Deklaratë e Zahir Tanin, Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shef i UNMIK-ut debati në Këshillin e Sigurimit për UNMIK-un
NJU JORK
16 NËNTOR 2016
z. Kryetar, shkelqësi,
Gjatë tre muajve që nga adresimi im i fundit para këtij Këshilli është bërë një konsolidim i gjendjes politike në Kosovë. Shikuar nga aspekti regjional, janë vërejtur disa zhvillime pozitive, por edhe disa arsye për shqetësime. Disa prej tyre janë elaboruar shumë mirë në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm që gjendet para jush, ndërsa të tjerat që ia vlen që të theksohen kanë dal në pah pas dorëzimit të këtij raporti. Gjithashtu, duhet të nënvizoj se përveç se është raporti i fundit i UNMIK-ut për vitin 2016, po ashtu ky është edhe raporti i fundit për UNMIK-un i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon, i cili personalisht ka ndarë kohë dhe vëmendje të konsiderueshme për këtë çështje gjatë dekadës së fundit.
z. Kryetar,
Shumë nga pritjet politike, me të cilat Kosova e filloi vitin, sollën më pak rezultate se sa që shpresohej. Vështirësitë në krijimin e konsensusit të gjerë politik kanë rezultuar me mosratifkimin e marrëveshjes për demarkacion territorial me Malin e Zi, për të cilën është arritur pajtimi në vitin 2015, gjë e cila ka pasoja në planet evropiane për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ndasitë politike gjithashtu kanë vështirësuar gëzimin e beneficioneve të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Procesi i Stabilizimit dhe asociimit i BE-së me Kosovën, një zhvillim ky shumë i rëndësishëm me potenciale të mëdha, është trajtuar me vëmendje të vogël nga zyrtarët apo edhe nga publiku në përgjithësi, përkundër perspektivës për mundësi shumë më të mëdha se sa çështja e liberalizimit të vizave.
Dhuna politike e muajve të mëhershëm ka pushuar. Megjithatë, pozitat kundërshtuese të partive në pushtet dhe të atyre opozitare kanë mbetur të palëkundshme, dhe atmosfera e përgjithshme politike mbetet thellësisht e polarizuar. Për Kosovën fatkeqësisht kjo nuk është gjë e mirë, duke marrë parasysh kohën kur marrëdhëniet mes kundërshtarëve tradicionalë në rajon, për shembull mes Tiranës dhe Beogradit, kanë përfituar nga dialogu i rinisur dhe nga fuqizimi i lidhjeve ekonomike.
Përkundër polarizimit politik, disa nga liderët e Kosovës janë duke ecur përpara me një qëndrim më largpamës të pajtimit dhe të rindërtimit të marrëdhënieve të ndërsjella përfituese. Rrjedhimisht, dëshiroj të nënvizoj angazhimin e fundit të kryetarit Thaçi së bashku me shoqatat e familjarëve shqiptarë dhe serbë të personave të zhdukur, dhe insistimin e tij që çështja të trajtohet nga aspekti humanitar dhe jo nga ai politik. Tani së fundi ai gjithashtu është takuar me grupe të përziera të të rinjve serbë dhe shqiptarë për të inkurajuar mundësinë e një të ardhmeje të përbashkët që do të ishte më e mirë se e sotmja. Gjestet e tilla na përkujtojnë potencialin e dialogut të mirëfilltë, duke përfshirë në mes të tjerash edhe procesin politik të lehtësuar nga BE-ja.
Nga ana tjetër, miratimi i përshpejtuar përmes procedurës parlamentare i Ligjit të ri për kompleksin industrial Trepça doli si një pengesë tjetër e dialogut konstruktiv. Pavarësisht hollësive të Ligjit të ri, ishte e sigurt që mënyra e miratimit të tij do të krijonte reagime negative që i pamë. Deputetëve të Kuvendit u janë dhënë më pak se 48 orë për shqyrtimin e propozimligjit dhe pothuajse fare nuk kanë pasur mundësi për analizë dhe argumentim. Si Ligji ashtu edhe procedura e miratimit të tij kanë nxitur protesta të fuqishme në mesin e komunitetit serb, si dhe në Beograd, deri në atë masë sa përfaqësuesit dhe zyrtarët e serbëve të Kosovës kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në institucionet qeveritare. Përfaqësuesi ndërkombëtar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Ligjit në bazë të shqetësimit se i njëjti duket të jetë në kundërshtim me të drejtat themelore pronësore.
z. Kryetar,
Dallimet mes preokupimeve të elitave dhe të votuesve të tyre janë tendencë e zakonshme. Ky fenomen është i pranishëm edhe në Kosovë. Prioritetet e identifikuara si më të rëndësishmet nga votuesit në nivel të bashkësisë shpesh janë diametralisht të kundërta me çështjet që mbizotërojnë tek organet e zgjedhura dhe në hapësirat mediale.
