Të folurit njëzëri: hulumtimi i potencialit kolektiv të OJQ-ve për të drejta të njeriut

28 Tet 2019

Të folurit njëzëri: hulumtimi i potencialit kolektiv të OJQ-ve për të drejta të njeriut

Partnerët e UNMIK-ut për të drejtat e njeriut mësuan gjatë një trajnimi të përbashkët se porositë për të drejtat e njeriut do të jehojnë më zëshëm nësë organizatat flasin njëzëri.

Më shumë se 30 Organizata Joqeveritare (OJQ) prej anekënd Kosovës u mblodhën në një trajnim dy-ditor në qytetin multikulturor të Prizrenit më 21 dhe 22 tetor, për të mësuar lidhur me një gamë aspektesh ligjore të bashkëveprimit me mekanizmat e OKB-së për të drejtat e njeriut.

OJQ-të që punojnë për të mbrojtur liritë themelore dhe të drejtat e grupeve të cenueshme nga diskriminimi dhe shkeljet e të drejtave civile dhe politike, shkëmbyen përvojat e tyre gjatë punëtorisë, e cila mblodhi ekspertë nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (ZKLDNj) dhe përfaqësues rajonalë të OJQ-ve.

Alban Muriqi, menaxher i projektit të Qendrës për Rehabilitim të Viktimave të Torturës në Kosovë, e vlerësoi mundësinë e të qenurit pjesë e një punëtorie të tillë, duke theksuar faktin që punëtoria është përgjigje e drejtëpërdrejtë e nevojave dhe kërkesave për zhvillim të mëtejmë dhe trajnim të të gjitha OJQ-ve për të drejtat e njeriut.

“Rritja dhe zhvillimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për të raportuar në të drejtat a njeruit ka një rëndësi të madhe, pasi që ka një mungesë të qartë të dijes së përgjithshme në këtë fushë.”

Ai tha që trajnimi është po ashtu një mundësi e shkëlqyer për t’u lidhur me përfaqësues të tjerë të OJQ-ve.

“Duket që çdo OJQ raporton në mënyrë individuale për çështje të ndryshme të të drejtave të njeriut, dhe nuk ka koordinim e as bashkëpunim.”

Tamara Vuçiq, një vullnetare e re tek OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë me seli në Graçanicë, tha që është shumë e interesuar për të mësuar më shumë lidhur me mekanizmat dhe metodat e reja të raportimit mbi të Drejtat e Njeriut në OKB në përgjithësi.

“Pjesa më interesante e punëtorisë qe të dëgjoja për përvojat e ndryshme të trajnerit. Ka aq shumë çështje në mbarë botën për të cilat ne nuk jemi në dijeni,” tha ajo duke shpjeguar vlerën e ushtrimeve të ndryshme që u mbajtën gjatë punëtorisë.

“Një çështje shumë e ndjeshme për të cilën ushtruam, ishte aborti. Ishte shumë e vlefshme të mësojmë për kompleksitetin e kësaj çështjeje dhe përmasën në të cilën të drejtat e gruas janë të shkelura në aq shumë raste kur është fjala për abortin,” ajo shtoi. 

Kosova nuk është pjesë e instrumenteve ndërkombëtare për të drejta të njeriut dhe kjo e bën rolin e shoqërisë civile kyç.

Përfaqësuesja nga OJQ-ja e Mitrovicës Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve, Zana Syla, theksoi se punëtoria ishte e pazëvendësueshme në ofrimin e hapësirës për ekzaminimin e sfidave me të cilat ballafaqohen OJQ-të në raportimin kolektiv.

“Nëse ne, të gjitha OJQ-të që punojnë në të drejtat e njeriut, arrijmë të përfundimisht përpilojmë një raport gjithpërfshirës mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, kjo do të ishte një arritje e jashtëzakonshme,” tha ajo.

Duke folur për kapacitetet dhe aktivitetet e OJQ-së ku punon, entuziazmi i saj i jashtëzakonshëm del në pah kur fillon të flasë për bashkëpunim më të ngushtë me OJQ tjera.

OJQ-të e shumta për të drejta të njeriut në Kosovë do të ishin më të fuqishme po të flisnin njëzëri, tha ajo.

 “Askush nuk mund ta injorojë zërin e 30 OJQ-ve që flasin një gjuhë dhe përpilojnë një raport gjithpërfshirës mbi çështjet e të drejtave të njeriut në Kosovë” theksoi ajo duke shtuar se trupat e ndryshëm ndërkombëtarë dhe organizatat zgjedhin citate nga OJQ individuale gjatë përgatitjes së raporteve të tyre.

Trajnimi, që synoi forcimin e shkathtësive raportuese të OJQ-ve dhe njohuritë e tyre për mekanizmat e të drejtave të njeriut, mund të jetë tejet i dobishëm për t’ju ndihmuar partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë të kuptojnë dinamikat e vazhdueshme dhe çështjet urgjente të të drejtave të njeriut, kësisoj duke ndihmuar në promovimin dhe hulumtimin e rrugëve për përparimin e mëtejmë të agjendës për të drejtat e njeriut në Kosovë, theksoi shefi i të Drejtave të Njeriut pranë UNMIK-ut dhe përfaqësuesi i ZKLDNj-së në Kosovë Jerome Bouyjou.

“Ky proces gjithashtu do t’ju mundësojë atyre të ndërtojnë konsenzus të gjërë dhe të promovojnë mirëkuptim më të përbashkët rreth gjendjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi. Kjo gjithashtu duhet t’i inkurajojë autoritetet vendore që të raportojnë më tutje mbi të drejtat e njeriut,” tha ai.