Domosdoshmëria për “solidaritet global” nuk ka qenë asnjëherë më e qartë në historinë e OKB-së, PSSP Tanin thekson para Këshillit të Sigurimit
21 tetor 2020 - Në historinë 75 vjeçare të Kombeve të Bashkuara, asnjëherë nuk është shfaqur më qartë domosdoshmëria për solidaritet global dhe bashkëpunim ndërkombëtar ashtu siç po shfaqet sot, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut theksoi para Këshillit të Sigurimit.
“Për vendet si Kosova - që ende vuan nga pasojat e konfliktit të armatosur – bashkëpunimi, unifikimi i zërit dhe vizionit politik; dialogu dhe shmangia e polarizimit të tepërt, duhet të jenë prioritetet e nivelit më të lartë,” PSSP Zahir Tanin nënvizoi sot gjatë raportimit të tij të rregullt mbi Kosovën.
Gjatë shtatë muajve të shkuar Kosova ka kaluar nëpër sfida të shumëfishta e të gërshetuara, të shkaktuara nga pandemia aktuale globale, theksoi ai. Pasojat e rënda socio-ekonomike të COVID-19 kanë ndikuar negativisht në ekonomi, e veçanërisht tek brezat më të ri, femrat dhe bashkësitë e cenueshme – gjersa pasojat arsimore e psikologjike tashmë ndjehen.
Megjithatë, PSSP Tanin përgëzoi sistemin e kujdesit shëndetësor dhe veçanërisht punëtorët shëndetësorë të vijës së parë për “[punën] heroike për të shfrytëzuar më së miri resurset e kufizuara”.
“Ne në UNMIK, së bashku me Ekipin e agjencive, fondeve dhe programeve të OKB-së në Kosovë, dukshëm kemi përshtatur aktivitetet tona për të ndihmuar në tejkalimin e sfidave të papara deri më tani, të dala nga pandemia COVID-19. Përqendrimi ynë ishte në shfrytëzimin e resurseve për t’i ndihmuar drejtpërdrejtë njerëzve, institucioneve dhe komuniteteve,” theksoi ai.
Solidariteti, veçanërisht përgjatë pandemisë, duhet të fokusohet në gjetjen e ekuilibrit në mes të shëndetit publik, rimëkëmbjes ekonomike, dhe të drejtave të njeriut; “që aktualisht paraqet enigmën më të madhe për qeveritë e mbarë botës”.
PSSP Tanin gjithashtu informoi Këshillin mbi zhvillimin e proceseve hetimore dhe gjyqësore të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe të Dhomave të Specializuara, duke i përshkruar ato si “pjesë përbërëse të sistemit gjyqësor të Kosovës me mandate thelbësore për aspiratat e sundimit të ligjit në Kosovë”.
Ai u bëri thirrje liderëve të dyfishojnë përpjekjet për të kundërshtuar keqinformimin, dhe të sigurohen se procedurat para Prokurorisë dhe Dhomave të gëzojnë përkrahjen e palëkundur institucionale dhe politike, që është thelbësore për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë.
PSSP Tanin përgëzoi Prishtinën dhe Beogradin dhe përpjekjet përkatëse të BE-së dhe qeverisë së SHBA-së për përparim të procesit negociues.
“Takimet e fundit në Bruksel dhe Uashington dëshmojnë potencialin për përparim kur resurset ndërkombëtare kombinohen me lidership në terren për t’i çuar përpara çështjet e vështira.”
Uniteti politik, përkushtimi i fuqishëm dhe vullneti i mirë nga ana e liderëve në Prishtinë e Beograd ishin parakushte për suksesin e negociatave, shtoi ai duke shprehur optimizëm se të dy palët do të tejkalojnë çështjet e kontestuara dhe gjejnë një zgjidhje të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Duke vlerësuar edhe një përvjetor të rëndësishëm, PSSP Tanin theksoi se ky vit shënon 20 vjetorin e adoptimit të Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Rëndësia e pjesëmarrjes domethënëse të grave në proceset paqësore në të gjitha nivelet, posaçërisht në dialogun aktual mes Beogradit dhe Prishtinës, është “thelbësore në arritjen e rezultateve që u përgjigjen nevojave reale të njerëzve,” theksoi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, PSSP Tanin ritheksoi përkushtimin e plotë të UNMIK-ut në përkrahje të dialogut të mbështetur nga BE-ja dhe të përpjekjeve të liderëve të të dyja palëve për të ecur me vendosmëri drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe paqes e pajtimit afatgjatë.
Lexo deklaratën e plotë të PSSP Tanin në shqip këtu.
Lexo raportin e Sekretarit të Përgjithshëm në shqip këtu.