FORUMI I OKB-SË PËR NDËRTIM TË BESIMIT NË KOSOVË: KUPTIMI I MIRËBESIMIT DHE KAPËRCIMI I KUFIJVE TË MOSBESIMIT

4 Qer 2018

FORUMI I OKB-SË PËR NDËRTIM TË BESIMIT NË KOSOVË: KUPTIMI I MIRËBESIMIT DHE KAPËRCIMI I KUFIJVE TË MOSBESIMIT

Shembujt globalë mbi atë se si të ndërtohet besimi, përfshirë nga Lindja e Mesme dhe Amerika Jugore, u diskutuan gjatë Forumit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtim të Besimit në Kosovë në kontekstin e progresit të Kosovës drejt të ardhmes.

Forumi treditor, i zhvilluar në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, prej 6 deri më 8 maj, ishte nikoqir i një numri ekspertësh ndërkombëtarë të cilët diskutuan shembujt e ndërtimit të suksesshëm të besimit nga bota në një panel të moderuar nga Përfaqësuesja e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Drejtoresha e Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd, Simona-Mirela Miculescu.

Kapërcimi i kufijve të mosbesimit: Përvojat nga anembanë bota  

Asistenti në pensionim i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Z. Julian Harston, theksoi para pjesëmarrësve se narracionet konfliktuoze duhet të braktisen kurse shtoi se shqetësimet e paadresuara mund të shëndërrohen në pengesa për ndërtim të besimit dhe paqes.

Në mesin e zgjidhjeve të cilat ai i hasi gjatë karrierës së tij të gjatë dhe dinamike në botën e ndërtimit të paqes, gjatë së cilës ai punoi në mjedise problematike si Irlanda Veriore, Kili dhe Argjentina, ai theksoi rolin jetik të grave në ndërtimin e paqes – të cilat shpeshherë trajtohen si viktima e jo si agjente të mvetësuara.

“Ekziston një dështim i përhapur në shumicën e këtyre proceseve në adresimin gjinor… dhe çështja e pjesëmarrjes aktive shpeshherë neglizhohet. Dështimi për të adresuar dhunën ndaj grave është një prej dështimeve më të mëdha strukturore të shumicës së proceseve të pajtimit deri më tani.”

Ai gjithashtu foli për domosdoshmërinë e angazhimit të shoqërisë që nga niveli më i ulët deri te ai më i larti dhe i trajtimit prioritar të tregimit të së vërtetës, kompenzimit, drejtësisë dhe shërimit.

Znj. Nagwan Abdelmaboud Mohamed Soliman, nga Instituti i Universitetit Evropian foli rreth përvojës së saj në punën për të arritur pajtim dhe paqe në komunitetet e krishtera dhe muslimane në Egjiptin Jugor përmes metodës së tregimeve.

Ajo theksoi rëndësinë e përdorimit të qasjes multidimensionale që adreson dhe akomodon dallimet sociale, ekonomike dhe fetare. Si një nga aspektet e ndërtimit të besimit, ajo theksoi rëndësinë e të pasurit të një hapësire të sigurt ku pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme mund të mblidhen dhe të ndërveprojnë sigurt si dhe të shkëmbejnë tregimet e tyre.

Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Christopher Coleman gjithashtu foli nga cilësia e përvojës së tij të pasur në menaxhimin e konflikteve duke theksuar para pjesëmarrësve: “Konflikti në mes të grupeve të identitetit pothuajse asnjëherë nuk është ashtu siç duket në sipërfaqe”.

Ai përshkroi katër faktorët kryesorë që zakonisht pengojnë ndërtimin e besimit të qëndrueshëm: hija e të kaluarës që është ende e pranishme; konteksti më i gjerë i pafavorshëm gjeo-politik për ndërtim të besimit; ekonomia që pengon zhvillimin, dhe institucionet e dobëta që nuk janë të denja për integrim, penguar nga çështjet si korrupsioni, mungesa e kapaciteteve, apo mosgatishmëria për integrim. 