Rezultatet e anketave të fundit, duke përfshirë edhe të njërës së organizuar nga UNMIK-u, tregojnë se dallimet etnike rreth prioriteteve në nivel të bashkësisë janë të vogla: papunësia, korrupsioni dhe zhvillimi i dobët ekonomik janë shqetësimet më të mëdha. Në mesin e gjetjeve të tjera të rëndësishme të konstatuara së fundi janë edhe si në vijim:
- Niveli i besimit tek institucionet qeveritare është i ulët. Niveli i besimit tek institucionet ndërkombëtare është gjithashtu i ulët, ndërsa duket se po ndryshon niveli i besnikërisë ndaj partive politike;
- Të gjitha grupet etnike i japin më shumë theks dialogut mes udhëheqësve të komunitetit si mënyrë për avancimin e pajtimit se sa dialogut në nivel politik;
- Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë konsiderohet të jetë prioritet i rëndësishëm përafërsisht në proporcion të njëjtë si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe nga ai serb i Kosovës, ku në të dyja rastet mbi 50% e të anketuarve i kanë dhënë prioritet kësaj çështjeje;
- Shumica dërrmuese e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës besojnë se Asociacioni/Bashkësia e komunave serbe të Kosovës do të rrisë sigurinë e serbëve të Kosovës.
Në raportet e tyre vjetore, BE-ja dhe Banka Botërore vazhdojnë të theksojnë nivelet e ulëta të krijimit të vendeve të reja të punës dhe nivelin jashtëzakonisht të madh të papunësisë së të rinjve si çështje themelore që duhet të trajtohen në Kosovë. Të rinjtë që nuk mund të gjejnë mundësi brenda parametrave të pranueshëm janë të cenueshëm ndaj tundimeve për orientime alternative, duke përfshirë edhe ekstremizmin.
z. Kryetar,
Pavarësisht këtyre dikotomive mes çështjeve politike dhe shqetësimeve nga niveli bazë, perspektiva evropiane mbetet forcë e stabilizimit në mbarë regjionin e Ballkanit. Procesi i dialogut gjatë kësaj periudhe ka shënuar përparim, duke përfshirë edhe në fushën e lirisë së lëvizjes, ndërsa ditëve të fundit ka ndodhur edhe një zhvillim i rëndësishëm për çështjen e telekomunikacionit. Nga ana tjetër, shenjat e përparimit kanë qenë shumë të pakta lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Bashkësinë /Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Proceset e pajtimit politik dhe shoqëror duhet të jenë shtysë e njëri-tjetrit. Shpresoj se ajo që do të ndodh në Kosovë gjatë vitit 2017 të jetë dialogu politik i përcjellë me përparim të nevojshëm në nivel të komunitetit. Në këto përpjekje, rolet e BE-së dhe të OKB-së vazhdojnë të përputhen me njëri-tjetrin.
Njëkohësisht, dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi për të lavdëruar disa përpjekje të shkëlqyeshme të pajtimit në nivel komunal, ku pushteti komunal ka dëgjuar shqetësimet e komunitetit të tyre dhe ka reaguar ndaj tyre, gjë që ka rezultuar me përparim të mirëfilltë. Kështu, kryetari i komunës së Ferizajt ka emëruar zëvendëskryetarin për komunitete përkundër faktit se nuk ka pasur obligim ligjor ta bëjë një gjë të tillë. Pushteti komunal është përgjigjur ndaj kërkesës për pastrimin dhe sigurimin e varrezave ortodokse serbe, dhe është zotuar se do të ofrojë përkrahje të vazhdueshme për mirëmbajtjen e varrezave. Po ashtu, në Fushë Kosovë, pushteti komunal ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për pastrimin e tri varrezave ortodokse serbe. Në Mitrovicë të Veriut, barrikada e cila ka kohë që qëndron në rrugën Princi Millosh, është hequr qetësisht dhe vullnetarisht gjatë mbrëmjes së 28 tetorit.
