STREHIMORJA E PARË MULTIETNIKE NË KOSOVË PËR TË MBIJETUARAT E DHUNËS NË BAZA GJINORE TË HAP DYERT

11 Shk 2019

STREHIMORJA E PARË MULTIETNIKE NË KOSOVË PËR TË MBIJETUARAT E DHUNËS NË BAZA GJINORE TË HAP DYERT

Hap i rëndësishëm në luftën për eliminimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë u bë me inaugurimin e strehimores së parë multietnike për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore në Novobërdë dhe rrethinë që do të mbështesë folësit e gjuhës serbe.

Inaugurimi i 7 shkurtit, ku morrën pjesë zyrtarë nga tërë Kosova, paraqiti kurorëzimin e përpjekjeve disamujore nga ana e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare. OJQ-ja vendore për të drejta të grave ‘Nash Dom’ (‘Shtëpia Jonë’) e shndërroi ndërtesën e pashfrytëzuar të një shkolle të mesme në strehimore, pasi u dhurua si donacion nga komuna.

Dhuna ndaj grave është sëmundje e vazhdueshme në të gjitha anët e botës. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku me të gjitha komunitetet për ta trajtuar këtë problem global. Hapja e kësaj strehimoreje sot paraqet një hap të vogël, por tejet të rëndësishëm në këtë drejtim.” ZPSSP Robert Pulver

 

Me mbështetje nga komuna dhe organizata ndërkombëtare si UNMIK-u, KFOR-i, OSBE-ja dhe USAID-i, Nash Dom e shndërroi ndërtesën në një hapësirë të sigurt që mund të strehojë deri në 12 gra dhe fëmijë që kanë nevojë për strehim dhe përkrahje psikologjike.

Drejtuesja e strehimores Vesna Stajiq theksoi se nuk mund ta shprehë me fjalë se sa e rëndësishme është që të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore të kenë hapësirë të sigurt për t’u rikuperuar.

“Janë së paku 20 gra të mbijetuara të dhunës në familje nga ky rajon që na kanë kontaktuar qoftë përmes policisë apo prokurorisë qoftë përmes mënyrave tjera.”

Stajiq, e cila thotë të jetë motivuar të punojë me të mbijetuarat e dhunës në familje për shkak të përvojës së saj të kaluar me dhunë në familje dhe nevojës për ndërtim të komunitetit, theksoi se është nevojë urgjente që strehimorja të bëhet funksionale në mënyrë që të fillojë të ofrojë mbështetje për të mbijetuarat.

Ajo pohon se strehimorja është gati t’i hapë dyert me staf të mjaftueshëm i cili aktualisht punon në baza vullnetare deri në finalizim të të gjitha proceseve administrative dhe lejeve.

Gjatë inaugurimit, Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjitshëm Robert Pulver vlerësoi bashkëpunimin në mes të autoriteteve komunale, Nash Dom-it dhe bashkësisë ndërkombëtare në themelimin e strehimores dhe ofrimit të mbështetjes së duhur për të mbijetuarat e dhunës në familje. Ai gjithashtu tha se shpreson që leja e strehimores do të procesohet sa më shpejtë të jetë e mundur nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Dhuna ndaj grave është sëmundje e vazhdueshme në të gjitha anët e botës. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku me të gjitha komunitetet për ta trajtuar këtë problem global. Hapja e kësaj strehimoreje sot paraqet një hap të vogël, por tejet të rëndësishëm në këtë drejtim.”

Vitin e kaluar, UNMIK-u ndau fonde për pajisjen e strehimores në Novobërdë me kamera sigurie dhe infrastrukturë përcjellëse, për të garantuar sigurinë e të mbijetuarave të dhunës në familje.