PSSP dhe shefja e UNMIK-ut Ziadeh i thotë Këshillit të Sigurimit të OKB-së se e vetmja rrugë e pranueshme përpara është përmes dialogut dhe kompromisit
PRISHTINË – PSSP-ja dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, iu drejtua seancës së sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Kosovë, përfshirë rregullorën e re të monedhës nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës, ajo shprehu shqetësimin e thellë për ndikimin e veprimeve të njëanshme që bien qartë në kuadër të procesit të dialogut politik dhe marrëveshjeve qeverisëse të tij.
"Unë do të vazhdoj t'i bëj thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në mënyrë aktive dhe me mirëbesim, në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, vendi ku do të trajtohen çështjet më të ndjeshme politike që prekin komunitetet," tha Ziadeh.
Duke riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe sigurimin që të gjitha veprimet e ndërlidhura të ankorohen në parimet e të drejtave të njeriut, PSSP-ja përsëriti se veprimet të cilave u mungon konsultimi i duhur me komunitetet përkatëse rrezikojnë ndjenjën e sigurisë dhe jetesën e njerëzve. "Veprime të tilla jo vetëm që rrisin tensionet, por edhe dobësojnë potencialin për paqe dhe siguri të qëndrueshme të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në frymën e parandalimit të konfliktit, duhet bërë më shumë për të fituar zemrat dhe mendjet e komuniteteve joshumicë," tha ajo.
PSSP Ziadeh vuri në dukje se është thelbësore që përpjekjet drejt zgjidhjeve të negociuara dhe të pranuara reciprokisht të mos lëkunden dhe se “e vetmja rrugë e pranueshme përpara është ajo që bazohet në dialog dhe kompromis, që përfshin të drejtat e njeriut dhe siguron zbatimin e barabartë të sundimit të ligjit. "
Deklaratën e plotë të PSSP Ziadeh drejtuar Këshillit të Sigurimit mund ta gjeni këtu.