DIALOGU I MIRËBESIMIT, KOMUNIKIMI DHE MIRËKUPTIMI I NDËRSJELLË SHËNOJNË RRUGEN PËRPARA, THOTË PSSP ZIADEH NË KËSHILLIN E SIGURIMIT
Në seancën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën sot, që mbahet dy herë në vit, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) Caroline Ziadeh, theksoi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura për një kohë të gjatë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe ndërmjet komuniteteve serbe të Kosovës dhe autoriteteve të Prishtinës, përmes komunikimit të hapur dhe dialogut.
“Një nga vëzhgimet kryesore të përbashkëta është pakënaqësia me nivelin e progresit që po arrihet përmes dialogut politik dhe efektet e drejtpërdrejta që kjo ka në situatën e sigurisë. Niveli i mosbesimit për fat të keq mbetet i lartë dhe duhet adresuar,” tha ajo në Këshill.
PSSP Ziadeh informoi për ngecjet e fundit që pengojnë përpjekjet për të ndërtuar besimin mes komuniteteve etnike të Kosovës përmes dialogut politik. Ajo përsëriti “shqetësimin e saj të vazhdueshëm për mënyrën se si u komunikua dhe u zbatua rregullorja e re për transaksionet me para në dorë, dhe se si ajo ka ndikuar në segmentet më të cenueshme të komuniteteve joshumicë”.
Duke theksuar përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së kontestuar të legjitimitetit të pushtetit lokal në katër komunat, të populluara kryesisht me serbë etnikë në pjesën veriore të Kosovës, dhe pas kërkesës për shkarkim të kryetarëve të komunave, dje nga 46,556 votues të regjistruar votuan vetëm 203, ajo përsëriti mbështetjen e UNMIK-ut për dialogun.
“Kjo fatkeqësisht krijon terrenin për zvarritjen dhe zgjatjen e një çështjeje të brishtë dhe të pazgjidhur. Nga këndvështrimi ynë, ne do të vazhdojmë të mbështesim Dialogun e përkrahur nga BE-ja si forum për të gjetur një zgjidhje konsensuale për çështjet e pazgjidhura”, tha ajo.
“Një aspekt tjetër i marrëveshjeve kryesore, i cili mund të ofrojë zgjidhje për këtë dhe çështje të tjera të pazgjidhura normalizimi, është ndërmarrja e hapave seriozë dhe të besueshëm drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, shtoi ajo.
PSSP Ziadeh vuri në dukje disa përparime gjatë periudhës raportuese, duke përfshirë njohjen dhe vlefshmërinë e targave të automjeteve, hapat e arritur në "udhërrëfyesin e energjisë" dhe lehtësimin e aktiviteteve doganore.
Ajo gjithashtu përgëzoi udhëheqjen e Prishtinës për veprimet e ndërmarra në zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Supreme të vitit 2016, duke afirmuar të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit. “Një veprim i tillë është për t'u përshëndetur, pasi kontribuon në mënyrë të konsiderueshme si për besimin ndërkomunitar, ashtu edhe për besimin e publikut në sundimin e ligjit,” shtoi ajo.
Duke reflektuar mbi përkushtimin e UNMIK-ut për të përdorur burimet e tij për të nxitur besimin dhe tolerancën reciproke, PSSP Ziadeh informoi mbi programet e Misionit, duke përfshirë edhe Forumin e dytë të Kombeve të Bashkuara për ndërtimin e besimit në Kosovë, nëntorin e kaluar, aktivitetet e Qendrës Barabar të mbështetur nga UNMIK-u, mbështetjen e vazhdueshme për Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Institutin e Kosovës për Drejtësi, mbështetje për zbatimin e plotë të Programit për gratë, për paqen dhe sigurinë, dhe Asamblenë e gjashtë të OKB-së për rininë në Kosovë që do të mbahet në maj të këtij viti.
“Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është një pjesë themelore e punës së mandatuar të UNMIK-ut. Së bashku me partnerët tanë, ne vazhdojmë të inkurajojmë autoritetet që të vendosin parimet e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në qendër të gjykimeve të shëndosha të politikave,” tha ajo.
Në fund, PSSP Ziadeh përsëriti rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe që të dyja palët të mbeten të përkushtuara ndaj angazhimit konstruktiv dhe gjetjes së kompromiseve praktike.
“Dialogu i mirëbesimit, komunikimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë shënojnë rrugën përpara. Progresi lind nga veprimet e ndërmarra me vullnetin për të krijuar kompromise”, tha ajo.
Deklaratën e plotë të PSSP-së Ziadeh drejtuar Këshillit të Sigurimit e lexoni këtu: