Ndërtimi i mirëbesimit në Kosovë fiton vrull të ri: Apatia dhe dështimi nuk janë opsione

23 Nën 2023

Ndërtimi i mirëbesimit në Kosovë fiton vrull të ri: Apatia dhe dështimi nuk janë opsione

Selanik, 23 nëntor 2023 – Përfundoi sot në Selanik Forumi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Mirëbesimit në Kosovë, i organizuar nga UNMIK-u: Mbështetja e Bashkësisë për një të Ardhme më të Mirë, duke i dhënë një vrull të ri ndërtimit të mirëbesimit në Kosovë.

Gjatë tri ditëve të fundit, 120 përfaqësues të përkushtuar të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve nga komunitete të ndryshme të Kosovës punuan për të zhvilluar një udhërrëfyes të ripërtrirë për ndërtimin e besimit.

Udhërrëfyesi, që mbulon fushat e sundimit të ligjit, të drejtave gjuhësore, mediave, pjesëmarrjes dhe përfshirjes qytetare, fuqizimit ekonomik dhe mjedisit, përfshin rekomandime konkrete dhe pika veprimi për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve dhe për të ndihmuar Kosovën të përparojë si një shoqëri multietnike dhe demokratike, bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

“Së bashku, ju keni zhvilluar 27 rekomandime dhe pika veprimi specifike, të matshme, realiste dhe të kufizuara në kohë për të arritur përparim të vërtetë në çuarjen përpara të agjendës së ndërtimit të mirëbesimit në Kosovë,” tha PSSP dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të Forumit.

 “Tani fillon faza tjetër, dhe ndoshta më kritike, e punës sonë në zbatimin e këtyre rekomandimeve, dhe ne do ta bëjmë këtë me një ndjenjë të ripërtërirë shprese, energji të përtërirë dhe lidhje personale të ripërtërira. Ne zgjedhim solidaritetin dhe bashkëpunimin në vend të izolimit dhe ndarjes, duke e ditur se apatia dhe dështimi nuk janë opsione.”

Rekomandimet kryesore dhe pikat e veprimit përfshijnë:

- Promovimin, mbrojtjen dhe ndërgjegjësimin për të drejtat gjuhësore si mundësues i të drejtave të tjera të njeriut;

- Inkurajimin e bizneseve të përbashkëta/bashkëpronësie nga pjesëtarët e komuniteteve shumicë dhe joshumicë;

- Filtrimin e ndikimit politik në media, luftimin e dezinformimit dhe nxitjen e platformave dhe vendtakimeve për bashkëpunim ndërmjet mediave;

- Rritjen e përfshirjes dhe shërbimeve sociale për grupet e cenueshme sociale dhe ngritjen e kapaciteteve efikase të komunikimit të institucioneve në ofrimin e shërbimeve për të gjitha komunitetet;

- Rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe besimit të publikut në institucionet e sundimit të ligjit, përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore brenda procedurave ligjore; dhe

- Gjelbërimin e ekonomisë së Kosovës përmes partneritetit me sektorin privat, krijimin e shtytësve ekonomikë për bizneset e lidhura me mjedisin dhe promovimin e parimeve të ekonomisë qarkulluese.

Përmes angazhimit të tij të vazhdueshëm, UNMIK-u do të mbështesë shoqërinë civile, mediat dhe institucionet e Kosovës në zbatimin e pikave të veprimit, të cilat gjithashtu do të udhëheqin përpjekjet e UNMIK-ut për aktivitete programatike dhe ndërtim të besimit.

Udhëheqës ndërkombëtarë dhe rajonalë, duke përfshirë baroneshën Catherine Ashton, ish- përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian, Vesna Pusic, ish-ministre e Jashtme kroate, Giovanni Pietro Barbano, Shefi i Misionit të EULEX-it, Eva Palatova, Zëvendës Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë iu bashkuan forumit. Ata ofruan pikëpamjet dhe këshillat e tyre se si të vazhdohet me besim në të gjitha sferat e jetës në Kosovë.

 “Sipas fjalëve të Sekretarit të Përgjithshëm, ne mund të ecim përpara me shpresë, bindje dhe njëri-tjetrin,” tha PSSP Ziadeh.