PSSP Tanin në Këshillin e Sigurimit për Kosovën: Koha e veprimeve tani tejkalon kohën e arsyetimeve

14 Nën 2017

PSSP Tanin në Këshillin e Sigurimit për Kosovën: Koha e veprimeve tani tejkalon kohën e arsyetimeve

14 nëntor, 2017 – New York: Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, theksoi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit sot se me përfundimin e ciklit zgjedhor në Kosovë, “koha e veprimeve tani tejkalon kohën e arsyetimeve”. Në raportimin e tij të rregullt për Kosovën, PSSP Tanin nënvizoi se shenjat e vullnetit politik dhe përkushtimit për të lëvizur përpara vërehen gjithnjë e më shumë.

Duke folur për integrimin e 40 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve të rinj të shtetit nga komuniteti serb në “sistemin unik të drejtësisë në Kosovë”, PSSP Tanin lavdëroi palët për shtyrjen e këtij procesi përpara. Duke nënvizuar se zbatimi teknik përbrenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja kërkon përkushtim më domethënës nga të dyja palët, PSSP Tanin theksoi mungesën e progresit drejt zbatimit të marrëveshjes për Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë serbe. 

Duke nënvizuar rëndësinë e mospenguarjes së një procesi të qëndrueshëm paqeje nga jofleksibiliteti apo mosveprimi i thjeshtë, PSSP Tanin theksoi, “marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës kanë potencial zhvillimi përtej ngërçit fatkeq të tejzgjatur.”  

Sa i përket CEFTA-s, PSSP Tanin theksoi se përfaqësuesit e Prishtinës marrin pjesë në të gjitha takimet e CEFTA-s dhe se pjesëmarrja e UNMIK-ut kufizohet nga dispozitat e statuteve ligjore. “Kjo pjesëmarrje vazhdon pikërisht deri në masën e kërkuar nga anëtarët e CEFTA-s për të siguruar funksionimin e saj, që përkthehet pastaj në përkrahje të mundësive ekonomike përgjatë rajonit”, PSSP Tanin nënvizoi.

PSSP Tanin theksoi se, “nevoja urgjente e ofrimit të mundësive ekonomike dhe punësimit, nevoja e luftimit të korrupsionit dhe sigurimit të llogaridhënies publike në të gjitha nivelet, dhe ndoshta mbi të gjitha, luftimi i kriminalitetit të organizuar janë objektivat kryesore.” E objektivi përfundimtar mbetet i qartë, “paqja e qëndrueshme, dhe mundësitë që sjell për individët që t’i përmbushin aspiratat dhe potencialin e tyre.”

Lexo deklaratën e plotë të PSSP-së në shqip. (PDF)

Lexo përkthimin e raportit të  Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për aktivitetet e UNMIK-ut, dhe zhvillimet e ndërlidhura, prej 16 korrikut deri më 15 tetor 2017, në shqip këtu. (PDF)