Tabuja e dhunës me bazë gjinore trajtohet gjatë shfaqjes së dokumentarit në mbarë Kosovën

19 Mar 2019

Tabuja e dhunës me bazë gjinore trajtohet gjatë shfaqjes së dokumentarit në mbarë Kosovën

Tabuja rreth dhunës me bazë gjinore që akoma ekziston në Kosovë u theksua nga shumë njerëz gjatë shfaqjes në mbarë Kosovën të dokumentarit të prodhuar nga UNMIK-u për lidhjen në mes të drejtave pronësore dhe dhunës në familje

Not Your Property Screenings

Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, dokumentari “Not Your Property” i cili trajton lidhjet në mes dhunës me bazë gjinore dhe zakonet tradicionale të trashëgimisë pronësore në Kosovë, u shfaq në disa komuna të Kosovës si pjesë e Fushatës 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, fushatë ndërkombëtare që synon ta sfidoj dhunën kundër grave dhe vajzave. Fushata zhvillohet çdo vit duke filluar nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave.

Duke trajtuar lidhjen në mes dhunës dhe të drejtave pronësore, dokumentari shqyrton mënyrën si zakonet i lënë gratë të ndjeshme ndaj dhunës në familje.

Alban Uksana, 35-vjeçar nga Prishtina, tha që i kishin lënë mbresa katër gratë që ishin viktima të dhunës në familje, dhe të cilat folën haptazi për përvojat e tyre në dokumentar. “Kjo është ende një lloj i tabusë dhe jo çdo viktimë ka dëshirë të flasë për përjetimet e saj,” tha ai.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, poashtu e përshkroi dhunën gjinore si temë tabu, duke shtuar se rastet e dhunës në familje rrallëherë raportohen tek autoritetet. “Ky fenomen është prezent në shoqërinë tonë. Nga raportet kemi parë se vetëm 40 përqind e rasteve të dhunës gjinore raportohen tek autoritetet. Rastet e tjera fshihen ose mbahen në heshtje”.

Filmi u shfaq në dhjetë komuna në Kosovë, në ngjarje të organizuara nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat u përcollën edhe me diskutime në mes të autoriteteve, aktivisteve dhe publikut. Filmi u shfaq në Prishtinë, Kamenicë, Graçanicë, Novobërdë, Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë të Veriut.

Pas shfaqjes së filmit u zhvilluan diskutime të bujshme në mes publikut dhe përfaqësuesve të institucioneve, policisë, drejtësisë dhe të komunave. Në disa komuna, sociologët dhe përfaqësuesit e OJQ-ve iu përgjigjen pyetjeve të publikut mbi çështje të ndryshme.

Maria Gjini Kurt nga Ferizaji, një mësimdhënëse dhe aktiviste me përvojë për të drejtat e grave, i përshkroi gratë si ‘qelizën njerëzore’ të shoqërisë: “nëse nuk ka emanicipim të gruas, atëherë e tërë shoqëria do të shkatërrohet”.