DEKLARATË E PËRFAQËSUESIT SPECIAL TË SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM DHE SHEFIT TË UNMIK-UT NË KËSHILLIN E SIGURIMIT

10 Qer 2019

DEKLARATË E PËRFAQËSUESIT SPECIAL TË SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM DHE SHEFIT TË UNMIK-UT NË KËSHILLIN E SIGURIMIT

z. President, të nderuar anëtarë të Këshillit,

Siç është pasqyruar në raportin para jush, gjendja në Kosovë dhe marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës prapë kanë ardhur në një moment të brishtë. Mbledhja e sotme përkon me një përvjetor të rëndësishëm, gjegjësisht me 20 vjetorin e arritjes së pajtimit në Këshill për miratimin e rezolutës së plotë si përgjigje ndaj konfliktit. Gjatë këtyre njëzet viteve shihet qartë se ka pasur progres dhe ndryshime në shumë dimensione në Kosovë, në rajon dhe në botë. Në të njëjtën kohë, ne duhet ta bëjmë edhe një reflektim shtesë. Në mungesë të një procesi të mirëfilltë dhe të  domosdoshëm të angazhimit të palëve më konflikt, gjendja nuk mbetet thjeshtë e brishtë, por mund të kthehet së prapthi, gjë që shpesh edhe ka ndodhur. Angazhime produktive mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka pasur që nga vjeshta e vitit 2018 dhe, përderisa shumë vëmendje i kushtohet mosmarrëveshjeve dhe provokimeve të ditëpërditshme, këta nuk janë të vetmit faktorë që janë duke i ndërlikuar përpjekjet për t’iu kthyer negociatave.    

Vendosja e tarifës prej 100 % nga Prishtina lidhur me importimin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja nëntorin e kaluar ende vazhdon, përkundër thirrjes pothuajse unanime nga bashkësia ndërkombëtare për heqjen e saj. Qëndrimi i Beogradit është se heqja e taksës së importit është kushti minimal për rifillimin e bisedimeve të mbështetura nga BE-ja. Udhëheqësit e Prishtinës gjithashtu kanë caktuar kushte, por jo gjithmonë me unifikim të qëndrimeve. Ndonëse një ekip negociator i Prishtinës është themeluar, përgjegjësitë e tij të plota mbesin për t’u qartësuar. Po t’i  reduktonim këto nuanca komplekse në një vlerësim të vetëm, ai do të ishte: një vistër sinjalesh jokonsekuente kanë penguar përpjekjet për sigurimin e angazhimit të plotë të të dyja palëve në një proces të vetëm apo përfundimtar.   

Në këtë rrethanë, udhëheqësit e të gjitha palëve duhet të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre në mënyrë që këtë gjendje komplekse ta drejtojnë larg nga çfarëdo përshkallëzimi më serioz. Angazhimi me vullnet të mirë, pa kërcënime dhe ultimatume është i nevojshëm për rikrijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut politik. Unë shpresoj që të gjitha palët e angazhuara mund të punojnë bashkërisht për t’u siguruar që takimi i paraparë të mbahet në korrik në Paris do të shfrytëzohet nga palët t’u kthehen çështjeve substanciale, ato të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në jetën e njerëzve dhe të komuniteteve.    

Angazhimi më aktiv me një spektër të gjerë të palëve. Demonstrimi i përkushtimit për çuarjen përpara të interesave të popullatës dhe të shpresës së tyre për mundësi më të mira. Pjesëmarrja e mirëfilltë dhe e barabartë e të gjitha segmenteve të shoqërisë. Secili prej këtyre elementeve është thelbësor për arritjen e një niveli më të lartë të procesit politik, por që  fatkeqësisht mungojnë në përpjekjet që i kemi vërejtur gjatë kësaj periudhe të kaluar. Koha është esenciale për përgatitjen e fazave të ardhshme të dialogut, pasi që mundësitë e një mirëkuptimi të përbashkët dhe të arritjes së kompromisit mund të rrallohen.

z. President,

Një nga zhvillimet e rëndësishme që nga fundi i periudhës zyrtare të raportimit ishte organizmi i zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave të Kosovës me shumicë serbe në veri si reagim ndaj rritjes së taksës në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja, kryetari i Kosovës shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën më 19 maj. Zgjedhjet ishin të qeta. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, zgjedhjet kanë rezultuar me fitore bindëse të kandidatëve të Listës Serbe, të cilët e kishin pasur pushtetin edhe më herët në këto komuna, dhe të cilët fituan mbi 90% të votave. Konkurrenca e kufizuar në zgjedhje dhe pjesëmarrja e limituar politike në komunitetet e serbëve të Kosovës ishin çështje të vërejtur nga disa përfaqësues diplomatik që kanë monitoruar procesin zgjedhor. 

