Forumi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Mirëbesimit në Kosovë: Rruga Përpara
Më 18 tetor, UNMIK-u mblodhi më tepër se 200 pjesëmarrës për të shqyrtuar progresin dhe për të hapur pista të reja të punës drejt zbatimit të rekomandimeve të hartuara gjatë Forumit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Mirëbesimit në Kosovë, mbajtur në Lubjanë në maj 2018.
Kjo ngjarje, me pjesëmarrje nga zyrtarë qeveritarë, kryetarë komunash, ambasadorë, udhëheqës fetarë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, OJQ-ve, komunitetit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, ofroi mundësi reflektimi mbi përvojën e Forumit, shpërndarje të raportit, shkëmbim të shembujve të punës së vazhdueshme për ndërtimin e mirëbesimit, si dhe për të avancuar përpjekjet për zbatimin e rekomandimeve të Forumit.
Ngjarja u përcoll me fjalë rasti nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefi i Misionit, Z. Zahir Tanin, si dhe me video pamje që dokumentuan nisjen e procesit të ndërtimit të mirëbesimit në Lubjanë dhe përpjekje të vazhdueshme dhe inovative dedikuar shërbyesve civilë, udhëheqësve të komuniteteve, fqinjëve dhe të rinjëve që të ndërtojnë besim në komunitetet e tyre, përfshirë përmes përkrahjes të shumëgjuhësisë, jetës së përbashkët, dhe krijimit të muzikës bashkarisht.
Në këtë drejtim, ai njoftoi për një varg iniciativash të reja të UNMIK-ut që kanë për qëllim të çojnë përpara rekomandimet e Forumit, përfshirë:
1) përpjekjet për të krijuar hapësirë për një përfshirje më të gjërë të shoqërisë në Kosovë në vendimet që i prekin ata;
2) zhvillimin e Platformës Digjitale të Ndërtimit të Mirëbesimit në Kosovë për të kultivuar raportet e krijuara në Lubjanë, shpërndarë informata dhe organizuar projekte pune për të avancuar zbatimin e rekomandimeve;
3) përhkrahjen e themelimit të një qendre të qëndrueshme gjuhësore ku të gjithë banorët e Kosovës do të kishin mundësi të përballueshme për të përmirësuar shkathtësitë në gjuhët serbe dhe shqipe; dhe
4) vazhdimësinë e punës me partnerë në mbështetje të viktimave të dhunës në baza gjinore.
PSSP po ashtu bëri thirrje për veprim, duke inkurajuar të gjithë udhëheqësit dhe partnerët e paqës në Kosovë t’i bashkangjiten Kombeve të Bashkuara për të avancuar rekomandimet e Forumit si udhëzues për përpjekjet kolektive drejt pajtimit të përhershëm.
Ai përfundoi, “Rrugëtimi drejt ndërtimit të urave në mes njerëzve dhe komuniteteve ka të bëjë me lëvizjen nga bisedat e ngrira në komunikim të mirëfilltë, në koordinim të domosdoshëm e deri te bashkëpunimi i njëmendtë. Jemi në mes të këtij rrugëtimi, dhe siç theksova edhe në Lubjanë, tani është koha ta organizojmë të ardhmen e jo thjeshtë ta vajtojmë të kaluarën.”
Ngjarja përfundoi me një performancë nga Electra Heart, një grup i ri muzikor që fillet i mori në Shkollën e Rockut të Mitrovicës, e cila është shndërruar në institucion vendor për të rejat e të rinjët nga të gjitha komunitetet për të krijuar muzikë së bashku.
Forumin E Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Mirëbesimit në Kosovë: Rruga Përpara :
alb_181018_srsg_remarks_tbf_moving_forward.pdf