PSSP Tanin ripohon rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi të shtojnë përpjekjet e tyre

30 Gsh 2021

PSSP Tanin ripohon rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi të shtojnë përpjekjet e tyre

Me rastin e Ditës ndërkombëtare mbi viktimat e zhdukjeve të detyrueshme, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, thekson rëndësinë e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, dhe shpreh zotimin e UNMIK-ut në vazhdimin e përkrahjes së plotë të këtij procesi si dhe të drejtën e pjesëtarëve të familjeve të tyre për të mësuar të vërtetën.

Derisa PSSP Tanin mirëpret progresin e arritur më herët gjatë këtij viti me zhvarrosjen dhe identifikimin e disa personave të zhdukur me ndihmën e Grupit punues mbi personat e zhdukur, ai shpreh shqetësim se procesi duket se ka ngec gjatë muajve të kaluar për shkak të ngërçit politik. Në këtë drejtim, ai i bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të përmbahen nga politizimi i kësaj çështje të rëndësishme humanitare dhe e të drejtave të njeriut. PSSP Tanin rikujton se Grupi punues mbi personat e zhdukur, që kryesohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe ka mbështetjen e plotë të KB-së, ka qenë një mekanizëm esencial në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur që nga themelimi i tij në vitin 2004. Prandaj, ai kërkon nga të dyja palët që të shtojnë përpjekjet e tyre brenda kornizës së Grupit punues për të kërkuar personat e zhdukur.

“Meqë zbardhja e fatit të 1.630 personave të cilët ende janë të zhdukur është komponentë qendrore për trajtimin e së kaluarës dhe avancimin e pajtimit ndërmjet komuniteteve dhe ndërtimin e besimit në Kosovë, UNMIK-u do të vazhdojë të mbështesë të gjithë akterët dhe familjet e personave të zhdukur në këtë proces,” tha PSSP-ja.

Historiku:

Nga gushti 2021, janë 1.630 persona (1.367 burra dhe 263 gra) që ende raportohen të zhdukur në lidhje me ngjarjet në Kosovë në vitin 1998 – 1999. UNMIK-u vazhdon të përkrahë procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur në Kosovë, përfshirë edhe përmes ndërveprimeve të ngushta me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, dhe mbështet Grupin punues mbi personat e zhdukur me ofrimin e përkrahjes teknike për delegacionin e Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që Grupi punues të rrisë kapacitetet e ekipit të tyre analitik në kërkimin e personave të zhdukur. Gjatë krizës aktuale të COVID -19, UNMIKU-u gjithashtu ka ndërtuar kapacitetet e Qendrës burimore mbi personat e zhdukur (QBPZH), themelimin e së cilës e ndihmoi në vitin 2017, dhe ka ndihmuar familjet e personave të zhdukur në bashkëpunimin e tyre me QBPZH.

Shikoni videon mbi personat e zhdukur të përgatitur nga QBPZH me përkrahjen e UNMIK-ut  këtu.

Lexoni deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së António Guterres, mbi Ditën ndërkombëtare mbi viktimat e zhdukjeve të detyrueshme këtu.

Lexoni më shumë për punën e Grupit punues mbi zhdukjet e detyrueshme dhe të pavullnetshme në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në mbarë botën këtu.

Lexoni më shumë për rezolutën e parë të Këshillit të Sigurimit të KB-së për personat e raportuar të zhdukur gjatë konfliktit të armatosur këtu.