Tryezë e Rrumbullakët në Gjenevë për Personat e Zhdukur si Rezultat i Konfliktit në Kosovë

27 Kor 2017

Tryezë e Rrumbullakët në Gjenevë për Personat e Zhdukur si Rezultat i Konfliktit në Kosovë

Gjenevë - 30 qershor, 2017: Më 29 dhe 30 qershor 2017, anëtarët e Grupit Punues për Persona të Zhdukur si Rezultat i Ngjarjeve në Kosovë, përfaqësuesit e UNMIK-ut, KNKK-së, dhe Grupit Punues të OKB-së për Persona të Zhdukur dhe Zhdukje të Detyruara u takuan në Gjenevë për t’i identifikuar sfidat dhe hapat e mëtejmë lidhur me vendndodhjen e 1,658 personave të zhdukur në Kosovë.

Tryeza e rrumbullakët u hap me fjalimin e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejta Të Njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, dhe Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së (PSSP) në Kosovë dhe Shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin. Në fjalën e tij hyrëse, Komisioneri i Lartë iu dëshiroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe nënvizoi rëndësinë e takimit si një hap drejt veprimeve vendimtare për familjet e personave që mbesin të zhdukur nga konflikti. Ai theksoi se familjet kanë të drejtë të dinë, të drejtë në të vërtetën, dhe të drejtë në drejtësi dhe tha se “Kjo është detyra jonë e shenjtë dhe është e drejtë dhe urgjente që të gjitha palët të bëjnë përpjekje të shtuara për të zbuluar më në fund fatin dhe vendndodhjen e secilit person të zhdukur.”

Pas Komisionerit të Lartë, PSSP Tanin theksoi se “barra e luftës prek jetët e përditshme të secilit të mbijetuar të luftës, dhe të brezave të rinj që detyrohen të rriten në një shoqëri të formësuar nga lufta, të rrethuar nga simbolet dhe tregimet e konfliktit.” Ai rikonfirmoi përkushtimin e UNMIK-ut për të mbështetur kërkimin e të zhdukurve dhe theksoi rëndësinë e një dinamike të re të procesit. Duke vlerësuar se procesi i gjetjes së të zhdukurve nuk është vetëm domosdoshmëri humanitare por edhe e drejtë njerëzore, ai mirëpriti angazhimin personal të Komisionerit të Lartë dhe përkrahjen e tij për veprime konkrete për të gjetur ata që ende mbesin të zhdukur. 

Më shumë se 6,000 persona janë zhdukur në Kosovë si rezultat i konfliktit gjatë viteve 1998-1999. Që nga marsi 2004, Grupi Punues për Persona të Zhdukur si Rezultat i Ngjarjeve në Kosovë ka ofruar përkrahje për procesin e zbulimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur dhe i ka mbajtur familjet e tyre të informuara përkitazi me këtë. Që nga maji 2017, 1,658 persona mbesin të zhdukur në Kosovë.

Gjatë dy ditëve të diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan nevojën e ripëtrirjes së përpjekjeve të Grupit Punues për të zbardhur fatin e të zhdukurve dhe identifikuan hapat e mëposhtëm për të ecur përpara:

• Fuqizimin e përfshirjes dhe pjesëmarrjes së  përfaqësuesve të familjeve të personave të zhdukur;

• Intensifikimin e përpjekjeve për të siguruar qasje më të mirë në arkivat e aktorëve lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë;

• Diskutimin, para fundit të vitit, në konsultim me Zyren e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejta të Njeriut dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të progresit të arritur që nga ky takim.

Për më tepër, UNMIK-u do të vazhdojë të përkrahë Qendrën Multietnike Burimore për Persona të Zhdukur dhe t’i shfrytëzojë teknologjitë e reja në dispozicion për të mbështetur progresin drejt identifikimit të personave të zhdukur.

 

Për më shumë informata, ju lutemi kontaktoni:

Znj. Miriam Ghalmi, Shefe e Zyrës për të Drejta të Njeriut, UNMIK, dhe Përfaqësuese e Komisionerit të Lartë për të Drejta të Njeriut në Kosovë
Email: ghalmi@un.org
Mobil: +38163451248

Znj. Sanam Dolatshahi, Zëdhënëse, UNMIK
Email: dolatshahi@un.org
Mobil: +37744151816