SPSSP Tanin, Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, takojnë praktikantët që po ndihmojnë në uljen e numrit të pazgjidhur të lëndëve

8 Qer 2018

SPSSP Tanin, Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, takojnë praktikantët që po ndihmojnë në uljen e numrit të pazgjidhur të lëndëve

Më 6 qershor, Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Gjykatësja Afërdita Bytyqi, e priti Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefin e UNMIK-ut, z. Zahir Tanin, në gjykatë për ta nisur një ngjarje të rrjetëzimit për 80 praktikantë ligjor që kanë punuar në një projekt të përkrahur nga UNMIK-u, për të trajtuar njërin ndër problemet kyçe të gjyqësorit në Kosovë: numrin e pazgjidhur të lëndëve. 

Që nga muaji prill, praktikantë nga komunitetet shqiptare dhe serbe të Kosovës i kanë ndihmuar Gjykatat Themelore në Prishtinë dhe Mitrovicë, në trajtimin e problemit të lëndëve të pazgjidhura, që rëndon jashtëzakonisht shumë jo vetëm mbi burimet njerëzore, logjistike dhe financiare të gjykatave, por poashtu edhe e rritë kohëzgjatjen e gjykimeve dhe bie në kundërshtim me principin e gjykimeve të paanshme.

Gjatë takimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, praktikantë nga të dy komunitetet patën rastin të takohen, shkëmbejnë përvojat e tyre si dhe të diskutojnë rreth sfidave të përbashkëta. Ata poashtu patën rastin ta takojnë PSSP Tanin, Gjykatësen Afërdita Bytyqi dhe gjykatës të tjerë të lartë. Në takim morrën pjesë edhe përfaqësues të OJQ-së “Instituti i Kosovës për Drejtësi” me seli në Prishtinë, dhe OJQ-së “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike” me seli në Mitrovicë, të cilat e implementuan projektin në fjalë.

Gjatë fjalës së tij, PSSP Tanin e falënderoi Gjykatësen Bytyqi për udhëheqjen e saj, i përgëzoi praktikantët për punën e tyre të palodhshme, si dhe ritheksoi përkushtimin e UNMIK-ut për ta ndihmuar në mënyra praktike gjyqësorin e Kosovës. Tanin poashtu iu tha praktikantëve se “gjeneratat e reja duhet të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre dhe t’i shërbejnë sistemit të drejtësisë në atë mënyrë që e siguron pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit si dhe iu mundëson të gjithëve qasje në drejtësi.”

Gjykatësja Bytyqi e falënderoi PSSP Tanin për përkrahjen e dhënë nga UNMIK-u dhe theksoi që projekti ishte i dobishëm edhe për Gjykatën, duke e rritur efikasitetin e saj, si dhe për praktikantët, duke iu mundësuar atyre t’i zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale. Ajo poashtu prezantoi rezultate konkrete që u arritën gjatë dy muajve të zbatimit të projektit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përfshirë këtu: përfundimin e 15,000 rasteve të kundërvajtjeve; arkivimin e 4,490 rasteve civile; dhe përpilimin e 139 vendimeve. Në përgjithësi, për vetëm disa muaj, kjo e uli për 15 përqind numrin e lëndëve të pazgjidhura në këtë Gjykatë.

Përfaqësuesit e të dy organizatave joqeveritare e falenderuan UNMIK-un për përkrahjen e dhënë si dhe theksuan rëndësinë që ky projekt ka për ndërtimin e besimit ndëretnik në mesin e praktikantëve të rinj ligjor.