PSSP Ziadeh - Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Zotimet e bëra në marrëveshjet e fundit duhet të shoqërohen me udhëheqje dhe veprime të guximshme 

27 Pri 2023

PSSP Ziadeh - Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Zotimet e bëra në marrëveshjet e fundit duhet të shoqërohen me udhëheqje dhe veprime të guximshme 

Udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë duhet të ndërmarrin hapa të përgjegjshëm për të rindërtuar besimin në normalizimin e marrëdhënieve, tha Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm Caroline Ziadeh në fjalimin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit.

Duke folur në lidhje me marrëveshjet e rëndësishme të arritura nga palët, Shefja e UNMIK-ut u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në raportimin e saj të fundit për Kosovën, që mbahet dy herë në vit, se mungesa e një përkushtimi të dukshëm nga liderët politikë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin rajonal.

“Një përqëndrim i vazhdueshëm i vëmendjes në parimet dhe deklaratat e pohuara bashkërisht më 27 shkurt në Bruksel dhe të shtjelluara më tej më 18 mars në Ohër, duhet të shoqërohen me një udhëheqje të guximshme.”

Duke vënë re vazhdimin e provokimeve dhe ankesave, PSSP Ziadeh tha se përmirësimi i raporteve kërkon rindërtim të besimit "[nga] ata që kanë ngritur dyshime për qëllimet e secilës palë".

Ajo gjithashtu inkurajoi liderët që të komunikojnë qartë dhe në vazhdimësi me zgjedhësit e tyre mbi çështjet që prekin jetesën, paanshmërinë e institucioneve gjyqësore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ofrimi i garancive është i nevojshëm për të zëvendësuar ndjenjat e mosbesimit dhe paqartësisë që ndjejnë banorët në të dyja anët e lumit Ibër. Retorika akuzuese duhet të shmanget dhe frika të zëvendësohet me shembuj konkret për besim dhe optimizëm.”

Shefja e UNMIK-ut theksoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 23 prill. Në të njëjtën kohë, ajo tha se duhet të adresohen dilemat rreth përfaqësimit, dhe u bëri thirrje liderëve dhe institucioneve të zgjedhura që të përmbushin interesat e të gjitha komuniteteve.

Shikuar drejtë së ardhmës, PSSP Ziadeh shpreson se miratimi i pritshëm i një Deklarate të përbashkët për Personat e Zhdukur do të mundësonte rifillimin e bashkëpunimit të plotë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Grupin Punues për Personat e Zhdukur.

"Kjo do t'u siguronte familjarëve nga të dyja palët, mundësinë të marrin përgjigje për më të dashurit e tyre."

Ajo gjithashtu bëri thirrje për një “shqyrtim në mirëbesim” të Draft Statutit për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

PSSP Ziadeh foli gjithashtu për takimet dhe komunikimin e saj me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të institucioneve politike:

“Ndjenjat që kam hasur më së shpeshti  janë ato të zhgënjimit dhe shqetësimit, nga një e ardhme e pasigurt. Megjithatë shoh edhe frymën dhe vullnetin për të punuar në krijimin e një realiteti më të mirë. Kjo është diçka që ne e vlerësojmë, derisa punojmë së bashku me të gjithë që përpiqen të arrijnë ndryshime pozitive dhe të prekshme.”

Duke folur për punën e misionit, PSSP Ziadeh theksoi se ky vit shënon përvjetorin e pestë të agjendës së UNMIK-ut për ndërtimin e mirëbesimit, qëllimet e së cilës janë: promovimi i dialogut në mes të komuniteteve, qëndrueshmëria dhe mirëbesimi ndërmjet komuniteteve.

“Ndërtimi i mirëbesimit mund të ndihmojë në qartësimin e rrugës drejtë normalizimit politik. Marrëveshjet politike kanë nevojë për një vend ku mund të zhvillohen. Këto qasje, së bashku përbëjnë rrugën e mirëfilltë, drejtë një të ardhme më të qëndrueshme, paqësore dhe më të ndritur,” tha ajo.

Në fund, PSSP Ziadeh konfirmoi sërish përkushtimin e UNMIK-ut, në mbështetje të progresit dhe komuniteteve të Kosovës.

"Këtë do ta bëjmë me shpresën se zgjidhjet e bëra nga liderët politikë - dhe përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve të tyre - do të çojnë drejt mundësive më të mëdha për një gjeneratë që meriton më shumë."

Lexoni deklaratën e plotë të PSSP Ziadeh këtu:

Anglisht Shqip - Serbisht

Lexoni këtu raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën.