PSSP Tanin dhe Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës lavdërojnë punën në lëndët e pazgjidhura

22 Qer 2018

PSSP Tanin dhe Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës lavdërojnë punën në lëndët e pazgjidhura

Më 20 qershor, Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Gjykatësi Nikolla Kabashiq, pranoi në takim Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefin e UNMIK-ut, Z. Zahir Tanin, dhe Zëvendës Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Z. Christopher Coleman, në objektin e gjykatës në Mitrovicën veriore. Vizita shënoi shkëmbimin e dytë në mes të Gjykatave Themelore të Prishtinës dhe Mitrovicës të rreth 80 praktikantëve ligjorë, shqiptarë dhe serbë të Kosovës, të cilët që nga prilli kanë punuar në projektin e mbështetur nga UNMIK-u për adresimin e problemit kryesor me të cilin ballafaqohet gjyqësori në Kosovë: lëndët e pazgjidhura.

Projekti është implementuar në bashkëpunim me OJQ-në nga Mitrovica “Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike” dhe OJQ-në nga Prishtina “Instituti i Kosovës për Drejtësi”. Shkëmbimi i këtyre vizitave në dy Gjykatat Themelore i ofroi mundësi praktikantëve nga të dy komunitetet që të takohen, shkëmbejnë përvojat dhe diskutojnë sfidat e përbashkëta. Shkëmbimet e tilla bëhen posaçërisht të rëndësishme në kontekst të integrimit të gjyqësisë që u realizua në fund të vitit 2017.

Në fjalën e tij, PSSP Tanin e falënderoi Gjykatësin Kabashiq për udhëheqjen e tij dhe i komplimentoi praktikantët për punën e tyre të palodhshme. Ai shtoi se është obligim i institucioneve lokale ligjore, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, që të përpiqen të arrijnë një prej parimeve themelore të sundimit të ligjit: qasje në drejtësi për të gjithë. Ai po ashtu ritheksoi përkushtimin e UNMIK-ut për të vazhduar asistencën ndaj Kosovës në këtë drejtim.

Gjykatësi Kabashiq shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj PSSP Tanin për mbështetjen e UNMIK-ut dhe theksoi dobitë që ky projekt sjellë për zhvillimin e shkathtësive të profesionistëve të rinj ligjorë të cilët së shpejti do t’i shërbejnë sistemit të drejtësisë në Kosovë.