Fatkeqësisht, përjashtimet ekzistojnë. Deklarata e Kuvendit Komunal të Suharekës në fund të tetorit, përmes së cilës kundërshtohej kthimi i serbëve të Kosovës, është regresive dhe për keqardhje. Mungesa e reagimit nga institucionet qeveritare të Kosovës është zhgënjyese. Dhimbja e shkaktuar nga rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur është reale dhe e kuptueshme, por e drejta në kthim të sigurt dhe të dinjitetshëm është gjithashtu bazike. Nga kjo mund të thuhet se është humbur një mundësi për të treguar përkushtim ndaj procesit të pajtimit.
z. Kryetar,
Dëshiroj të nënvizoj përparimin në përpjekjet për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Përkushtimi ndaj zbatimit të paanshëm të sundimit të ligjit duhet të vlerësohet dhe të përkrahet. Së këndejmi, ekziston vlerësim i merituar lidhur me vendosmërinë e ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë hetimin e aktiviteteve të krimit të organizuar që përfshinë disa anëtarë të klasës politike të Kosovës.
Duhet të bëhet dallim i qartë mes përgjegjësisë individuale dhe të asaj institucionale. Derisa Kuvendi i Kosovës veproi me miratimin e Rezolutën për vlerat e UÇK-së, janë individët ata që janë akuzuar për krime dhe jo grupet apo organizatat.
Javën e kaluar pata mundësinë të takohem me David Schwendiman, prokurorin e sapoemëruar special të Dhomave të specializuara të Kosovës. Ai më njoftoi se përgatitjet për funksionalizimin e plotë të Dhomave të specializuara janë në fazën e avancuar. Integriteti i procesit gjyqësor kërkon që të gjitha palët të përmbahen nga ndikimi jo i duhur apo nga lëkundja e opinionit të qytetarëve, duke përfshirë përmes spekulimeve të pabaza lidhur me përmbajtjen specifike të procesit gjyqësor.
Vdekja derisa mbahej në paraburgim e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka ngritur shqetësime dhe ka nxitur indinjatë në shumë qarqe. Në dritën e shumë pyetjeve të ngritura, një hetim objektiv, i hollësishëm dhe transparent për këtë incident është thelbësor.
z. Kryetar,
Ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi janë kërcënime ndryshuese në Kosovë dhe regjion. Reagimi ndaj këtij kërcënimi kërkon një qasje tërësore, ku organet e zbatimit të ligjit janë njëri nga komponentët kryesorë. Javën e kaluar, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar një numër individësh, të cilët pretendohet se janë rekrutuar nga militantët ekstremist në Siri me qëllim të planifikimit dhe kryerjes së sulmeve në Kosovë dhe regjion. Organet e sigurisë në Kosovë meritojnë lëvdata të posaçme për syçeltësinë e tyre në këtë drejtim.
z. Kryetar,
Siç ju kam raportuar, UNMIK-u është duke u përshtatur vazhdimisht për trajtim më të efektshëm të sfidave të sotme të Kosovës. Optimalizimi logjik i resurseve tona ekzistuese po ndihmon në sigurimin që Misioni ynë të realizon mandatin e vet në mënyrë të fokusuar dhe konstruktive së bashku me gjithë partnerët e vet. Marrëdhënia e Misionit me institucionet e Kosovës është e rëndësisë thelbësore, dhe kam kënaqësinë të konfirmoj se përmirësimi i marrëdhënieve i raportuar në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovë është duke vazhduar. Në mesin e shumë dobive për të gjitha palët, ky komunikim i përmirësuar i ndihmon Misionit që të sigurojë raportim të saktë dhe të ekuilibruar për gjendjen në Kosovë.
Siç kanë theksuar anëtarët e këtij Këshilli në takimet e kaluara, ne të gjithë mund të ndihmojmë në avancimin e kauzës së pajtimit. Të dhënat empirike të raporteve dhe anketave të ndryshme, siç është edhe anketa e cekur, na ndihmojnë në përditësimin e kuptueshmërisë sonë për shqetësimet reale të komuniteteve të ndryshme gjeografike dhe etnike. Çka nuk ka funksionuar dje, mund të funksionojë sot. Ky koncept dhe inovacionet konstruktive në përgjithësi duhet të jenë udhëzues i përpjekjeve tona.
Në dhënien e përkrahjes sonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, Misioni vazhdon të mbështetet në përkrahjen e këtij Këshilli. Së këndejmi, dëshiroj që sinqerisht t’ju falënderoj për këtë përkrahje.
FUND