ZËRI I BASHKUAR: ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE TË KOSOVËS PUBLIKOJË RAPORTIN E TYRE TË DYTË TË PËRBASHKËT VJETOR PËR TË DREJTAT E NJERIUT ME PËRKRAHJEN E UNMIK-UT DHE OHCHR-SË
Më 31 maj, tridhjetë e katër Organizata kryesore të Shoqërisë Civile (OShC) në Kosovë zyrtarisht publikuan raportin e tyre të dytë të përbashkët për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ky raport erdhi pas raportit të parë të përbashkët, të publikuar vitin e kaluar.
Kjo nismë është pjesë e programit të përkrahur nga Departamenti për të drejta të njeriut i UNMIK-ut dhe Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejta të Njeriut (OHCHR), e quajtur “Angazhimi me shoqërinë civile në monitorimin e të drejtave të njeriut dhe raportimin për to”.
Raporti vjetor për të drejta të njeriut është hartuar përmes një procesi përfshirës dhe pjesëmarrës, i ndihmuar nga UNMIK-u dhe OCHR, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e OShC-ve të përkatësive të ndryshme etnike në përputhje me përpjekjet aktuale të Misionit në avancimin e ndërtimit të besimit ndërmjet komuniteteve. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i OShC-ve që i kontribuan këtij raporti të përbashkët ishte më i madh.
Në këtë raport të përbashkët paraqitet një analizë e përbashkët e gjendjes së të drejtave të njeriut në Kosovë në vitin 2020, kë jepen hollësi të shkeljeve të të drejtave të njeriut, implikimet ndryshuese në të drejtat e njeriut të pandemisë COVID-19 dhe masat e ndërlidhura të kufizimit, si dhe identifikohen sfidat kryesore në realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Në raport jepen vlerësime dhe rekomandime për institucionet e Kosovës lidhur me një spektër të gjerë të të drejtave civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore; lidhur me çështjet e të drejtave të njeriut të grupeve specifike dhe personave në gjendje të cenueshme; si dhe trajtohen temat e ndërlidhura të të drejtave të njeriut, gjegjësisht korrupsioni dhe të drejtat e njeriut, drejtësia tranzicionale, si dhe mjedisi e të drejtat e njeriut.
Nga e majta në të djathtë: Anton Ndrecaj, drejtor i programit dhe këshilltar i lartë ligjor i Qendrës për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional; Tijana Grujić, menaxhere e projektit e OJQ-së Aktiv; Hilmi Jashari, ekspert për të drejtat e njeriut dhe ish-Avokat i Popullit i Kosovës; Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut, Gloriosa Hisari, zyrtare vendore për integrim në Programin për të Drejta Civile në Kosovë dhe Muhamet Arifi, drejtor ekzekutiv i Balkan Sunflowers Kosova e paraqitën raportin më 31 maj në bibliotekën Pjetër Bogdani në Prishtinë.
“Përpos avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të palëve të shoqërisë civile të përkatësive të ndryshme, ky raport vazhdon të plotësojë boshllëqet mes monitorimit të të drejtave të njeriut dhe raportimit për to në Kosovë, ku tani jepen rekomandime konkrete për institucionet e Kosovës që kanë për qëllim çuarjen përpara të realizimit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës,” tha Jerome Bouyjou, shef i Zyrës për të Drejta të Njeriut të UNMIK-ut dhe përfaqësues i Komisionerit të Lartë për të Drejta të Njeriut në Kosovë.
Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut – Kosovë, theksoi se “OShC-të do t’i shfrytëzojnë këto rekomandime si bazë e avokimit të tyre të përbashkët për të drejta të njeriut me institucione të ndryshme të Kosovës, dhe do të përcjellin zbatimin e tyre.”
Tijana Grujić, menaxhere e projektit në OJQ-në Aktiv, nënvizoi se “përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile në fushën e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut kanë efekt më të madh kur kjo përpjekje është e përbashkët”, e cila “është posaçërisht e rëndësishme kur kemi të bëjmë me trajtimin e shkeljeve të këtyre të drejtave të komuniteteve joshumicë, të të kthyerve, personave të zhvendosur dhe të grupeve të tjera të margjinalizuara, zërat e të cilëve zakonisht nuk dëgjohen më pak.”
“Ne përgëzojmë OShC-të kontribuuese për këtë të arritur të rëndësishme dhe ritheksojmë përkushtimin tonë të fuqishëm në vazhdimin e përkrahjes së shoqërisë civile në përpjekjet e tyre për të monitoruar bashkërisht realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe raportimin për to, si dhe për të avokuar me një zë te institucionet e Kosovës lidhur me çështjet kryesore të të drejtave të njeriut,”, shtoi z. Bouyjou.
Raportit të plotë për gjendjen e të drejtave të njeriut në vitin 2020 në gjuhën angleze, shqipe dhe atë serbe mund t’i qaseni përmes kësaj vegëze:
ENGLISH | ALBANIAN | SERBIAN |