Renata Avila, Këshilltare e Lartë për të Drejta Dixhitale, nga Fondacioni World Wide Web, foli rreth fuqisë potenciale të shfrytëzimit të mjeteve të teknologjisë si inteligjenca artificiale (IA) në zgjidhjen e konflikteve dhe parashikimit të tyre.

Kuptimi i ndërtimit të besimit – kapërcimi i kufijve të mobesimit në Kosovë

Paneli i dytë, i udhëhequr nga Shefi i Misionit të Organizatës Për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, u përqendrua në kontekstin e Kosovës dhe u dha platformë personaliteteve të njohura vendore.

Drejtoresha e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, Besa Kabashi Ramaj, u tha pjesëmarrësve se hulumtimet e kryera nga qendra e saj kanë sugjeruar hapa për tejkalimin e përceptimeve dhe miteve rreth identiteteve dukë përfshirë këtu sundim efikas të ligjit, bashkëpunim dhe bashkërendim më të mirë në mes gjyqësorit dhe policisë si dhe ndërtimin e mëtejmë të kapaciteteve.

“Shumica e respondentëve kanë folur në bazë të miteve për njëri tjetrin. Megjithatë, në listën e nevojave të tyre të mënjhershme, të gjithë folën për kërkesa praktike siç janë punësimi, zhvillimi, trajtimi i barabartë dhe barazi për të gjithë. Tri çështje rreth të cilave ishin të bashkuar të gjithë janë: Sinqeriteti, Optimizmi dhe Besimi”.

Komisioneri për gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq foli mbi rolin që kanë gjuhët në ndërtimin e mirëbesimit të dyanshëm, si dhe për rolin kyç të institucioneve vendore në ndërtimin e besimit, posaçërisht sa i përket ofrimit të shërbimeve në të gjitha gjuhët zyrtare.

Gazetarja e mirënjohur, Una Hajdari, foli mbi rolin e veçantë që mediat kanë në përafrimin e komuniteteve, si dhe për bashkëpunimin e kufizuar në mes gazetarëve serbë dhe shqiptarë.

“Të jesh në shoqërinë kosovare në mesin e të gjitha këtyre proceseve që akoma nuk janë zgjidhur, gazetarët dhe mediat duhet të kenë kujdes të posaçëm për mënyrën e raportimit – jo për shkak të çështjeve etnike, por për shkak të faktit se shumë gjëra ende nuk janë të qarta”.

U fol edhe për rolin e veçantë të grave dhe të rinjve. Hasime Tahiri Hasani, Drejtoreshë Ekzekutive e OJQ-së Mundësia në Mitrovicë, foli për përvojat e grave të shoqërisë civile në ndërtimin e mirëbesimit dhe paqes.

“Numri i grave të përfshira zyrtarisht në proceset e ndërtimit të paqes është akoma shumë i vogël,” ajo tha.

“Dua poashtu të theksoj rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që kanë OJQ-të në procesin e ndërtimit të besimit dhe paqes. Projektin tonë më të ri po e zbatojmë së bashku me një OJQ nga Mitrovica e Veriut. Projekti përbën një iniciativë të grave të Mitrovicës për ndërtim të besimit, dhe ky është shembull pozitiv se si gratë nga komunitetet e ndryshme mund të mblidhen dhe të diskutojnë mbi sfidat e përbashkëta, siç janë pjesëmarrja në jetën politike, të drejtat pronësore dhe fuqizimi ekonomik”.

Milica Andriq, aktiviste e shoqërisë civile, foli mbi të ardhmen duke u përqendruar në mungesën e besimit tek të rinjtë për një bashkëjetesë paqësore si dhe për pengesën që paraqet përqendrimi i vazhdueshëm tek ngjarjet e luftës. Ajo poashtu foli edhe për shembujt pozitiv në Kosovë. “Konteksti në Kosovë sot ka ndryshuar, prandaj ne duhet të jemi në gjendje të fillojmë të ndërtojmë kujtimet tjera dhe më pozitive. Por në mënyrë që të ndodhë kjo, njerëzit të cilët e kanë përjetuar luftën poashtu duhet të përpiqen të kujtojnë ato gjërat pozitive që kanë ndodhur në shoqëri para luftës”.