Me lojë drejt një komuniteti më të mirë
Në fushën e sportit të rrethuar nga bjeshkët e Pejës, një grup i të rinjve janë në mes të lojës. Por në lojën e tyre entuziaste ka më shumë se që vërehet në shikim të parë. Duke i ndjekur bashkëlojtarët e tyre rreth fushës, ata po mësojnë për të drejtat e njeriut.
Play International, mbështetur nga UNMIK-u, organizoi një vikend trajnimi ku të rinjtë nga i tërë spektri i komuniteteve të Kosovës bashkohen për të mësuar për ligjin dhe parimet e të drejtave të njeriut, pjesën më të madhe të kësaj përmes lojrave. Përgjatë pjesës së mbetur të vitit ata do të jenë të zënë si pjesë e vullnetarëve të Play International duke themeluar klube për të drejtat e njeriut nëpër shkollat dhe qytetet e tyre.
16 vjeçarja Marigona Gashi, nga Skënderaj, po merrte pjesë për herë të parë në një ngjarje të Play International për të mësuar më shumë për mjetet që ndihmojnë në luftimin e “shumë shqetësimeve rreth të drejtave të njeriut në Kosovë”.
“Mendoj se është ide shumë e mirë që po mësojmë gjëra duke i praktikuar ato dhe në të njejtën kohë na ndihmon të relaksohemi.”
Ajo thotë se shqetësimet e saja më të mëdha kanë të bëjnë me papunësinë e lartë dhe diskriminimin në bazë të arsimimit. Ajo thotë se është e kënaqur me progresin e bërë nga gratë sa i përket qasjes në arsimim dhe punësim.
Gratë duhet të luftojnë për të drejtat e tyre dhe siguri financiare"
Asmir Vraneši, 25, është poashtu vullnetar i projektit të Klubeve për të Drejta të Njeriut, si dhe ka punuar si kordinator i projektit Sport4Youth më 2015 dhe më 2016 ka organizuar trajnime dhe aktivitete në 12 qendra të ndryshme.
Ai thotë se fillimisht interesi ndaj OJQ-së u lidh me interesin e tij ndaj sportit – por shpejtë kuptoi se sa i dobishëm ishte sporti si mjet për të mësuar për aspektet si të drejtat e njeriut dhe afrimi i komuniteteve.
“Pasi fillova të punoj me ta e kuptova se sa të rëndësishme janë aktivitetet sportive për fëmijët, fakti që unë mund t’i mësoja ata ca gjëra dhe që unë do të isha si shembull për ta. Kjo më motivoi të bëhem vullnetar dhe të angazhohem në këto aktivitete.”
Por njëkohësisht ky ishte një hap qenësor në afrimin e të rinjëve të përkatësive të ndryshme, thekson ai.
“Shumë vullnetarë nga komunitetet e ndryshme asnjëherë nuk kanë pasur rastin të takohen. Kjo ju ndihmoi që ata ta kuptojnë njëri tjetrin më mirë, ta kuptojnë kulturën e njëri tjetrit.”
“Ishte një hap i madh për të gjithë dhe besoj që të gjithë ne… kemi arritur të bëjmë miqësi të reja në qytete tjera, por edhe miqësi në mes të komuniteteve të ndryshme.”
Menaxherja e Projektit nga Play International Valentina Picaldi thekson se sporti dhe loja ju ndihmojnë të rinjëve të kultivojnë gjuhë të përbashkët.
“Ne besojmë në fuqinë e sportit si mjet për bashkimin e njerëzve dhe rinisë nga përkatësitë e ndryshme.”
“Përmes lojës ne mund të arrijmë të rrisim vetëdijen për çështje të ndryshme… Të drejtat e njeriut janë çështje kyçe që mund të diskutohen përmes kësaj metodologjie.”
Play International ka “fokus të shtuar” në komunitete dhe në atë se çka do të thotë të jesh pjesë e një grupi multietnik, thotë ajo.
Ajo shton se qëllimi përfundimtar është të rritet vetëdijësimi në nivel më të gjerë dhe të inkurajohet rinia që të ndërmerr veprime vet, si grupe multietnike.
“Efekti final duhet të jetë që sa më e vetëdijësuar të jetë shoqëria, aq më të respektueshëm dhe më të hapur do të jenë njerëzit ndaj njëri tjetrit. E si rrjedhojë edhe më tolerantë dhe të respektueshëm.”