Dita Ndërkombëtare e Paqes – Murali në kujtim të viktimave të femicidit në Kosovë zbulohet në zemër të Prishtinës
Komunikatë për media
19 shtator 2024 - Këpucët e kuqe shënojnë kujtimin për viktimat e femicidit në Kosovë, si pjesë e një murali që poashtu e njeh guximin e grave që punojnë për paqë, dhe i cili u zbulua me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes.
I pikturuar në ndërtesën e Shkollës së Mesme Xhevdet Doda, murali paraqet një grua që mban një buqetë me lule të diellit, e rrethuar me këpucë të kuqe. Murali u përkrah nga UNMIK-u, në bashkërendim me Mural Fest, një OJQ e artit, si pjesë e përpjekjeve për vetëdijësim rreth barazisë gjinore dhe femicidin në Kosovë, dhe si pjesë e iniciativave të Samitit për të Ardhmën të OKB-së.
Ceremonia inauguruese u mbajt të ejtën nga Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh, dhe nga Nënkryetari i Komunës të Prishtinës Alban Zogaj, derisa Dita Ndërkombëtare e Paqes shënohet nesër (21 shtator).
Duke vënë theksin në kultivimin e kulturës së paqës – që është tema e Ditës Ndërkombëtare të Paqës për këtë vit – PSSP Ziadeh e përshkroi muralin si “produkt të paqes”, i punuar në frymën e bashkëpunimit nga një ekip shumetnik prej gjashtë artistësh të rinj.
“Paqja fillon me mua dhe fillon përbrenda secilit prej nesh. Çdo akt i vogël i dhembshurisë, mirëkuptimit, ndjeshmërisë, dhe bashkëpunimit, kontribuon në qëllimin më të madh për një botë në paqë. Këtu bëhet fjalë për efektin kumulativ të shumë veprimeve të vogla dhe pozitive,” ajo iu tha të pranishmëve, në mes të cilëve ishin edhe Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së në Kosovë Arnhild Spence, pjesëtarë të shoqërisë civile, politikan, grupe të grave dhe aktivistë.
Nënkryetari i komunës Zogaj i falenderoi artistët e rinj për kontributin e tyre për hapësirën qytetare në Prishtinë dhe tha që murali do të ndihmoj në nisjen e bisedave dhe në formësimin e dialogut civil – si dhe do të nisë fundin e numrit të lartë të rasteve të femicidit.
“Ne nuk mund të lejojmë që kultura e heshtjes ose indiferencës të lulëzojë kur gratë vritën në shtëpitë tona, në lagjet tona dhe në rrugët tona. Ne duhet të solidarizohemi dhe duhet të shtyjmë përpara reforma legjislative që pasqyrojnë seriozitetin e kësaj krize”.
Argjenda Azemi, artiste 21 vjeçare nga Ferizaji, e udhëhoqi projektin bashkë me një grup shumetnik të artistëve të rinj – shqiptarë, serb, dhe ashkali – nga e mbarë Kosova.
“Ajo që kam dashur të përfaqësoj me këtë mural, për një temë e cila është shumë e rëndësishme, është një grua që e mbanë kokën lart, dhe në duar ka lule të diellit të cilat përfaqësojnë shpresën, kujtimin, dhe shërimin. Përreth saj janë të shpërndara këpucë të kuqe, dhe secila palë përfaqëson një grua që ka qenë viktimë e dhunës me bazë gjinore,” ajo tha gjatë inaugurimit.
“Doja që ky mural të jetë një kujtim [për viktimat] dhe që të punojmë për një të ardhme më të mirë ku gratë mund të jetojnë pa frikë”.
Drejtoresha e organizatës për mbrojtje sociale Fondacioni Jelena Anzujska, Adrijana Hoxhiq, tha gjatë fjalimi të saj se dhuna sistematike kundër grave dhe vajzave duhet të mbarojë në mënyrë që të mund të filloj paqja.
“Paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse gratë dhe vajzat nuk janë të sigurta; paqja nuk është vetëm mungesë e luftës, është prani e drejtësisë, barazisë dhe sigurisë për të gjithë”.
Për më tepër informata, kontaktoni zëdhënësen e UNMIK-ut Hayat Abu Saleh:
- abusaleh@un.org
- +383 44 151 816
Të bashkangjitura janë fotot dhe videot për përdorim nga mediat, si dhe të përmendet UNMIK-u për të drejtat autoriale.
---------------------------------------
Për Ditën Ndërkombëtare të Paqes:
Tema e Ditës Ndërkombëtare të Paqës për këtë vit është “Kultivimi i Kulturës së Paqës”, qëllimi i së cilës është: “Në një botë me tensione gjeopolitike në rritje dhe konflikte të zgjatura, kurrë nuk ka pasur kohë më të mirë për të kujtuar si Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u mblodh në vitin 1999 për të përcaktuar vlerat e nevojshmë për një kulturë të paqës. Këto vlera përfshijnë: respektimin e jetës, të drejtave njerëzore dhe lirive themelore; promovimin kundër dhunës nëpërmjet edukimit, dialogut dhe bashkëpunimit; përkushtimin ndaj zgjidhjeve paqësore të konflikteve; dhe përkushtimin ndaj lirisë, drejtësisë, demokracisë, tolerancës, solidaritetit, bashkëpunimit, pluralizmit, diversitetit kulturor, dialogut dhe mirëkuptimit në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe në mes kombeve”.
Për Samitin e së Ardhmës:
Samiti është ngjarje e nivelit të lartë, që do të mbledhë liderë botëror për të arritur konsensus të ri ndërkombëtar se si mund të arrijmë një të tashme më të mirë dhe si ta mbrojmë të ardhmën. Bashkëpunimi efektiv në nivel global është tejet e rëndësishëm për mbijetesën tonë por i vështirë për tu arritur në një mjedis ku mungon besimi dhe ku ende përdoren struktura të vjetërsuara të cilat nuk pasqyrojnë realitetet aktuale politike dhe ekonomike. Ky rast, i cili vjen një herë në një gjeneratë, shërbën si moment për të sanuar besimin e dëmtuar dhe për të demonstruar që bashkëpunimi ndërkombëtar mund të arrijë në mënyrë të efektshme qëllimet e pajtuara si dhe të trajtojë kërcënimet dhe mundësitë e së ardhmës. Në shtator, liderë botëror do të mblidhen në Kombet e Bashkuara për ta miratuar Paktin për të Ardhmën, i cili poashtu do të përfshijë si anekse Global Digital Compact dhe Deklaratën për Gjeneratat e Ardhshme.
Për Muralin:
I përkrahur nga UNMIK-u, murali synon të siguroj që rastet në rritje të viktimave të femicidit nga të gjitha komunitetet në Kosovë, nuk do të harrohen; që humbja e këtyre grave mund të shkoj përtej dhimbjes dhe të shndërrohet në gatishmëri për veprim dhe në një thirrje kolektive për dinjitet, respektim të jetës dhe për paqe. Përkrahja e dialogut dhe promovimi i mirëkuptimit për një temë që shpesh shihet si çështje private familjare është komponent thelbësor i shoqërive paqësore dhe të hapura, në të cilat viktimat dhe të mbijetuarat kanë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.