PSSP TANIN INAUGURON SALLËN E GJYKIMIT NË MITROVICËN VERIORE, PASUAR ME PREZANTIM ANKETE MBI GJYQËSI DHE DISKUTIM

16 Pri 2019

PSSP TANIN INAUGURON SALLËN E GJYKIMIT NË MITROVICËN VERIORE, PASUAR ME PREZANTIM ANKETE MBI GJYQËSI DHE DISKUTIM

15 prill 2019 – Rezultatet e anketës së zhvilluar me 58 gjyqtarë dhe prokurorë nga rajoni i Mitrovicës, mbi arritjet dhe sfidat, u prezantuan pas inaugurimit të sallës së re të gjykimit në Mitrovicën Veriore.

Salla e gjykimit, që u mobilua dhe pajis plotësisht përmes fondeve programatike të UNMIK-ut, u inaugurua nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut Zahir Tanin, dhe nga gjykatësi mbikqyrës në Divizionin e Gjykatën së Apelit në Mitrovicën Veriore Milan Bigoviq. Që të dy mbajtën fjalë hyrëse si dhe Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës Gjyqtari Nikola Kabashiq dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Shyqyri Syla.

Gjatë fjalës së tij, PSSP Tanin nënvizoi rëndësinë kyçe të institucionit të drejtësisë në funksionimin e shoqërisë në mbarë botën dhe përgëzoi anëtarët e profesionit ligjor në Mitrovicë për bashkëpunimin e vazhduar në fuqizimin e sistemit të sundimit të ligjit, që nga arritja e marrëveshjes për integrimin e gjyqësisë së Kosovës në Bruksel më 2017.

PSSP Tanin gjithashtu shprehu përkushtimin e vazhduar të UNMIK-ut për të mbështetur institucionet e drejtësisë të Kosovës. Sidoqoftë, ai theksoi se i takon gjyqësisë së Kosovës të mbrojë pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe të sigurojë qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë njerëzit.

Gjyqtari Bigoviq, Gjyqtari Kabashiq dhe Kryeprokurori Syla falënderuan UNMIK-un për përkrahje përmes sigurimit të pajisjeve dhe financimit të praktikantëve ligjorë dhe përkthyesve që kontribuojnë në zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara. Që të tre theksuan se administrimi i drejtësisë është përmirësuar, përkundër sfidave që ende kërkojnë trajtim. Ata gjithashtu konfirmuan bashkëpunimin shumë kolegial dhe profesional në mes të gjyqtarëve dhe prokurorëve prej komuniteteve të ndryshme, siç u pa edhe nga anketa.

Rezultatet e anketës, zhvilluar me 58 gjyqtarë dhe prokurorë nga rajoni i Mitrovicës, ndarë me të pranishmit përmes prezantimit nga UNMIK-u pas inaugurimit të sallës së gjykimit, nuk shfaqën pothuajse asnjë dallim në mes të përceptimit të gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë të Kosovës dhe atyre serbë të Kosovës sa ju përket arritjeve dhe sfidave të integrimit të gjyqësisë. Arritjet kryesore të përmendura ishin Qasja më e mirë në drejtësi dhe Zvogëlimi i lëndëve të grumbulluara; kurse sfidat kryesore përfshinë Përkthimin, Numrin e madh të lëndëve të grumbulluara, Mungesën e gjyqtarëve/prokurorëve dhe zyrtarëve ligjorë.

Kjo ngjarje u përcoll nga 40 pjesëmarrës, përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë nga komunitetet e ndryshme, profesionistë ligjorë, Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Zëvendës Shefi i Zyrës Rajonale të Mitrovicës, përfaqësues nga UNOPS, EULEX, EUSR, OSBE, GIZ, USAID JSSP dhe shoqërisë civile.