z. President,

Në mëngjesin e 28 majit, sipas urdhrave të lëshuar nga gjykata themelore e Prishtinës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion special, i përqendruar kryesisht në komunat veriore, ku në shënjestër ka pasur të dyshuarit për kontrabandë dhe krim të organizuar. Ky operacion çoi  në arrestimin e disa të dyshuarave, duke përfshirë zyrtarë lokalë. Gjatë këtij operacioni u lënduan disa të dyshuar dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan dhe u lënduan në incidente të ndara dy punonjës të UNNMIK-ut në Zubin Potok, një ndërkombëtar dhe një vendor. Është përgjegjësi e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në mënyrë objektive të përcaktojë rrethanat që kanë prekur punonjësit e saj, të cilën gjë ne e bëjmë në mënyrë sistematike në pajtim të plotë me praktikat e OKB-së, si dhe me imperativin për të përcaktuar faktet në mënyrë të shpejtë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme që ju ta dini, duke pasur parasysh informacionet e paverifikuara dhe spekulimet që janë paraqitur në opinion.

Sot dua t’i theksoj vetëm disa pika me interes:   

•             E para, imuniteti i punonjësve tonë nga arrestimi dhe paraburgimi nuk është respektuar. Prona e Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjithashtu është bastisur dhe sekuestruar në mënyrë jo të duhur dhe në kundërshtim me ligjet relevante dhe me imunitetin e Organizatës. 

•             E dyta, përkundër kërkesave tona për bashkëpunim dhe një marrëdhënie pune normale me autoritetet e Kosovës, gjendja e tanishme është se autoritetet u kanë dhënë Kombeve të Bashkuara shumë pak dëshmi relevante apo faktike lidhur me arrestimin dhe lëndimin e punonjësve tonë. Njëkohësisht, disa nga autoritetet e  Kosovës kanë lëshuar deklarata për shtyp, si dhe letërkëmbime diplomatike drejtuar shteteve anëtare të OKB-së. Në këto informata mungon baza adekuate e dëshmive, në kundërshtim me atë që ne kemi kuptuar deri më tani, dhe kemi shmangie nga çështjet thelbësore për një hetim objektiv.    

•             Së treti, një ditë pas largimit nga Kosova të punonjësit tonë ndërkombëtar për qëllime të trajtimit të nevojshëm mjekësor, ai është shpallur publikisht si “persona non grata”, ku edhe unë njëkohësisht kam marrë komunikatën nga autoritetet e Prishtinës, ku ceket e njëjta gjë. Ashtu siç është theksuar, doktrina e “persona non grata” nuk vlen për punonjësit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara apo në lidhje me ta. 

•             Së katërti, jam alarmuar se të dy punonjësit duket se i janë nënshtruar dhunës tepruar dhe keqtrajtimit gjatë arrestimit nga policia, me ç’rast u janë shkaktuar lëndime që kanë kërkuar hospitalizim. Kjo është një çështje që do të jetë pjesë thelbësore e hetimeve që ne i kemi iniciuar.   

 

Gjatë këtyre ngjarjeve, kam qenë i obliguar që vazhdimisht të kërkoj lirimin e menjëhershëm të punonjësve të OKB-së dhe respektimin e të drejtave dhe imunitetit të tyre. Kjo nuk do të ishte e nevojshme po qe se vet autoritetet do të respektonin imunitetin e punonjësve të UNMIK-ut dhe të komunikonin me misionin në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe me kohë.     

Dua që gjithashtu ta bëjë të qartë se misioni ynë plotësisht i përkrahë të gjitha përpjekjet e institucioneve të Kosovës në luftimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe në eliminimin e korrupsionit në institucionet publike. Kjo betejë, siç kam theksuar në deklaratën time publike të datës 28 maj, duhet të bëhet brenda kornizës së parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të cilat mbrohen nga Kombet e Bashkuara, e më së shumti nga ky Këshill.    

z. President,

Pavarësisht nga ngjarjet, siç është ajo e datës 28 maj, UNMIK-u vazhdon t’i fokusoj aktivitetet dhe resurset e veta drejt objektivit të paqes dhe stabilitetit në Kosovë e regjion. Këtë mund ta bëjmë në mënyrë të efektshme vetëm me përkrahjen tuaj të drejtpërdrejtë.  

Shikuar nga aspekti i brendshëm, unë vazhdimisht i shqyrtoj prioritetet e misionit, me ç’rast do të më nevojitet mbështetja juaj për t’u siguruar që të vazhdojmë me plotësimin e rolit tonë në mënyrën më efikase dhe të duhur. Qasja jonë udhëhiqet nga agjenda e parandalimit e Sekretarit të Përgjithshëm dhe përmblidhet përmes fokusit të misionit në ndërtimin e besimit mes komuniteteve. Në këtë drejtim, ne punojmë ngushtë me të gjitha palët e angazhuara në përpjekjet e vullnetit të mirë për transformimin e mjedisit nga ai ‘i konfliktit të ngrirë’ në atë të paqes dhe përparimit.   

