urdhrat e mbrojtjes dhe t’iu sigurohet viktimave akses i menjëhershëm në mbrojtjen e policisë;

• të sekuestrohen menjëherë armët e zjarrit kur një rast i Dhunës në Familje raportohet;

GSBGJ nuk do të ndalojë së ngrituri zërin për gratë viktima për t’u siguruar që të shtohen mjetet efektive për edukimin, parandalimin, mbrojtjen dhe ndjekjen penale të dhunës në familje dhe femicidit. Ne do të jemi zëri i atyre të cilët besojnë se nuk kanë zë dhe bashkërisht qëndrojmë stoikë në luftën tonë kundër dhunës me bazë gjinore.