Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore bënë thirrje për pjesëmarrje kuptimplote të grave në dialogun Prishtinë-Beograd

19 Qer 2020

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore bënë thirrje për pjesëmarrje kuptimplote të grave në dialogun Prishtinë-Beograd

Ne, anëtarët e poshtëshënuar të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, kërkojmë që të sigurohet pjesëmarrje kuptimplote e grave në delegacionin e Prishtinës, që merr pjesë në dialogun Prishtinë-Beograd për normalizim të marrëdhënieve, si dhe në grupet punuese të krijuara për të informuar dialogun.
 
Që nga miratimi i Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325, komuniteti ndërkombëtar ka punuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për  mungesën e përfaqësimit të grave në përpjekjet globale për sigurim të paqes, duke u zotuar dhe duke u bërë thirrje të tjerëve për përfshirjen e grave në arritjen e paqes. Mungesa e përfaqësimit të grave është edhe arsyeja pse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka prioritizuar pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në proceset e paqes në Rezolutën 1325 (2000) si dhe në rezolutat pasuese. 

Fatkeqësisht, këto thirrje nuk kanë marr përgjigje të pritura nga qeveritë, siç edhe është rasti me dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve i cili deri më tani ka mbetur një proces i “verbër” ndaj barazisë gjinore. 

Ligji për Barazi Gjinore (Nr. 05/L-020) bënë thirrje për përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave në pozitat vendimmarrëse në nivele ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Gjithashtu, pjesëmarrja e grave në proceset e negocimit, paqes dhe pajtimit është në mesin e objektivave kryesore të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024.

Institucionet e Kosovës duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre të deritanishme për mbajtjen e përgjegjësive të tyre në zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, pasi që gratë kanë qenë të nën-përfaqësuara në pozitat e larta politike, por edhe në negociata dhe në dialogun me Beogradin, përfshirë edhe në cilësinë e ekspertëve teknik, si dhe në konsultimet publike në lidhje me përmbajtjen e negociatave dhe dialogut. Gratë në Kosovë nuk janë spektatore pasive apo vetëm viktima apo shënjestra.

Historikisht kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë rolin e agjenteve aktive në proceset e ndërtimit të paqes, politikë-bërjes dhe rimëkëmbjes.

Institucionet e Kosovës kanë gra të kualifikuara që mund të marrin pjesë si agjente aktive të ndryshimit dhe t’i udhëheqin përpjekjet për ndërmjetësim dhe negocim. Duke pasur këtë parasysh, ne kërkojmë nga institucionet e Kosovës që menjëherë t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe të sigurojnë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. 

Për më tepër, kërkojmë që ky proces të jetë i hapur dhe transparent dhe të organizohet me qasje poshtë – lartë, në bazë të konsultimeve me gra dhe burra të ndryshëm në lidhje me nevojat dhe pritjet e tyre nga dialogu. Jemi të gatshëm që të japim informacione në lidhje me personat e mundshëm të kualifikuar dhe mbështetje në organizimin e konsultimeve publike drejt sigurimit të një procesi demokratik, transparent dhe pjesëmarrës, që është shumë e rëndësishme për paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon.

Shënim për shtypin:

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) është grup i shumë akterëve, i cili kryesohet nga UN Women. Palët nënshkruese në vijim janë anëtare të SGG dhe e përkrahin këtë deklaratë publike:

Organizatat për gratë: Rrjeti i Grave të Kosovës (151 organizata), Women 4 Women – Kosovë, Kvinna till Kvinna, Fondacioni Jahjaga, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), OJQ Zensko Pravo.

Organizatat ndërkombëtare/ambasadat: Ambasada e Finlandës, Ambasada e Suedisë, Ambasada e Francës në Kosovë, Ambasada e Britanisë, UN Development Coordinator (UNDCO), UN Women, UNFPA, UNHCR, UNMIK- Misioni i OKB-së në Kosovë, EULEX, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, IOM, UNDP, UN-Habitat.