Zbulimi i tregimeve të padëgjuara: Biblioteka e gjallë për të drejtat e njeriut në Prishtinë

previous next
8 Dhj 2016

Zbulimi i tregimeve të padëgjuara: Biblioteka e gjallë për të drejtat e njeriut në Prishtinë

7 dhjetor 2016, Prishtinë – Zyra e KB-së për të drejtat e njeriut, në bashkëpunim me OSBE-në, Këshillin e Evropës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkërisht festuan Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me titullin “Mbroni të drejtat e dikujt sot” në një kafiteri në  Prishtinë.

Në frymën e temës së sivjetme të Ditës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që secilit prej nesh i bën thirrje të bëjë një ndryshim, të ndihmojë dhe të mbrojë të drejtat e dikujt që është në rrezik nga diskriminimi apo dhuna, të katër organizatat organizuan një ngjarje me një bibliotekë të gjallë, ku librat ishin njerëz të vërtetë, duke i ndarë tregimet e tyre personale se si ata mbrojtën të drejtat e atyre që ishin të diskriminuar.

Pesë “Libra” emblematikë  nga Kosova folën për stereotipat, paragjykimet dhe sfidat me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme.

Në mesin e tyre, një grua e re ashkali/egjiptase tregoi se si të tjerët e stigmatizuan atë bazuar në ngjyrën e lëkurës dhe prejardhjes së saj. 

Një gazetare e re shpjegoi përpjekjet e saj për të ngritur zërin e njerëzve të heshtur në qendrat kolektive për refugjatë dhe persona të zhvendosur në Serbi.

Një aktivist i të drejtave të njeriut tregoi se si ai krijoi dialog konstruktiv në mes të komuniteteve të ndara në baza etnike, dhe si ai ndihmoi civilët të cilët ishin të detyruar t’i braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e konfliktit.

Një burrë me dëmtime të rënda të shikimit shpjegoi se si ai ishte detyruar të kapërcente pengesa të shumta në jetën e tij të përditshme, duke përfshirë edhe trajtimin diskriminues nga njerëzit.

Pjesëmarrësit po ashtu dëgjuan nga një libër për sfidat në një kopsht për fëmijë romë, ashkali dhe egjiptas.

Shkëmbimet me librat e gjallë ishin të hapura për publikun dhe synonin të rrisin vetëdijen për sfidat e të drejtave të njeriut me të cilat përballen pakicat apo grupet e diskriminuara.

Për ta mbyllur ngjarjen, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Zahir Tanin (UNMIK), Ambasadori Jan Braathu (OSBE), Isabelle Sevoz Gallucci (Këshilli i Evropës) dhe Thomas Gnocchi (BE), librave u dorëzuan certifikata në shenjë mirënjohjeje për guximin dhe sinqeritetin e tyre në ndarjen e tregimeve publikisht.  

Duke ju drejtuar pjesëmarrësve, PSSP-ja Tanin tha se motoja e Ditës së të drejtave të njeriut e këtij viti “Mbroje të drejtën e dikujt tjetër” është thirrje për të gjithë ne për të mbrojtur të drejtat e njeriut,   t’i përkrahim ato dhe të jemi pjesë e përpjekjes së përbashkët për fuqizimin e vlerave që rezultuan me miratimin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.”

“Është po ashtu thirrje për të gjithë ne që të mos tolerojmë dhunimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, pavarësisht se ku jetojmë,” shtoi ai.

Ambasadori Braathu tha se slogani i sivjetmë i Ditës së të drejtave të njeriut ka të bëjë pikërisht me këtë temë: “Ne duhet të mbrojmë të drejtat e të tjerëve, dhe kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur të drejtat tona. Pra, nuk ka të bëjë vetëm me të qenit idealist dhe altruist, por ka të bëjë me të qenit realist dhe të kuptuarit se ne i ndajmë përgjegjësitë. Ne kemi përgjegjësi ndaj fqinjëve tanë ashtu siç kanë ata ndaj ne.”