DEKLARATË PËR SHTYP E UNMIK-UT, 4 DHJETOR 2017
4 dhjetor 2017 – Duke pasur parasysh deklaratat e fundit dhe raportet e mediave lidhur me rolin e UNMIK-ut në relacion me vendimet e fundit dhe funksionet e INTERPOL-it, UNMIK-u paraqet shpjegimin vijues:
Në pajtim me rolin e UNMIK-ut sipas Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2002 UNMIK-u lidhi Memorandum të Mirëkuptimit me INTERPOL-in për “Bashkëpunim për parandalimin e krimit dhe për drejtësinë penale”. Qëllimi i këtij Memorandumi ishte të krijohet një kornizë për bashkëpunim në mes të palëve, duke përfshirë edhe shkëmbimin e informacioneve të policisë, shpalljen dhe qarkullimin e letërreshtimeve të INTERPOL-it, shpërndarjen e urdhërkërkimeve dhe qasjen në rrjetin dhe bazën e të dhënave të INTERPOL-it. Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të INTERPOL-it dhe UNMIK-ut mbetet në fuqi.
Prandaj, UNMIK-u vepron si ndërlidhës në mes të autoriteteve të Kosovës dhe INTERPOL-it, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me parandalimin e krimit, me bashkëpunimin policor dhe me drejtësinë penale.
Në këtë kontekst, në dhjetor të vitit 2016, UNMIK-u i dërgoi një shkresë NTERPOL-it, e përpiluar nga autoritetet e Kosovës, duke kërkuar heqjen e letërreshtimeve ndërkombëtare (LN) kundër 20 banorëve të Kosovës, në bazë të Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të KB-së, ashtu siç ka bërë në të gjitha rastet e tilla në të kaluarën.
Nëse ka pyetje lidhur me autoritetin e INTERPOL-it dhe procedurat e brendshme, si dhe vendimin e fundit, mund të kontaktoni INTERPOL-in drejtpërsëdrejti.