Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore reagon lidhur me ndryshimet e tanishme në plotësimin e Kodit Penal: Kërkohet përkufizimi adekuat i dhunës në familje si vepër penale

16 Mar 2018

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore reagon lidhur me ndryshimet e tanishme në plotësimin e Kodit Penal: Kërkohet përkufizimi adekuat i dhunës në familje si vepër penale

Prishtinë, 16 Mars 2018 - Të njoftuar/a për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës, anëtarët e Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGj), që nga tetori i vitit 2017, janë angazhuar që të dërgojnë komente dhe rekomandime për këto ndryshime dhe plotësime në Kodin Penal. Shprehim shqetësimin se rekomandimet që kemi dhënë tek Grupi Punues i angazhuar nga Qeveria e Kosovës nuk janë zbatuar dhe njëkohësisht konsiderojmë që këtij Grupi Punues i mungon ekspertiza gjinore.

Propozimi i dërguar nga GSBGj ka kërkuar që dhuna në familje të futet si vepër penale e veçantë në Kodin Penal si dhe ka propozuar dënimet për kryesit e kësaj vepre penale. Ekspertët e caktuar nga Ministria e Drejtësisë kanë pranuar propozimin që dhuna në familje të futet si vepër penale, mirëpo nuk është pranuar propozimi i plotë i cili kërkon përkufizimin e të gjitha veprave të dhunës në familje si dhe dënimet adekuate për kryesit e kësaj vepre penale. GSBGj thekson se grupi i tanishëm i angazhuar nga Ministria e Drejtësisë duhet ta bëjnë një përkufzim të shkurtër dhe të thjeshtë, i cili është në përshtatshmëri me kërkesat e Konventës së Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Andaj, ne kërkojmë përkufizimin e të gjitha veprave të dhunës në familje në përputhshmëri edhe me kërkesat e standardeve të të drejtave të njeriut si dhe të parashihen dënime adekuate për kryesit e këtyre veprave.

Në raportin e fundit hulumtues të Rrjetit të Grave të Kosovës, të dhënat për vitet 2000-2017 të marra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Policia e Kosovë, janë 18.444 raste të dhunës në familje të raportuara në Kosovë. Prej tyre vetëm 11.1% të rasteve janë dënuar me burgim gjersa shumica e kryesve të dhunës dënohen me dënim me kusht dhe dënim me gjobë. Edhe Strategjia dhe Plani i Veprimit kundër Dhunës në Familje, aprovuar nga Qeveria e Kosovës (2016-2020), kërkon nga Objektivi Strategjik 3 rritjen e dënimeve për kryesit e dhunës në familje dhe ndryshimin e legjislacionit adekuat.

Prandaj, me 13 mars 2018, GSBGj ka dërguar sërish propozimin i cili kërkon që të hartohet një kapitull i veçantë për dhunën në familje ku do të definoheshin saktësisht të gjitha aktet e dhunës në familje dhe të kodifikohen në një kapitull të gjitha nenet e Kodit Penal të tanishëm. Në rastet kur mungojnë definicionet e akteve të dhunës duhet përfshirë kërkesat e Konventës së Stambollit.

Poashtu, në këtë propozim të GSBGj-së është kërkuar që dënimet për rastet e dhunës në familje të jenë dënime efektive pa lënë mundësinë e dënimeve me gjobë por të ketë vetëm dënime kumulative e jo alternative. Ky propozim nga Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë. Ato vepra penale që ekzistojnë në Kodin e tanishëm Penal me maksimumet e parapara nuk duhet të zvogëlohen në asnjë mënyrë.

Shënim për media

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (GSBGJ) është grup i përbërë nga shumë palë të interesit, i kryesuar nga UN Women.Institucionet në vijim janë anëtarë të GSBGJ-së dhe e mbështesin këtë deklaratë:
Organizatat ndërkombëtare: UN Women, UNMIK, OSBE Misioni në Kosovë, International Organization for Migration (IOM).

Organizatat e shoqërisë civile: Rrjeti i Grave të Kosovës, Kvinna till Kvinna Kosovo, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Kosova Women 4 Women, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), KIPRED.