Zëvendës shefi i UNMIK-ut takohet me aktivistë të rinj të të drejtave të njeriut nga Kosova dhe Serbia
11 nëntor 2016, Prishtinë – 30 aktivistë të rinj nga Kosova dhe Serbia që marrin pjesë në nismën LinKS 2.0 të implementuar nga organizata joqeveritare Nisma e të Rinjvë për të Drejtat e Njeriut, e vizituan Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë më 4 nëntor.
Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, Christopher Coleman, së bashku me Zyrtaren për të Drejtat e Njeriut, Teuta Prekazi, dhe Zyrtaren për Rini, Iana Minochkina, zhvilluan diskutime me aktivistët e rinj dhe u përgjigjen në pyetjet e tyre për çështje të ndryshme siç janë të drejtat e njeriut, personat e zhdukur, drejtësia tranzicionale, roli i të rinjve, qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe barazia gjinore. Delegacioni i aktivistëve të rinj u interesua të mësojë më tepër rreth rolit të UNMIK-ut përgjatë viteve, kujtesën institucionale si dhe punën aktuale, sfidat dhe vizionin e misionit.
Pas vizitës në UNMIK, delegacioni i të rinjve u takua më Kryeministrin Isa Mustafa, Presidentin Hashim Thaçi dhe Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq.
Aktivistët e rinj do të takohen me zyrtarë qeveritar në Serbi më 14-17 nëntor, dhe konferenca përfundimtare do të mbahet në Beograd. Qëllimi i aktiviteteve të përbashkëta të projekteve të të rinjve nga Serbia dhe Kosova është të hartohet një listë e çështjeve të cilat ata dëshirojnë të ngriten në procesin e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
Nisma LinKS 2.0, e implementuar nga organizata joqeveritare Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, synon të krijojë lidhje në mes të rinjve nga Serbia dhe Kosova dhe të mundësojë përfshirjen e tyre në diskutimet e çështjeve që i prekin të dy shoqëritë. Ky projekt përkrahet nga Ambasada Gjermane në Beograd.
Të rinjtë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor janë pjesë e proceseve politike, shoqërore, ekonomike dhe mjedisore. Disa prej tyre do të bëhen vendimmarrës dhe udhëheqës të ardhshëm. Këta të rinj po punojnë në mënyrë aktive në krijimin e raporteve më të mira dhe mirëkuptimit në mes të shoqërive të tyre. Meqë janë të angazhuar në projekte rinore që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve paqësore në mes të popujve në rajon, shumë prej tyre janë në kontakt të drejtpërdrejt me fqinjët e tyre me përkatësi të ndryshme etnike.