Deklarata e PSSP Tanin me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

31 Tet 2020

Deklarata e PSSP Tanin me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, rikonfirmon përkushtimin UNMIK-ut për të vazhduar mbështetjen e avancimit të pjesëmarrjes së plotë dhe domethënëse të gruas në procese të paqes dhe të negociatave. 

“Gratë në mbarë botën vazhdojnë të jenë të prekura në mënyrë disproporcionale nga konfliktet dhe vazhdojnë të jenë të papërfshira në vendimmarrje të niveleve të ndryshme. Nëse dëshirojmë të kemi shoqëri të drejta, përfshirëse dhe paqësore, prioritetet e gruas duhet të jenë në qendër të proceseve të paqes dhe të negociatave”, u shpreh PSSP-ja, Tanin. 

Para njëzet vitesh, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u bashkua brenda parimit se pjesëmarrja domethënëse e gruas në vendimmarrje është plotësisht e lidhur me paqen afatgjatë. E bazuar në shtyllat e saj që janë parandalimi, mbrojtja, pjesëmarrja, ndihma humanitare dhe rimëkëmbja, kjo rezolutë bazë thekson ndikimin jo të barabartë të konfliktit të armatosur tek gratë dhe vajzat, rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre domethënëse si palë aktive në paqe dhe siguri, si dhe nevojën për ndërmarrjen e masave në parandalimin e dhunës seksuale e gjinore.

Duke iu referuar dialogut aktual të mbështetur nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, PSSP Tanin ftoi të dyja palët që të përkushtohen ndaj veprimeve konkrete dhe vendimtare, përmes të cilave sigurohet pjesëmarrja domethënëse e gruas në të gjitha nivelet e bisedimeve. “Paqja dhe siguria e qëndrueshme mund të arrihen vetëm kur të gjithë të kenë mundësi të barabarta, qasje në resurse e shërbime dhe pjesëmarrje në vendimmarrje”, tha PSSP Tanin.