PSSP Tanin në Sesionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën: “Dialogu Nuk Ka Alternativë”
27 shkurt 2017 – Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë (PSSP), Zahir Tanin, theksoi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit sot se vazhdimi i dialogut në nivelin më të lartë në mes të Beogradit dhe Prishtinës është “hap thelbësor” në përpjekjet e përtërira për të ndërtuar besimin dhe mirëbesimin. Në raportimin e tij të rregullt për Kosovën, PSSP Tanin përshëndeti diskutimet rreth implementimit të Asociacionit/Bashkësisë të komunave me shumicë serbe të ardhshme, pikë kyçe e marrëveshjes së prillit 2013.
“Dialogu nuk ka alternativë,” theksoi PSSP Tanin.
Duke theksuar rëndësinë e lartë që politikat elektorale të mos pengojnë proceset vitale dhe progresin, PSSP Tanin nënvizoi se normalizimi i raporteve, pajtimi dhe drejtësia tejkalojnë objektivat afatshkurta politike – dhe duhet t’ju shërbejnë qëllimit të “përmirësimit të jetës së njerëzve.” Duke theksuar se “lidershipi i guximshëm dhe veprimet pozitive janë të rëndësishme për promovimin e ndryshimit të qasjeve,” PSSP Tanin shprehu mirënjohje për hapat e ndërmarrë nga disa liderë dhe inkurajoi përpjekje më të qëndrueshme për të tejkaluar të kaluarën, dhe për t’u fokusuar në të ardhmen.
I vetëdijshëm se puna në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në Kosovë duhet të vazhdojë, PSSP Tanin nënvizoi se “adresimi i papunësisë, progresi në sundimin e ligjit, dhe luftimi i korrupsionit mbeten kyçe për të gjithë njerëzit në Kosovë.”
Duke njohur kërcënimin nga ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi në Kosovë dhe përgjatë rajonit, PSSP Tanin përshëndeti qasjen holistike të autoriteteve të Kosovës, e cila me të drejtë përfshin komponentë arsimor dhe zhvillimor.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore, përkushtimi drejt një të ardhme të përbashkët përbrenda hapësirës së unifikuar të Evropës, zotimi ndaj të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, dhe zgjidhja e kontesteve përmes mjeteve paqësore të dialogut dhe kompromisit janë thelbësore për Kosovën siç janë edhe për tërë rajonin,” nënvizoi PSSP Tanin.