Në bashkëpunim me ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe me partnerët tonë të tjerë ndërkombëtarë në terren, ne vazhdojmë t’i fuqizojmë palët e angazhuara në ndërtimin e besimit, duke përfshirë në fushën e të drejtës gjuhësore, të drejtave të njeriut, fuqizimit të rinisë, barazisë gjinore, drejtësisë dhe të dialogut ndërmjet komuniteteve. Në këtë proces ne u jemi përmbajtur udhëzimeve të përcaktuara gjatë Forumit të Kombeve të Bashkuara për ndërtimin e besimit në Kosovë, të mbajtur në maj të vitit 2018, dhe gjithashtu kemi shfrytëzuar hapësirat publike në Kosovë për të vënë pah prioritetin e pajtimit të shprehur nga vet udhëheqësia e Kosovës. Debatet që i përkrahim janë të parapara që në mënyrë specifike të trajtojnë shqetësimet më të ndjeshme të qytetarëve, duke përfshirë procesin e vendimmarrjes politike, tolerancën fetare, fuqizimin e brezave të rinj dhe sfidën e madhe të tejkalimit të së kaluarës dhe të sigurimit të një të ardhmeje më të drejtë e më paqësore për gjeneratat që do vinë.     

Në realizimin e qëllimit tonë që të jemi drejtpërdrejt të angazhuar me institucionet e Kosovës në përkrahje të zbatimit të nismave dhe legjislacionit për të drejtat e njeriut. Edhe pse në masë të madhe i lënë jashtë fokus medial nga raportimet e lajmeve të tjera që erdhën në të njëjtën periudhë kohore, pas një kohe të gjatë Grupi punues për persona të zhdukur më 24 maj u takua në Prishtinë. Grupi diskutoi dhe u pajtua për disa mënyra shumë praktike lidhur me gjetjen e informatave të tjera të nevojshme për trajtimin e rasteve ende të pazgjidhura. Grupi gjithashtu do të parashtroj një raport, ku do të dokumentohen veprimet e ndërmarra që nga viti 2004, ku nga kjo kohë është bërë identifikimi i më shumë se 3300 rasteve.      

Ne vazhdimisht së bashku me partnerët tonë kërkojmë të gjejmë mënyra të reja për promovimin e besimit. Së këndejmi, shpresojmë që institucionet e të dyja palëve do të vazhdojnë t’na bashkohen në përpjekjet tona. Asambleja e tretë e Rinisë e Kombeve të Bashkuara, e bashkorganizuar nga UNMIK-u dhe UNICEF-i, me pjesëmarrjen tepër të rëndësishme të të deleguarës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuar për rini, ka dalë me rekomandime specifike për të rinjtë e mbarë Kosovës që të përfshijnë qeverinë dhe organizatat e tyre joqeveritare në punën për avancimin e tyre. Dita e Hapur Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Prishtinë, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, theksoi nevojën për përfshirje dhe angazhim më të madh të grave, duke përfshirë edhe në proceset më të mëdha politike. Rrjedhimisht, dëshiroj të shfrytëzoj rastin që të mirëpres kontributet fillestare në fondin e mirëbesimit, të themeluar për përkrahje të komuniteteve ashkali, egjiptas dhe rom. Sekretari i përgjithshëm vazhdon nxitjen për dhënien e kontributeve të tjera për mbështetje të projekteve që u shërbejnë nevojave të këtyre grupeve të cenueshme.

UNMIK-u do të vazhdoj punën e ngushtë me partnerët tonë ndërkombëtarë, në veçanti me BE-në dhe me KFOR-in, si dhe me palët e shumta të tjera, të cilat janë duke investuar resurset e tyre në stabilitetin, komunitetin, pajtimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Partnerët tonë ndërkombëtarë kanë investuar resurse shumë të mëdha në Kosovë dhe regjion, dhe palët kanë shprehur dëshirën e tyre që gjithnjë e më shumë t’i afrohen Bashkimit Evropian. Së këndejmi, unë i ftoj palët që ta luajnë rolin e tyre dhe që të marrin përgjegjësitë për realizimin e objektivave të normalizimit dhe për ndihmën në arritjen e jo vetëm të një stabiliteti më afatgjatë, por edhe të një prosperiteti të rritur të regjionit.             

z. President, në përmbyllje, në emër të punonjësve të UNMIK-ut, dëshiroj të falënderoj Këshillin për përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe të ritheksoj vendosmërinë tonë në vazhdimin e zbatimit të mandatit për paqe dhe siguri, të cilin na e keni besuar.      

Ju faleminderit.

 

 

See the full statement of SRSG Zahir Tanin in English here (PDF)

See the full statement of SRSG Zahir Tanin in Albanian here (PDF)

See the full statement of SRSG Zahir Tanin in Serbian here (PDF)

 

See the Secretary-General Report on the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo (June 3, 2019) here (PDF)